Tension në Lagunë

Nga Artan Rama

Ata udhëtonin të pestë në një makinë drejt Karavastasë. Kishin lënë Tiranën ende pa zbardhur dhe tani që po afroheshin, bisedat sikur u gjallëruan. Shoferi propozoi të hanin mëngjes. Bufeja ishte një barrakë fshati e mbushur me fermerë, fytyrat e të cilëve dukeshin të lodhura nga dielli, ndonëse pa dalë ende në fushë. Në pjesën e pasme të kuzhinës, përmes një porte rrjete, shihesin zetorë të mbushur me shalqinj.

Dielli ishte ngritur mjaftueshëm për të uruar mirë se ardhjen e një dite të re, por banorëve ky u dukej një rit krejt i zakonshëm. U përpoqa ta fshihja padurimin për të mbërritur sa më parë atje ku do të xhironim: një koloni zogjsh, e zbuluar fare rastësisht, nga një peshkatar. Me vete kishim marrë pajisjet. Do të afroheshim në heshtje e pastaj do të ngrinim dronin për të regjistruar nga ajri. Ishte mënyra e vetme për të zbuluar disa prej të mistereve të Lagunës.

Njëri prej djemve porositi një racion dopio. Për disa ushqimi është si një hob i shenjtë, një konsideratë që nuk mund t’u mohohet! Për të tjerë është vetë “misioni”. Një vakt i bollshëm, por dhe i këndshëm dhe të gjithë ndihen rehat. Ende pa mbërritur ndjeja një shqetësim të brendshëm. Tej në banak, një grua e vogël me shami në kokë po lante disa gota. Lart në mur, një ekran i sheshtë përcillte lajme të vjetra. Paguam dhe u ngritëm. Makina përshkoi fushat e mbjella dhe u fut në pyllin e Kularit. Ndaloi përpara një porte hekuri dhe, pasi i ngarkuam pajisjet në krahë, u nisëm në këmbë. Udhëtuam për dy kilomentra në mes të një pylli pishash të egra derisa dolën në anë të një kanali. Vazhduam ecjen mbi një sopë rëre me shkurre të ulëta në të dyja anët. Nuk vonoi dhe u shfaqën kallamishtet! Tamam aty ku duhej.

– Shpresoj t’i gjejmë shpejt, – iu drejtova dronistit. Të tjerët qëndruan të heshtur. Mbi portrete u dukej gjurma e një dielli të lehtë. Ishim nisur tre orë më parë, por dukej sikur kishte shkuar gjysma e ditës. Ndonëse humbëm minuta të vlefshme, tani që njerëzit ishin ushqyer, shpresoja të tregoheshin më të zellshëm.

Droni u ngrit me një zhurmë të çjerrë, duke lënë pas një pluhur të verdhë. Njerëzit u largua në hije, ndërsa bashkë me dronistin hodhëm mbi kokë një mushama të zezë. Unë mund t’i ndiqja pamjet prej tabloidit që ai mbante në dorë. Nga lart gjithçka dukej si në Parajsë. Në mes të ekranit u shfaq fillimisht një si rrjetë me ngjyrë gri. U deshëm pak sekonda derisa droni zbriti në lartësinë e 500 metrave për të larguar çdo dyshim. Ndodheshim mbi koloni.

Kështu mbetej të afroheshim në një distancë më të afërt e të regjistronim gjithçka. …Por nuk arritëm! Dronisti njoftoi se karta nuk po regjistronte dhe se droni duhej të kthehej. Ishim në mes të një parku prej mijëra hektarësh dhe e vetmja kartë që kishim nuk po funksiononte! Situata dukej e pashpresë. Mbi kokat tona fluturoi një grup çafkash. Nga larg, në lartësi u dëgjuan helikat. Droni u ul me zhurmë duke riktyer pluhurin e verdhë. Dronisti bëri një kontroll rutinë. Përsëriti të njëjtin veprim disa herë por ishte e kotë: karta nuk regjistroi!

– Shkoni në Lushnje, – u thashë. Blini një kartë të re. Nuk mund të dështojmë. Unë po nisem në Lagunë.

Po ktheheshim në të njëjtën rrugë, ende pa bërë asgjë. Mendja më shkoi te mëngjesi i bollshëm dhe fytyra e tharë e gruas që lante gota mbi banak. Njerëzit u bënë më të heshtur, ndërsa dielli u ngjit lart. Çimi Malkua dhe varka e tij e gjatë po priste në anë të Lagunës. Banor i një fshati të vogël, mes pyllit të Gjenerukës dhe brigjeve të Lagunës ai priste shpesh turistë. Por këtë radhë ishte një grup xhirimi.

Ne u ndamë në dy pjesë: dronisti, një teknik dhe shoferi u nisën në Lushnje; unë dhe operatori u ngjitëm në varkë. Destinacioni: ishulli i Pelikanit. Ishte mesditë kur u lëshuam në ujë. U pozicionuam me kujdes për t’i siguruar varkës ekuilibrin e nevojshëm. Strugat mbetën pas, ndërkohë që po u afroheshin kodrave të buta e të zhveshura në bregun tjetër.

– Pas tyre fshihet një pyll i bukur, – filloi të tregonte Çimi Malko. “Banorët e prenë në ’97-n! E rrafshuan! Po mbiu prapë. Tani e ruajmë. Nuk ka siguri”. Peshkatari fliste thjeshtë si të ishte diçka krejt e zakonshme. Kishte një lloj neutraliteti, apo vetëpërmbajtje të fshehur në rrëfimin e tij. Varka rrëshqiste mbi ujë dhe unë vështroja kodrat. Pylli kishte rilindur brenda një dekade, por masakra e Gjenerukës nuk fshihej kollaj.

– Deri këtu, – tha Çimi Malko, – nuk mund të afrohemi më tepër!

Mu duk më shumë si një urdhër. Ai më vështroi me të njëjtën qetësi si më parë. Prej këtej, pelikanët në ishull dukeshin si njolla të bardha dhe teleobjektivi i shkurtër i kamerës nuk linte shpresë për t’u afruar. Nuk fola, por hyra në ujë. Këmbët u zhytën thellë në baltën moçalore dhe uji i ngrohtë më rrethoi kraharorin. Operatori ishte mbi varkë kur i bëra shenjë të më ndiqte.

– Do të lëvizim në ujë, – iu drejtova me zë të ulët. – Dhe në çdo 50 metra do të ndalojmë.

Kështu me pak fat mund të afrohemi në një distancë të aq të afërt, sa trupi i bardhë i një pelikani të futet në kuadër. Operatori vështroi rrotull pa lëvizur. Mora stativin dhe bëra përpara. Ecja bëhej ngadalë e pa zhurmë. Pas njëfarë kohe ndaluam. Pozicionuam stativin dhe pamë përmes objektivit… Ishim akoma larg. Ky ishte një ishull tepër i vogël, jo më shumë se disa dhjetëra metra katrorë. Ai shtrihej në mes të Lagunës dhe kishte brigje aq të holla, sa shpesh nuk mund të shihej as prej një distance ta afërt. Shpesh, për një sy të pastërvitur, pothuajse ai nuk ekzistonte fare.

Ekipi ynë po përparonte ngadalë por me vendosmëri. E ngulëm përsëri stativin në baltë. Vendosëm kamerën, pozicionuam objektivin dhe pamë ishullin. Ishim akoma larg për të thënë që misioni të quhej i përfunduar. Tensioni po rritej. Nëse afroheshim më shumë rrezikonim gjithçka: pelikani mund të fluturonte; mund të largohej e të na linte shëndenë. Ishte koha e vendimmarrjes. Gjithçka deri në këtë moment më kishte lënë një shije të keqe. Po nuk kishta ç’humbja.

– Shiko, unë po shkoj përpara, i vetëm. Kur të ndaloj, ti do të lëvizësh në të njejtin drejtim. Përpiqu të jesh i qetë.

Hodha sytë drejt ishullit. Një grup pelikanësh me të vegjlit e rritur nuk po lëviznin. Mesa duket, ne nuk përbënim ende problem. Lëviza! “Vij në paqe/Vij në paqe”, vargjet e një kënge rinie më shkonin në mendje. Fillova t’i përsëris në çdo hap që hidhja. Këmbët i ngrija aq pak, sa mjaftohesha t’i shkepusja veç nga balta duke i zhvendosur paralel me shtratin e Lagunës. Patritur u friksova! M’u duk se isha afruar shumë. Ktheva kokën dhe i bëra shënjë operatorit.

Në distancë shiheshin kodrat e Gjenerukës që kishin filluar të mbusheshin. Ishin dashur vetëm dhjetë vjet! Pylli ishte rikthyer. Ishte e vështirë që këto lajme të mbërrinin në kryeqytet. Operatori vendosi kamerën dhe menjëherë kompozoi kuadrin. Mes nesh dhe shpendëve ishte vendosur një rapor miqësor. Shpendët lëvizën, por nuk fluturuan. Ishte si në një paradë. Sipërfaqja e gjelbër i ishullthit u shndërrua në një pasarelë mode. Një pelikan fluturoi ultas përpara objektivit. Një tjetër qëndroi pa lëvizur me trupin e mbledhur dhe kokën lart. Disa guximtarë lëvizën në afërsi, mbi ne. Nuk na mbeti tjetër veç të xhironim…

Kur u ngjitëm në varkë, Çimi Malkua tha se askush nuk ishte afruar kaq shumë më parë pranë ishullit. Mora frymë thellë dhe ndjeva lodhje. Në çantë kisha dy copa të vogla buke. I nxorra dhe i ndamë të tre. Përreth pamja ishte e zymtë dhe e shkretë. Në largësi, përmes rrjelave të ujit dukej fusha e Presës. Pas gjysmë ore sosëm në breg. Makina nuk kishte mbërritur ende dhe në u ulëm në një hije. I telefonova Adrian Koçit, drejtorit të Parkut Kombëtar. Por ai po nisej në pyllin e Pishave. Një prej rojeve të tij sapo kishte zbuluar jashtëqitje të pazakonta kafshësh. Dyshonte se mund t’i përkisnin ndonjë kaprolli. “Lajmet e mira po rikthehen”, – mendova.

– Ka patur më shumë më parë, – tha Çimi Malko, – por i vranë, në ’97-ën. “Nuk pushuan derisa i zhdukën fare. Njëri prej gjahtarëve të zonës, zuri pritë pranë një burimi. U mbulua me gjethe. Nuk lëvizi derisa i shfarosi një nga një!”.

U trondita. Çimi u ngërdhesh dhe heshti. “Eh, nuk mundet kollaj natyra!”, mendova. Larg, në drejtim të rrugës u ngrit një pluhur i bardhë. Po ktheheshin.

Çimi Malko më përshëndeti, lëshoi varkën dhe u largua. Kisha njohur një njeri të thjeshtë që jetonte mes pyllit të Gjenerukës dhe brigjeve të Lagunës. Më erdhi mirë. Makina po kthehej në Kular. Dielli filloi të kthente ngjyrë. Në kabinë kishte rënë heshtja. Dronisti ia kishte dalë të gjente një kartë të re në Fier. Ndaluam përsëri përpara portës në hyrje të pyllit. Por u nisëm vetëm ne të dy. Të tjerët do të na prisnin. Përshkruam tre kilometra derisa mbërritën në anë të kanalit. Droni u ngrit për herë të dytë shumë lart mbi kokat tona. Në largësi pamë detin e madh. Rrezet e diellit pasqyroheshin mbi ujë dhe i jepnin sipërfaqes një ngjyrë argjendi. Kaluam mbi fushën e Brukës dhe fluturuam mbi kënetë. Përshkruam kallamishtet derisa, në distancë, dalluam një njollë të bardhë. Droni po ulej, ndërkohë që unë mbaja frymën.

Kërkohej një qetësi dhe një siguri e pazakontë për t’i lejuar vetes kënaqësinë e plotë që ofronte ky çast i mrekullueshëm. Pikat e bardha po shndërroheshin në krahë të buta shpendësh dhe moria e luspave që mbushnin sipërfaqen, nuk ishin tjetër, veçse blerimi i kallamishteve mbi kënetë. Kolonia sekrete, kufijtë e saj, po zbuloheshin para syve tanë për herë të parë! Vështroja lëvizjet e krahëve, përplasjet dhe lëkundjet që pësonin degët dhe përpiqesha të imagjinoja tingujt e mrekullueshm që afronte kjo bashkësi zogjsh. Morëm gjithçka deshëm dhe u larguam. Më ne fund!

Në kthim, kur dielli perëndoi, njerëzit sikur u gjallëruan. Ndërsa i afroheshim Tiranës, në kabinë, dëgjova plot histori humori për teknikë grykësa e shoferë kapadainj. Unë isha i qetë dhe pa asnjë trishtim. Ndoshta i cfilitur, por ende aq i kthjellët sa të pyesja veten, se përse askush nuk e vlerësonte operatorin që iu afrua pelikanit aq afër, sa askush tjetër më parë?!/ publicus

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne