Tensione të shtuara në Egje, 11 luftanije turke në kufirin me Greqinë

Tensionohen më tej marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë pas incidentit në Detin Egje, ku një luftanije turke goditi një mjet lundrues të forcave…

11 anije luftarake turke po patrullojnë përqark ishullit që prej vitesh është kthyer në një mollë sherri mes Ankarasë dhe Athinës, dhe këtë lëvizje e përditshmja turke “Huyrriet” e ka titulluar si “Aromë lufte përreth ishullit të Imia-s”.

Polemika pati edhe mes diplomacive të dy vendeve. Ministria e Jashtme turke reagoi duke thënë se Imia është territor turk, por kundërpërgjigja e grekëve nuk vonoi, duke thënë se turqit nuk e njohin gjeografinë. Përshkallëzimi i marrëdhënieve solli edhe reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zëdhënësja e sekretarit Tillerson tha se ShBA-të njohin sovranitetin e dy vendeve sipas traktateve ndërkombëtare, duke u bërë thirrje palëve të ulin tonet e t’u rikthehen normalitetit.

Kryeministrat e dy vendeve, Jëlldërëm dhe Cipras, zhvilluan një bisedë telefonike për të qetësuar situatën tejet delikate.

Tensionet në Egje u ndezën pas paralajmërimit të ashpër të presidentit turk, Rexhep Taip Erdoan, ndaj Greqisë e Qipros, për shkak të disa kërkimeve për gaz pranë ishullit të Qipros.

Turqia kundërshton kërkimet që po kryen në një zonë detare që Ankaraja pretendon se i përket autoriteteve turko-qipriote. Por qeveria greko-qipriote pretendon se ka të drejtën sovrane për të kryer kërkimet për gaz në ato ujëra./ MRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne