Teatri me 6 kulla: Një tragjikomedi bastardësh me betoniere

nga Ergys Mërtiri.

Pra nuk do të kemi teatër me kullë, por teatër me 6 kulla me rreth 96 kate gjithsej! Bukur. Ua qepën gojën artistëve, me marifet dhe tani po i përdorin për dekor në takime ku flet vetëm Rama dhe ata dëgjojnë. I trajtuan si dele, duke iu thënë si studentëve njëherë vakti: Shikoni se nuk i dini mirë ca gjëra ju!

Qeveria po përpiqet ta spostojë debatin në një diskutim estetik mbi godinën e teatrit. Kjo është një farsë. Zërat që duan të na mbushin mendjen mbi vlerat arkitekturore të projektit, në fakt kërkojnë vetëm të spostojnë vëmendjen nga krimi i vërtetë: Kullat.

Reagimet kundër projektit nuk kanë qenë për cilësinë e tij, pasi në fakt, deri tani nuk ka pasur fare projekt. Reagimet kanë qenë kundër kullave që do të ngrihen pranë tij, të cilat, fillimisht qeveria i mohoi. Pasi e shfryu situatën, sot ajo pohon me gojën e saj se këto kulla janë të domosdoshme, pasi askush nuk ta ndërton godinën qyl.

Në fakt, ndërtimi i këtyre kullave që, edhe sikur të mos kishte fare teatër aty, do të ishte një masakër urbane, nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë tjetër përveç se nëpërmjet interesave financiare që lidhen me afera korruptive prapa shkëlqimit të vizatimeve në 3D që iu ofrohen artistëve. Kur janë në lojë rreth 300 milion euro, natyrisht që askush nuk e çan kokën për teatër.

E kuptueshme është që, nuk po ndërtohen 6 kulla për të krijuar mundësinë të ndërtojmë një teatër, por po ndërtohet një teatër, për të gjetur një mënyrë sesi të justifikohet ndërtimi i 6 kullave, në zemër të Tiranës. Teatri është mënyra për të fshehur një krim urban, që do të shtojë çmendurinë e betonit, në një qytet të bastardizuar me ndërtime marramendëse.

Teatri është vetëm fasada e një maskarallëku financiar që do të shkatërrojë pejzazhin e të vetmit oaz kulturor të mbetur në këtë qytet, të dënuar tashmë të vegjetojë nën hijen e gratacielave monstruoze që gërrvishtin qiellin e korrupsionit?

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne