Tereza Mei arrin në Arabinë Saudite për bisedime tregtare

Në vizitën e saj të parë zyrtare në mbretëri, liderja e Britanisë së Madhe takon zyrtarët për të diskutuar për tregtinë post-Brexit

Kryeministrja britanike Tereza Mei po viziton Arabinë Saudite duke kërkuar për të siguruar investime post-Brexit nga partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe në botën arabe.

Ajo mbërriti në kryeqytetin saudit të Rijadit të martën, me çështjet ekonomike si një “prioritet” në udhëtimin e saj.

Mei takoi Sarah al-Suhaimin, kreun e shkëmbimit të aksioneve të Saudisë dhe Princin e kurorës Mohammed bin Nayef, ministrin e brendshëm të vendit dhe të parin në radhë për fronin.

Ajo do të takohet me mbretin Selman mërkurën.

Gjatë udhëtimit të saj në rajon, Mei ka thënë se ajo dëshiron të përdorë “një potencial të madh për investimet Saudite, për të siguruar një nxitje për ekonominë britanike”.

Me Britaninë që kërkon të arrijë marrëveshje të reja tregtare ndërsa përgatitet të largohet nga BE-ja, Mei i ka sytë te partnerët e vjetër në shtetet e Gjirit të pasura me energji.

Arabia Saudite është partneri më i madh tregtar i Britanisë në Lindjen e Mesme, me eksportet e mallrave dhe shërbimeve britanike në vend që arritën vlerën e më shumë se 8 miliardë $ në vitin 2015.

Rijadi është gjithashtu duke synuar rritjen e investimeve të tij të jashtme, si pjesë e një plani afatgjatë të njohur si “Vizioni 2030”, i cili synon të diversifikojë ekonominë dhe të reduktojë vartësinë nga të ardhurat e naftës.

Britania votoi për të lënë BE-në qershorin e kaluar, pas një fushate që ndau vendin. Me një rezultat të ngushtë, 52 për qind votuan për Brexit, ndërsa 48 për qind kërkuan për të qëndruar në BE. / Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne