Tensione në Beograd para protestave masive

Gazetat bulevardeske të afërta me qeverinë përpiqen t’ia kalojnë njëra-tjetrës me kryetituj luftarakë: “Të egrit duan luftë qytetare”. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur, se ushtria nuk do lejojë në asnjë rast një rrëzim të dhunshëm të qeverisë legjitime. Kjo nuk është e re në Serbi. Në 7 vitet, ku qeveria e SNS, partisë së progresit dhe Aleksandar Vuçiq i kanë dhënë tonin jetës në Serbi, janë paralajmëruar disa përpjekje për puç ushtarak dhe luftëra. Me këtë frikë, presidenti Vuçiq me tendenca autoritare, mban radhët e veta të bashkuara dhe anatemon kundërshtarët politikë. Në të njëjtën mënyrë ai është shprehur edhe para protestës masive të opozitës dhe qytetarëve më 13 prill. Politikani i opozitës, ish-kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Djilas thotë se “nëse do të ishim një vend normal, prokuroria do të kishte reaguar ndërkohë, sepse kjo është thjesht panikbërje.”

Nervoziteti i kreut të shtetit

Që nga viti 2012 Aleksandar Vuçiq përcakton politikën në Serbi – qoftë si zëvendëspresident, kryeministër apo si president i vendit. Në kohën e Millosheviçit ai ka qenë ministri radikal-shovinist i Informacionit. Ndërkohë tani është shndërruar në përkrahës të integrimit europian dhe anëtarësimit të Serbisë në BE. Partia e tij qeveris me shumicë të rehatshme Serbinë dhe kontrollon pjesë të mdha të peizazhit mediatik. Pa anëtarësim partie nuk mund të arrish asgjë në Serbi. Të rinjtë largohen masivisht nga vendi. Pamja që inskenojnë mediat besnike ndaj qeverisë dhe realiteti serb janë dy gjëra të ndryshme.

Protest gegen den serbischen Präsidenten Vucic in Belgrad (Reuters/M. Djurica)Dragan Djilas, kreu i opozitës në protestën kundër presidentit serb

Dhunë verbale e në disa raste fizike kundër atyre që mendojnë ndryshe, pamundësia për të vepruar juridikisht kundër arbitraritetit, korrupsioni në vend, dhe arroganca e kreut të shtetit e ndjerë përditë në deklaratat e tij po zemëron gjithnjë e më shumë qytetarë. Nga 8 dhjetori qytetarët grumbullohen në protesta në më shumë se 100 qytete serbe.

Inskenim dhe mohim

Me inskenimin e vizitës së Vladimir Putinit më 17 janar dhe në një sërë mitingjesh politike, presidenti Vuçiq ku ai festohet nga përkrahësit e tij për suksese, presidenti serb kërkon të dobësojë rëndësinë e protestave. Por llogaria e tij nuk del gjithmonë. Politikanët opozitarë ndjehen kaq të margjinalizuar në programet e lajmeve të televizionit shtetëror, RTS, saqë më 16 mars, me disa përkrahës e demonstrues ata bllokuan ndërtesën e RTS, por u nxorrën më pas nga policia. Qeveritarët e paraqitën si dhunë ndaj medias. Drejtuesi i fondacionit Friedrich Erbert, Max Brändle thekson: “Opinionin publik e fiton ajo palë që e inskenon me besueshmëri veten si viktimë: e shtypjes, dhunës policore, apo edhe e demonstruesve të dhunshëm e trazirave. Vuçiq në këtë rast është në avantazh për shkak të peizazhit mediatik të komanduar nga shteti dhe të varur.”

Max Brändle, Geschäftsführer Friedrich-Ebert-Stiftung (Torben Geeck)Max Brändle

Shtresa e mesme proteston

Fondacioni Friedrich Ebert ka kryer një sondazh mes demonstruesve bashkë me institutin serb, SeConS. Rezultatet Max Brändle i përmbledh kështu: “Po proteston një aleancë kryesisht e të rinjve, me arsim mbi mesataren dhe shtresa e mesme e Serbisë, që nuk është e lidhur me partitë politike. Liria e medias, demokracia, dhe largimi i lidershipit janë motivet kryesore”. Sipas Brändle, Vuçiq pjesërisht reagon me nervozitet ndaj protestave. “Vuçiq po e ashpërson tonin. Fillimisht u tha se janë të dhunshëm e fashistë pas protestave, që duan madje edhe jetën e tij.”

Pjesë të opozitës së përçarë u bashkuan në vjeshtën e kaluar në një aleancë për Serbinë. Kësaj aleance, krahas politikanëve liberalë i përket edhe një parti e vogël nacionaliste, “Dveri”. Nëse kjo aleancë ia del që dinamikën e protestave ta kthejë në kapital politik, dhe se kush del në krye – Djilas dhe partia Demokratike apo ajo radikale e djathtë, Dveri, kjo mbetet e hapur, thotë Max Brändle. Por sondazhi tregon qartë, se shumica e qytetarëve protestues është e fokusuar tek politika e qendrës. Simpatizantët e Dverit janë përfaqësuar me 4%.

Producenti i televizionit, Vladimir Milic është pjesë e protestave që nga fillimi i tyre. “E gjithë atmosfera në shoqëri është shumë e rrezikshme dhe politikisht e papërgjegjshme. Nëse përgjigja e qeveritarëve do të vazhdojë të mungojë, protestat do të marrin një hov të ri. Sa më i madh hendeku mes realitetit dhe propagandës, aq më i madh tensioni, që mund të kalojë edhe në dhunë, që të shpresojmë nuk e do askush”, thotë Milic. Vetë presidenti Vuçiq ka paralajmëruar një protestë të përkrahësve të tij më 19 prill në Beograd.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne