Të shmangësh tensionet me Iranin: Pakistani mund të heqë dorë nga komanda e aleancës ushtarake muslimane të drejtuar nga Saudia

Pakistani po rishqyrton qëndrimin e tij në të ashtuquajturën aleancë ushtarake islamike 41-kombëshe, të udhëhequr nga Arabia Saudite, për të shmangur tensionimin e marrëdhënieve të tij me Iranin fqinj, sipas raporteve të medias në Pakistan. Aleanca ushtarake do të komandohej nga gjenerali Raheel Sharif, ish-komandant i ushtrisë së Pakistanit, i cili u tërhoq nga ushtria pakistaneze gjatë vitit të kaluar.

Vendimi i tij vjen pasi deklaratat e autoriteteve saudite në samitin Islamiko-Amerikan në Rijad më 20-21 maj sugjeruan se aleanca ushtarake ishte menduar kryesisht për të luftuar Iranin, sipas raportit të medias i cili shtoi se takimi i Rijadit u përqendrua në izolimin e Iranit – i cili ishte mbajtur jashtë samitit.

Zyrtarët thanë se qeveria pakistaneze në parim u pajtua të jetë pjesë e iniciativës nëse qëllimi i saj i vetëm ishte të luftojë terrorizmin. Besohet se qeveria ishte bashkuar me aleancën kur në prill lejoi që gjenerali Sharif të largohej nga Pakistani për të udhëhequr aleancën.

Por zyrtarët thanë se një vendim përfundimtar do të merret pasi të finalizohen termat e referencës (ToRs) së aleancës. ToRs do të finalizohen së shpejti në një takim të ministrave të mbrojtjes së vendeve pjesëmarrëse në Arabinë Saudite.

Pakistani, sipas zyrtarëve, do të rekomandojë që aleanca ushtarake duhet të ketë një objektiv të qartë, domethënë të luftojë terrorizmin. Çdo devijim nga ky qëllim, shtuan ata, jo vetëm që do të minonte aleancën, por do të çonte në ndarje më të mëdha në botën muslimane. “Ne jemi shumë të qartë se ne do të bashkohemi me këtë aleancë vetëm për të luftuar terrorizmin”, theksuan zyrtarët.

Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, në katin e Asamblesë Kombëtare ka thënë se Pakistani do të tërhiqet nga aleanca nëse rezulton të jetë me natyrë sektare.

Ligjvënësit pakistanezë kanë thënë se nuk duan që vendi i tyre të jetë pjesë e ndonjë aleance sektare, pasi ajo gjithashtu shkon kundër kushtetutës së vendit.

Dy partitë kryesore të opozitës në Pakistan – Tehreek-i-Insaf dhe Partia Popullore e Pakistanit – po bëjnë thirrje për mbajtjen e “neutralitetit” në rivalitetin saudito-iranian. Por, duke pasur parasysh lidhjet e vjetra strategjike me Arabinë Saudite, Pakistani nuk ka gjasa të tërhiqet tërësisht nga aleanca.

Irani ka shprehur rezervat e tij lidhur me emërimin e ish-shefit të ushtrisë pakistaneze, gjeneralit në pension Raheel Sharif, si kreu i aleancës ushtarake islamike 41-kombëshe të udhëhequr nga Saudia, duke thënë se nuk është ‘i kënaqur’ me koalicionin.

Irani shpreh shqetësim

“Ne jemi të shqetësuar për këtë çështje … se ajo mund të ndikojë në unitetin e vendeve islamike,” citohet të ketë thënë ambasadori i Iranit në Pakistan, Mehdi Honardoost.

Agjensia iraniane e lajmeve IRNA citon Honardostin të ketë thënë se Pakistani kishte kontaktuar zyrtarët iranianë përpara se t’i lëshonte çertifikatën NOC Gjeneralit Sharif për të udhëhequr aleancën saudite. “Por kjo nuk tregon se Irani është i kënaqur me këtë vendim ose ka pranuar të njëjtën gjë,” tha i dërguari.

Ambasadori propozoi që të gjitha vendet e rëndësishme islame të mblidhen së bashku për të formuar një “koalicion paqeje” për të zgjidhur çështjet e tyre, “në vend që të formojnë një aleancë të diskutueshme ushtarake”.

Një takim i diskutueshëm

Emërimi i Gjeneralit Sharif si udhëheqës i aleancës ushtarake ndezi debatin rreth asaj se si do të ndikojë masa në politikën e jashtme të Pakistanit, dhe nëse ajo u sanksionua plotësisht nga parlamenti.

Pakistani fillimisht e gjeti veten në pikëshënjestrën e politikës së Lindjes së Mesme, pasi Arabia Saudite e quajti atë pjesë të aleancës ushtarake të sapoformuar të vendeve muslimane, të destinuar për të luftuar terrorizmin, pa marrë njëherë pëlqimin e tij, raportoi e përditshmja Dawn.

Megjithatë, pas paqartësisë fillestare, qeveria kishte konfirmuar pjesëmarrjen e saj në aleancë, por kishte thënë se fushëveprimi i pjesëmarrjes së saj do të përcaktohej pasi Rijadi të ndante detajet e koalicionit që po grumbullohej.

Gjenerali Sharif marsin e kaluar e shoqëroi kryeministrin në Raad al Shamaal, në ushtrimet e para ushtarake të aleancës në të cilat morën pjesë gjithashtu trupat pakistaneze.

Befasimi i qeverisë saudite

Qeveria saudite kishte befasuar shumë vende duke njoftuar se kishte krijuar një koalicion për koordinimin dhe mbështetjen e operacioneve ushtarake kundër terrorizmit në Irak, Siri, Libi, Egjipt dhe Afganistan. Irani mungonte nga shtetet e përmendura si pjesëmarrës.

Në prillin e kaluar, Ministri saudit i Çështjeve të Fesë, Shejh Salih bin Abdul Aziz e përshkroi aleancën ushtarake të Arabisë Saudite si një “fitore të Islamit”, dhe objektivi kryesor i saj ishte “rilindja e Islamit”.

Duke ju drejtuar një takimi publik në ditën e parë të festimeve të përvjetorit të njëqindtë të Jamiat Ulema-i-Islam (F) në Pakistan, Shejh Saleh bin Abdul Aziz tha se Pakistani dhe Arabia Saudite do të merreshin së bashku me armiqtë e Islamit dhe vendet e shenjta në Arabinë Saudite.

Sipas Tribune Express, për të shmangur çdo lloj tensioni me Iranin, Pakistani u përpoq për ndërmjetësim midis Teheranit dhe Rijadit. Islamabadi madje ngacmoi idenë e përfshirjes së Iranit në aleancë.

Megjithatë, të gjitha këto përpjekje nuk mund të kenë sukses pasi Arabia Saudite dhe Irani kanë dallime serioze në kontestet rajonale, sidomos mbi pikat e nxehta të tanishme në Lindjen e Mesme.

Por, duke pasur marrëdhënie të gjatë strategjike me Arabinë Saudite, Pakistani nuk ka gjasa të tërhiqet tërësisht nga aleanca. Megjithatë, pjesëmarrja e tij do të mbetej vetëm në përpjekjet kundër terrorizmit, tha raporti i Tribune Express.

Koalicioni i armatosur prej 41 vendesh u propozua fillimisht si një platformë për bashkëpunimin e sigurisë ndërmjet vendeve muslimane dhe përfshinte dispozita për trajnim, pajisje dhe trupa, si dhe përfshirjen e studiuesve fetarë për të hartuar një narrativë kundër terrorizmit.

Senatori Syed Dilawar Abbas

Senatori sirian Syed Dilawar Abbas ka thënë se ish-shefi i ushtrisë, gjenerali Raheel Sharif duhet të largohet nga komanda e forcave të udhëhequra nga Saudia, pasi kjo nuk do të jetë e dobishme për Pakistanin në situatën mbizotëruese.

Ai tha se Irani është një vend islamik vëllazëror dhe mbi të gjitha fqinji ynë i afërt, i cili gjithnjë e ka mbështetur Pakistanin në kohë nevoje. Nuk mund të lejojmë që miqtë tanë të shqetësohen për hir të të tjerëve, shtoi ai. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kishin luajtur gjithmonë një rol kyç në ndarjen e muslimanëve për sigurimin e interesave të tyre në rajon. Ai gjithashtu dënoi vërejtjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp se Irani po sponsorizon terrorizmin në rajon.

Senatori Abbas tha se koalicioni nuk ishte një ushtri islamike, por një aleancë e udhëhequr nga Saudia. Nëse Arabia Saudite dëshiron të mbrojë të drejtat e botës muslimane, atëherë duhet të kishte përfshirë të gjitha shtetet islame në forcë. Pse disa vende janë pjesë e ushtrisë, ndërkohë që shumë shtete të rëndësishme muslimane, përfshirë Iranin, Sirinë dhe të tjerët, nuk janë përfshirë në të, pyeti ai.

Ai tha se kjo tregon qartë se Arabia Saudite kishte interesat e veta, dhe si një Shtet Islamik bërthamor, Pakistani duhet t’i informojë qartë sauditët se nuk mund të bëhet pjesë e axhendës së fshehtë amerikane kundër asnjë shteti musliman. Pse duhet të bëhemi lojtarë të Shteteve të Bashkuara, shtoi ai.

Kombi

Në një koment për polemikat aktuale, një gazetë pakistaneze, Kombi, pyeti: A nuk i dha një ide Islamabadit fakti që koalicioni u njoftua së pari në dhjetor të vitit 2015 – muajin e nëntë të ndërhyrjes ushtarake saudite në Jemen dhe një muaj para ekzekutimit të klerikut Shia Shejh Nimr al- Nimr – se kundra kujt do të lidhej kjo aleancë?

Dikush do të ishte nxitur të pohonte madje se ky sugjerim i vonuar për një tërheqje të mundshme, nëse jo tërësisht një shkëputje, është një reagim ndaj mospërfilljes në samit ku Trampi dhe Mbreti Selman kolektivisht poshtëruan Pakistanin duke mos e lejuar kryeministrin të flasë, dhe pastaj madje refuzuan ta përfshinin atë në ndonjë takim të publikuar ose në ndonjë fotografi.

Duke komentuar qëndrimin e Pakistanit se do të bashkohet me këtë aleancë “vetëm për të luftuar terrorizmin”, Kombi tha se termi “terrorizëm” është i ngarkuar ose i lidhur me politikat e shtetit.

“Një luftëtar lirie i Kashmirit që ngre armën është një terrorist për Indinë. Një militant separatist në Baloçistan është një terrorist për Pakistanin. Një muxhahedin mund të jetë një terrorist ose aset strategjik, në varësi të faktit nëse ai po lufton për themelimin ushtarak ose kundër tij. Prandaj ndoshta është një ide e mirë të përcaktojmë terrorizmin, para se të pranojmë të mbrojmë Arabinë Saudite kundër terroristëve”, thotë gazeta, e cila shton:

“Në një vend që pa mëdyshje ka pohuar se ‘ateistët janë terroristë’, nuk ka nevojë që individi të marrë armë për t’u hedhur në koshin e terrorizmit. Ai gjithashtu nënvizon se terrorizmi për mbretërinë e Arabisë Saudite është kryesisht i bazuar në përkatësinë ideologjike. Dhe nuk do shkollë për ta kuptuar ideologjinë e vetme që vehabizmi është antagonist edhe më shumë sesa mosbesimi”.

Abdus Sattar Ghazali

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne