Tensionet greko-turke për ujrat e Mesdheut Lindor, Erdogan afirmon potencën ushtarake

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i ka dërguar një mesazh Greqisë që nuk mundet t’i trajtojë ujrat e Egjeut dhe Mesdheut Lindor si pronë të saj.

Duke komentuar mbi tensionet në ujërat e tyre, Erdogan tha se të gjithë ata që mendonin se mund të veprojnë në rajon pa dijeninë e Turqisë, filluan të kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh, duke iu referuar kështu politikës së Athinës.

Erdogan theksoi se Turqia nuk do të lejojë burimet natyrore të Mesdheut Lindor të shfrytëzohen pa Turqinë dhe Qipron Veriore.

Ne nuk kemi asnjë pretendim për asnjë territor, të drejta dhe interesa. Ne vetëm mbrojmë të drejtat tona dhe interesat e vëllezërve tanë”, tha Erdogan.

Ai shtoi se Turqia do t’u rezistojë me vendosmëri të gjitha aktiviteteve armiqësore, ashtu siç ka kundërshtuar, siç tha ai, aktivitetet terroriste në Siri.

Paralajmërimi i tij i referohet një përpjekjeje nga administrata greke e Qipros Jugore që në mënyrë të njëanshme dhe pa pëlqimin e Turqisë dhe Qipros së Veriut të kërkojë dhe shfrytëzojë burimet në Mesdheun Lindor.

Deklaratat e Erdogan u bënë në një kontekst ushtarak, gjatë një ceremonie në Stamboll në nisje të projektit të ndërtimit të nëndetëses turke “Aydinreis”, anija e tretë që Turqia ndërton nën projektin e parë kombëtar për ndërtimin e anijeve luftarake MILGEM.

Duke theksuar se ky është një program kombëtar i jashtëzakonshëm, Erdogan tha se çdo produkt i industrisë së mbrojtjes vendase është një simbol i fuqisë dhe pavarësisë së vendit.

“Varësia e jashtme në industrinë e mbrojtjes ka rënë nga 80 në 35 për qind. Ne do të vazhdojmë këtë prirje në të ardhmen në emër të nderit të kombit”, tha ai

Erdogan tha gjithashtu se ndër 100 kompanitë më të mira në botë në industrinë ushtarake, ekzistojnë katër kompani turke dhe se Turqia është vendi i gjashtë në botë në këtë industri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne