Tërheqja e Trumpit nga Siria dhe Afganistani: Cila është axhenda e fshehur?

nga Dr, Chandra Muzaffar.

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat e tij nga Siria është shumë domethënës. Vendimi i 14 dhjetorit u pasua menjëherë nga një njoftim tjetër i Presidentii për të tërhequr një numër të konsiderueshëm ushtarësh nga Afganistani, ku SHBA ka qenë e përfshirë në një luftë që prej 17 vitesh, lufta më e gjatë në historinë e saj.

Të dy vendimet, veçanërisht ai mbi Sirinë, janë dënuar nga shumë senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ata mendojnë se vendimet e minojnë rolin e SHBA-së si një fuqi globale. Aleatët e SHBA-së si Britania dhe Franca gjithashtu i kanë kritikuar tërheqjet. Në veçanti tërheqja amerikane nga Siria e ka bërë më të lehtë për disa fuqi brenda dhe jashtë rajonit që të ushtrojnë edhe më shumë ndikim mbi politikën e atij vendi dhe tek fqinjët e tjerë në dëm të Perëndimit. Shumica e mediave ndërkombëtare argumentojnë se suksesi i SHBA-së në luftimin e terroristëve në Siri, të cilën Trumpi e citoi si arsyen për tu tërhequr, do të bëhet i pakuptimtë nëse celulat terroriste janë ende të gjalla dhe të afta për të goditur civilët. Në rastin e Afganistanit, shkurtimet e SHBA-së sipas mediave, do të përshpejtojnë qëllimin e talebanëve për të fituar kontrollin e plotë mbi vendin.

Urtesia konvencionale sugjeron se nëse SHBA-ja u afrohet ose u qëndron larg Talibanëve, ajo do të dalë fitimtare më shpejt sesa vonë. Më shumë se cdokush tjetër, prania ushtarake amerikane, fuqia e huaj në tokën afgane, e ka rritur reputacionin e talebanëve si një forcë rezistence në mesin e njerëzve të zakonshëm. Tërheqja eventuale totale e 16,000 ushtarëve amerikanë do ta lejojë popullin afgan që ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij, gjë që në një farë mase do reflektohet edhe tek fqinjët kryesorë të Afganistanit si Pakistani, Irani, Kina, India dhe Rusia.

Nëse kthehemi tani në situatën në Siri, do të kuptojmë se roli i SHBA-së në luftën kundër terrorizmit ka qenë i kufizuar. Ushtria siriane, me mbështetjen e Hezbollahut libanez, milicinë iraniane dhe ushtrinë ruse ishin kryesisht përgjegjësit kryesorë për mposhtjen e turmës së madhe terroriste në vend midis viteve 2012 dhe 2017. Në të vërtetë, shumë prova të mjaftueshme tregojnë se organizatat terroriste më të njohura, në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, u ndihmuan dhe u mbështetën nga institucionet dhe organizatat e lidhura me SHBA-në, Britaninë dhe Francën si dhe nga vende në rajon si Izraeli, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia. Përveç krijimit të rrjeteve rajonale dhe globale për të mbështetur aktivitetet e terroristëve, ata ofruan asistencë financiare, trajnime ushtarake dhe inteligjencë bazë.

Përballë këtij sfondi, fundi i operacionit ushtarak amerikan në Siri mund të përshpejtojë përpjekjet brenda vendit për të sjellë reforma shumë të nevojshme kushtetuese dhe politike që presidenti sirian Bashar al-Assad u përpoq të iniciojë që në vitin 2001. Për formulimin e këtyre reformave, ai do të duhet të punojë ngushtë me aleatët e tij, Iranin dhe Rusinë. Por në fund të ditës, do të jetë vetë populli sirian ai që do të përcaktojë fatin e kombit të pasur me histori dhe kulturë.

Shtypja e pavarësisë dhe sovranitetit të kombit sirian dhe jo luftimi i terrorizmit, ishin arsyet kryesore të ndërhyrjeve aktive dhe përfshirjeve të aktorëve të shumtë nga brenda dhe jashtë rajonit në konfliktin 7-vjeçar sirian. Thjesht qëllimi ishte të rrëzohej Bashari, mbrojtësi i sovranitetit sirian, që të arrihej ndryshimi i regjimit sipas axhendës amerikano-izraelite për tu përjetësuar hegjemonia e tyre. Trump e dalloi që para se të bëhej President se ai nuk do të ishte në gjendje ta arrinte këtë, prandaj vendosi tërheqjen e trupave.

Kjo nuk duhet të na japë përshtypjen se Trump është në një farë mënyre kundër hegjemonisë amerikano-izraelite. Politika e tij e fortë pro-Izraelit; marrëdhëniet e tij të afërta me elitën saudite; mbështetja e tij ushtarake për luftën e udhëhequr nga sauditët kundër popullit të Jemenit; qëndrimi i tij agresiv ndaj Venezuelës dhe qëndrimi i tij pasiv ndaj Kubës; vazhdimi i sanksioneve kundër Rusisë që rrjedhin nga politika amerikane në Krime dhe Ukrainë; dhe lufta e tij tregtare kundër Kinës që ka për qëllim frenimin e dinamizmit të saj ekonomik duket qartë që tregon se ai beson në fleksivitetin e fuqisë amerikane në skenën botërore. Përveç kësaj, nën Trumpin shpenzimet ushtarake amerikane kanë mbetur të larta në 610 miliardë dollarë për vitin 2017.

Cilat janë atëherë arsyet e vërteta që e shtynë Trumpin të vepronte në këtë menyrë në Siri dhe Afganistan? Në të dy vendet perspektiva e një humbjeje të afërt ishte një faktor që ndikoi në vendimin e Trumpit. Më shumë se kjo ishte kostoja financiare e luftës në të dy vendet. Është vlerësuar se në vitin 2019 lufta siriane do t’i kushtonte SHBA-së 15.3 miliardë dollarë. Shifrat janë edhe më tronditëse për Afganistanin. Me 16,000 trupa në vend, lufta i kushton taksapaguesit amerikan 45 miliardë dollarë në vit. Mes viteve 2010 dhe 2012, kur SHBA kishte 100,000 trupa në terren, lufta në Afganistan i kushtonte 100 miliardë dollarë në vit.

A do të arrijnë që analizat e ardhshme të nxjerrin konkluzionin se në tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe Afganistani, Donald Trump ka vepruar sipas instinkteve të tij të mira të biznesit?

Dr. Chandra Muzaffar është Presidenti i Lëvizjes Ndërkombëtare për një Botë të Drejtë (JUST). Ai është një bashkëpunëtor shkencor i Qendrës për Kërkime mbi Globalizmin.

burimi: globalresearch/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne