Tërmetet në Ohër, qindra kërkesa për dëmshpërblime

Qytetarët e Ohrit kanë dorëzuar më shumë se 850 kërkesa për dëmshpërblim për pasojat e tërmeteve që goditën qytetin, në fillim të korrikut.

Për dhjetëra objekte që janë më se të dëmtuara, tashmë është marrë vendimi që familjet të shpërngulen dhe për ta të kërkohet zgjidhje e përkohshme.

“Më rëndë janë dëmtuar objektet më të vjetra. Kemi diku 10-12 objekte që janë në kategorinë prej 4 deri 5 të sigurisë dhe ku ato qytetarë duhet të shpërngulen. Gjithsej janë 12 familje të kësaj kategorie, gjenden në rrugën “Jane Sandanski” dhe “8 Shtatori” dhe më shumë dëme ka në këto rrugë. Dëme ka nëpër gjithë qytetin, por edhe nëpër vendbanimet edhe atë nga kategoria e parë deri tek kategoria e pestë. Më shumë dëme ka nga kategoria 1 deri te kategoria 3” deklaroi Rade Veljanoski nga Komisioni Komunal për vlerësimin e dëmeve, shkruan Alsat M.

Si pasojë e tërmeteve, në Ohër ka oxhaqe të rrëzuara, tjegulla, çati, plasaritje të mureve dhe tavaneve. Vlerësimi për dëmet duhet të merr dritë jeshile nga Këshilli i komunës së Ohërit e më pas të dërgohen pranë Komisionit republikan për vlerësimin e dëmeve gjegjësisht pranë Qeverisë e cila më tej duhet të ndajë mjete për kompensim.

Për shkak të tërmeteve, shumë turistë sidomos vendor, periudhën e kaluar janë larguar nga qyteti i Ohrit. Nga VMRO DPMNE kanë dorëzuar amendamente për rishikimin e Buxhetit me të cilat kërkojnë subvencionim të dëmeve nga tërmetet dhe për qiradhënësit.

“Në Ohër ka gjithsej 17.000 krevate, prej të cilave 13.500 janë të qiradhënësve dhe 3500 të hoteleve. Subvencionet mesatarisht duhet të jenë 37.500 denarë për krevat apo gjithsej 10 milionë euro, shifër që duhet paguar vetëm për dëme direkte”, ka thënë Luben Arnaudov, deputet i VMRO DPMNE-së.

Lëkundja më e fuqishme prej 5,1 ballë sipas Rihterit ndodhi më 3 korrik kurse ditëve të fundit toka është qetësuar dhe nuk ka lëkundje më të mëdha.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne