Tensionet Trump-Kim duhet ti kujtojnë botës se armët bërthamore mund të shkatërrojnë njerëzimin

nga Slavoj Žižek.

Grindjet publike midis udhëheqësve të Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara mund të jetë argëtuese në disa aspekte. Por politikanët po luajnë me zjarrin dhe na rikujtojnë brishtësinë e njerëzimit.

Tani për tani, nuk mund t’i shmangni raportet e mediave mbi shkëmbimin gjithnjë e më qesharak të fyerjeve midis Kim Jongut dhe Donald Trump. Ironia e situatës është se, ndërsa kemi dy burra të papjekur që shfryjnë zemërimin e tyre dhe fyejnë njëri-tjetrit, shpresa jonë e vetme është që ka përmbajtje institucionale anonime dhe të padukshme që parandalon zemërimin e tyre që të shpërthejë në një luftë të vërtetë.

Normalisht, ne priremi të ankohemi se në politikën e sotme të tjetërsuar dhe të burokratizuar, presionet dhe kufizimet institucionale i pengojnë politikanët të shprehin vizionin e tyre personal. Por tani shpresojmë që kufizimet e tilla do të pengojnë shprehjen e të gjitha ëndrrave të çmendura nga këta personazhe. Pra, si arritëm në këtë pikë?

Alain Badiou kohët e fundit paralajmëroi për rreziqet e rendit në rritje post-patriarkal skeptik që paraqet veten si sfera e lirive të reja. Shpërbërja e bazës së përbashkët etike të jetës sonë është e lidhur në mënyrë të qartë me heqjen e rekrutimit ushtarak universal në shumë vende të zhvilluara. Sot, vetë nocioni i gatishmërisë për të rrezikuar jetën për një kauze të përbashkët duket gjithnjë e më i pakuptimtë, nëse jo drejtpërsëdrejti edhe qesharak.

Rini e Përjetshme

Që do të thotë se, në të gjithë botën, forcat e armatosura, në vend që të jenë një trupë në të cilën të gjithë qytetarët marrin pjesë në mënyrë të barabartë, gradualisht shndërrohet në një forcë mercenare. Kjo shpërbërje ndikon në mënyrë të ndryshme tek dy gjinitë: njerëzit gradualisht shndërrohen në adoleshentë të përhershëm pa ndonjë kalim të qartë të inicimit që do të sjellë hyrjen e tyre në maturim (shërbimi ushtarak, marrja e një zanati dhe madje edhe edukimi nuk luan më këtë rol). Kështu, nuk është çudi që, për të kapërcyer këtë zbrazëti, bandat e te rinjve pas-atërore përhapen, duke siguruar nisje surrogato dhe identitet social. Në dallim nga bashkëmoshatarët e tyre, vajzat e reja janë bërë gjithnjë e më shumë të pjekura, të trajtuara si gra te vogla dhe pritet të kontrollojnë jetën e tyre dhe të planifikojnë karrierën e tyre në një fazë të hershme. Në këtë version të ri të dallimeve seksuale, burrat janë adoleshentë dhe jashtë ligjit, ndërsa gratë duken të forta, të pjekura, serioze, ligjore dhe ndëshkuese.

Ndryshe nga e kaluara, gratë e sotme nuk detyrohen të nënshtrohen nga ideologjia në pushtet. Në vend të kësaj, ato priten të luajnë një rol kyç – të jenë gjyqtare, administratore, ministre, drejtoresha ekzekutive, mësuese, oficere policie dhe ushtare. Një skenë shembullore që ndodh çdo ditë në institucionet tona të sigurisë është ajo e një mësueseje, gjyqtareje apo psikologeje që kujdeset për një të ri të papjekur gabimtar.

Si rezultat, një figurë e re femërore po lind: një agjente e ftohtë konkurruese i pushtetit, joshëse dhe manipuluese që dëshmon paradoksin se “në kushtet e kapitalizmit gratë mund ti bëjnë gjërat më mirë se burrat”, e përshkruan Badiou. Në fakt, kapitalizmi bashkëkohor ka shpikur imazhin e vet ideal të gruas.

Kjo na risjell përsëri tek Trumpi dhe Kimi, dy adoleshentë të përjetshëm të cilët janë të dy të prirur për shpërthime irracionale brutale që dëmtojnë vetvetet e tyre. Megjithëse dallimet midis Koresë së Veriut dhe SHBA janë të dukshme, megjithatë duhet të theksohet se ata të dy ngjiten në versionin ekstrem të sovranitetit të shtetit: “Koreja e para!” kundrejt “Amerika së pari!” Dhe është gjithashtu e dukshme se si çmenduria e qartë e Koresë së Veriut (një vend i vogël i gatshëm të rrezikojë gjithçka dhe të bombardojë SHBA) ka ende homologun e saj në SHBA që pretendon të luajë rolin e policit global, një shtet i vetëm që merr të drejtën të vendosë se cilat vende duhet të lejohen të posedojnë armë bërthamore .

Zgjidhje kompromisi

Megjithatë, zgjidhja nuk është që të shkatërrojë vetëm Korenë e Veriut, por të gjejë një mënyrë të vërtetë të “ndërkombëtarizimit” të armëve bërthamore dhe të bëjë situatën të papranueshme kur një shteti sovran i lejohet t’i posedojë ato (dhe t’i kërcënojë të tjerët me to). Sepse momenti që përqendrohemi vetëm në “çmendurinë” e Koresë së Veriut, tregon se ne e mbështesim premisën se nuk duhet të lejohen të bëjnë atë që vetëm “superfuqitë” e zgjedhura duhet ta bëjnë. Pra, në vend të kësaj, duhet të përpiqemi ta ndryshojmë tërë konstelacionin.

Kjo kërkesë për të ndryshuar të gjithë botëkuptimin shfaqet pikërisht kur jemi duke u përballur me kërcënimin e shkatërrimit total, nëpërmjet luftës bërthamore ose një katastrofe ekologjike. Në një situatë të tillë, reagimi ynë i parë është një përpjekje mbrojtëse për të garantuar mbijetesën tonë: le të harrojmë për projekte të mëdha emancipuese që premtojnë ndryshime radikale; detyra jonë që kemi në dorë është të luftojmë për mbijetesën e asaj që kemi, me të gjitha kompromiset dhe moderimin që ajo sjell.

Por çfarë është ajo që kemi vërtet? Kërcënimi i shkatërrimit total të njerëzimit na bën të vetëdijshëm për tërësinë e njerëzimit dhe shfaqet vetëm në sfondin e potencialit të shkatërrimit tonë. Pra, zgjedhja e vërtetë nuk është midis asaj që kemi dhe humbjes së gjithckaje (ose në kushtet e Luftës së Ftohtë, midis zhvillimit të armëve bërthamore për të mbrojtur liritë tona liberale dhe braktisjen e armëve bërthamore), por duke u ekspozuar ndaj rrezikut të humbjes së lirive tona.

Sic thotë edhe Alenka Zupančiç: “zgjedhja e vërtetë është midis të humbim gjithçka dhe të krijojmë atë që po humbim: vetëm kjo mund të na shpëtojë, në një kuptim të thellë. Kur kapen në kërcënimin dhe frikën e ‘humbjes së gjithckaje’, ne në fakt mbahemi peng për diçka që ende nuk ekziston. Dhe a nuk është ky lloj shantazhi në të vërtetë mënyra e vetme për t’u siguruar që ajo kurrë nuk do të ekzistojë? Kjo na bën të përqendrohemi në ruajtjen e asaj që ekziston dhe çfarë kemi, por përjashton çdo alternativë reale dhe mjetet e të menduarit me të vërtetë ndryshe. Thirrja e zgjimit për shkak te bombës nuk është e thjeshtë ‘le të bëjmë gjithçka me fuqinë tonë për ta parandaluar atë para se të jetë tepër vonë’, por së pari të ndërtojmë këtë tërësi (unitetin, komunitetin, lirinë) që do të humbim përmes bombës.

Horizonte të reja

Aty banon shansi unik i hapur nga kërcënimi i vërtetë i shkatërrimit bërthamor (ose ekologjik, për atë çështje): Kur bëhemi të vetëdijshëm për rrezikun që ne do të humbim gjithcka, ne automatikisht kapemi në një iluzion retroaktiv, një qark i shkurtër ndërmjet realitetit dhe potencialit të tij të fshehur. Që do të thotë, ajo që ne duam të shpëtojmë nuk është realiteti i botës sonë, por realiteti siç mund të kishte qenë nëse nuk pengohej nga antagonizmat që lindën kërcënimin bërthamor.

Kjo është zgjedhja jonë e vërtetë kur ne përballemi me një kërcënim të shkatërrimit total: një zgjedhje midis një tërheqjeje paniku në vetë mbrojtje dhe angazhimi aktiv për ndryshim që synon shumë më tepër. Nëse mbledhim forcën për zgjedhjen e dytë, atëherë – në terma Hegeliane – kalojmë këtu nga “universaliteti abstrakt” (i negativitetit të lëshuar që mund të arrijë vetëm një shkatërrim global bërthamor) në “universalitet konkret” (të një rendi të ri alternativ në të cilat katastrofa të tilla nuk do të jenë më të mundshme).

Ajo që nevojitet është jo më pak se një lëvizje anti-nukleare e re dhe globale, një mobilizim mbarëbotëror që do të ushtronte presion mbi fuqitë bërthamore dhe do të vepronte në mënyrë agresive, duke organizuar protesta masive dhe bojkote. Ajo duhet të përqëndrohet jo vetëm në Korenë e Veriut, por edhe në ato superfuqi që marrin të drejtën për të monopolizuar armët bërthamore.

Në të vërtetë, përmendja shumë e madhe e përdorimit të armëve bërthamore duhet të trajtohet si një vepër penale dhe liderët që shfaqin publikisht gadishmërinë e tyre për të rrezikuar miliona jetë të pafajshme për të projektuar fuqinë e tyre duhet të trajtohen si kriminelët më të këqij. Dhe për më shumë se kaq është i nevojshëm një ndryshim global në qëndrimin tonë, atë që Peter Sloterdijk e quan “zbutja e kulturës së kafshëve të egra”.

 

Slavoj Žižek është një filozof i kulturës. Ai është një studiues i lartë në Institutin për Sociologji dhe Filozofi në Universitetin e Ljubljanës, Profesor i Shquar Ndërkombëtar i Gjermanisë në Universitetin e Nju Jorkut dhe drejtor ndërkombëtar i Institutit Birkbeck për Humanizmin në Universitetin e Londrës./ Gazeta Impakt

burimi:rt

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne