Terroristë? Kultistë? Apo trimat e demokracisë? Historia e tmerrshme e MEK-ut

Ata luftuan për revolucionin iranian, pastaj për Saddam Husseinin. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dënuan dikur. Por sot, si rezultat i luftës dhe kundërshtimit të tyre ndaj Teheranit, ata janë të preferuarit e linjave të ashpra të Shtëpisë së Bardhë të Trumpit.

nga Arron Merat, The Guardian.

Mostafai dhe Robabe Mohammadi erdhën në Shqipëri për të shpëtuar vajzën e tyre. Por në Tiranë, kryeqytetin e vendit, çifti i moshës së mesme është ndjekur kudo nga dy agjentë të shërbimit sekret shqiptar. Burrat me syze i ndiqnin nga hoteli i tyre në rrugën George W Bush deri në zyrën e avokates së tyre; nga zyra e avokates në ministrinë e punëve të brendshme; dhe nga ministria përsëri në hotel.

Cifti thotë se vajza e tyre, Somayeja, po mbahet kundër vullnetit të saj nga një grup revolucionar iranian që është vendosur në Shqipëri, i njohur si Muxhahidinët e popullit të Iranit, ose MEK (Muxhahidin-e Khalq). Duke u konsideruar gjerësisht si një kult, MEK dikur ishte përcaktuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe Britania e Madhe, por kundërshtimi ndaj qeverisë iraniane ka bërë që MEK të fitojë tashmë mbështetjen e agresorëve të fuqishëm luftënxitës të administratës Trump, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton dhe sekretarin e shtetit Mike Pompeon.

Somayeh Mohammadi është njëra nga rreth 2,300 anëtarët e MEK që jetojnë brenda një baze shumë të fortifikuar që është ndërtuar në një sipërfaqe prej 34 hektarësh tokë bujqësore në veri-perëndim të Shqipërisë. Prindërit e saj, të cilët dikur ishin mbështetës të grupit, thonë se 21 vite më parë, Somayja udhëtoi me avion në Irak për të marrë pjesë në një kamp veror dhe për të vizituar varrin e tezes së saj. Ajo kurrë nuk u kthye më.

Çifti i ka kaluar dy dekadat e fundit duke u përpjekur që ta nxjerrë vajzën e tyre nga MEK, duke udhëtuar nga shtëpia e tyre në Kanada në Paris, Jordani, Irak dhe tani në Shqipëri. “Ne nuk jemi kundër asnjë grupi apo ndonjë vendi”, thotë Mostafai, duke qëndruar jashtë një restoranti qoftesh zgare në qendër të Tiranës. “Ne vetëm duam ta shohim vajzën tonë jashtë kampit dhe pa praninë e komandantëve të saj. Ajo mund të zgjedhë të qëndrojë ose mund të zgjedhë të vijë me ne. “MEK insiston se Somaya nuk dëshiron të largohet nga kampi dhe ka lëshuar një letër në të cilën ajo akuzon babanë e saj se punon për inteligjencën iraniane.

“Somayeh është një vajzë e turpshme”, thotë nëna e saj. “Njerëzit si puna e asaj ata i kërcënojnë. Ajo dëshiron të largohet, por ajo ka frikë se ata do ta vrasin. ”

Që nga largimi nga Irani në fillim të viteve 80, MEK ka qenë i angazhuar për përmbysjen e republikës islamike. Aktiviteti i tij filloi në vitet 60 si një milici studentore islamisto-marksiste, e cila luajti një rol vendimtar në ndihmën për të rrëzuar Shahun gjatë revolucionit iranian të vitit 1979.

Gjatë viteve 70 luftëtarët anti-kapitalistë, anti-imperialistë dhe anti-amerikanë vranë shumë policë të Shahut, madje shpesh herë përdorën edhe sulmet vetëvrasëse. Grupi shenjestronte hotelet, kompanitë ajrore dhe kompanitë e naftës, të gjitha në pronësi te amerikanëve dhe ishte përgjegjës për vdekjen e gjashtë amerikanëve në Iran. “Vdekje Amerikës” dhe “u shkatërroftë Amerika”, ishin nga vargjet me të njohura të këngëve më të famshme të tyre.

Sulmet e tilla ndihmuan në hapjen e rrugës për kthimin e Ayatollah Ruhollah Khomeinit, i cili shumë shpejt e identifikoi MEK-un si një kërcënim serioz për planin e tij për ta kthyer Iranin në një republikë islamike nën kontrollin e klerit. Guerilët e mirë armatosur të klasës së mesme, megjithëse të njohur në mesin e studentëve dhe intelektualëve fetarë, do të provoheshin se nuk do të binin dakord me Khomeinin.

Pas revolucionit, Khomeini shfrytëzoi shërbimet e sigurisë, gjykatat dhe mediat për të frenuar mbështetjen politike ndaj MEK-ut dhe më pas nisi ta shtypte atë tërësisht. Pas luftës, MEK u hakmor duke vrarë më shumë se 70 udhëheqës të lartë të republikës islamike, duke përfshirë presidentin dhe shefin e drejtësisë së Iranit gjatë disa sulmeve të guximshme me bomba. Khomeini urdhëroi një goditje të fortë kundër anëtarëve të MEK dhe simpatizantëve të tij. Të mbijetuarit u larguan nga vendi.

Sadam Huseini, i cili kishte nisur një luftë të përgjakshme kundër Iranit me mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, e pa vendosjen e luftëtarëve të MEK-ut në luftë kundër republikës islamike si një mundësi të mirë. Në vitin 1986, ai i ofroi grupit armë, para dhe një bazë të madhe ushtarake të quajtur Kampi Ashraf, vetëm 50 milje larg nga kufiri me Iranin.

Për pothuajse dy dekada, nën lidershipin e Massoud Rajavit, MEK ndermori sulme ndaj objektivave civile dhe ushtarake përtej kufirit në Iran dhe ndihmoi Sadamin të shtypte edhe armiqtë e tij të brendshëm. Por pas aleancës me Sadamin, i cili bombardoi pa dallim qytetet iraniane dhe përdori në mënyrë rutinore armët kimike në një luftë që i mori jetën një milion njerëzve, MEK e humbi gati të gjithë mbështetjen që kishte pasur brenda Iranit. Anëtarët tani konsideroheshin gjerësisht si tradhtarë.

I izoluar brenda bazës së tij irakiane, nën kontrollin e Rajavit, MEK u kthye në kult. Një raport i hartuar nga qeveria amerikane, bazuar në intervistat brenda kampit Ashraf, arriti në përfundimin se MEK kishte “shumë karakteristika tipike të një kulti, si kontrollin autoritar, konfiskimin e pasurisë, kontrollin seksual (përfshirë divorcin e detyrueshëm dhe beqarinë) izolimin emocional, punën e detyruar, privimin nga gjumi, abuzimet fizike dhe kufizimet në lëvizje”.

Pas pushtimit të Irakut nga ana e SHBA-së, MEK nisi një fushatë të fortë lobimi për të ndryshuar përcaktimin e vet si një organizatë terroriste – pavarësisht nga raportet që e implikonin grupin në vrasjen e shkencëtarëve iranianë bërthamorë deri para vitit 2012. Rajavi nuk është parë më në publik që nga viti 2003. Shumica e analistëve supozojnë se ai ka vdekur. Por nën udhëheqjen e gruas së tij, Maryam Rajavit, MEK ka fituar mbështetje të konsiderueshme nga personalitete në SHBA dhe nga e djathta evropiane, të etur për aleatë në luftën kundër Teheranit.

Në vitin 2009, Britania e Madhe e hoqi MEK-un nga lista si një grup terrorist. Administrata e Obamës e hoqi grupin nga lista terroriste e SHBA-së në vitin 2012 dhe më vonë ndihmoi në negociatat për zhvendosjen e tij në Shqipëri.

Në konferencën vjetore “Irani i Lirë”, që grupi organizon çdo verë në Paris, dhjetëra përfaqësues të zgjedhur të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me politikanë dhe zyrtarë ushtarakë në pension, haptazi bënë thirrje për përmbysjen e republikës islamike dhe instalimin e Merjem Rajavit si udhëheqëse e Iranit. Në tubimin e vitit të kaluar të Parisit, deputeti konservator David Amess njoftoi se, “kemi per ta arritur ndryshimin e regjimit”. Në të njëjtin event, Boltoni, i cili ka perkrahur luftën kundër Iranit shumë kohë para se të bashkohej me administratën Trump, njoftoi se priste që MEK të vinte në pushtet në Teheran para vitit 2019. “Sjellja dhe objektivat e regjimit nuk kanë për të ndryshuar prandaj e vetmja zgjidhje është që ta ndryshojmë vetë regjimin”, deklaroi ai.

Gjëja që bëri më shumë përshtypje në konferencën e këtij viti në Paris ishte një tjetër përkrahës i MEK, ish-kryebashkiaku i New Yorkut Rudy Giuliani, sot avokat i Donald Trumpit. “Mullahët duhet të shkojnë. Ajatollahu duhet të shkojnë,” i tha ai turmës. “Ata duhet të zëvendësohen nga një qeveri demokratike që përfaqësohet nga zonja Rajavi,” tha ai. Giuliani gjithashtu lavdëroi punën e “njësiteve të rezistencës” të MEK-ut brenda Iranit, të cilët sipas tij qëndronin prapa valës të kohëve të fundit të protestave mbi vështirësitë ekonomike. “Këto protesta nuk po ndodhin rastësisht. Ato janë duke u koordinuar nga shumë prej njerëzve tanë në Shqipëri,” tha ai (Giuliani, Bolton dhe i ndjeri John McCain kanë qene midis politikanëve amerikanë që kanë udhëtuar për në Shqipëri për të treguar mbështetjen e tyre për MEK-un.)

Ndërkohë në Shqipëri, MEK po përpiqet të ruajë anëtarët e vet, të cilët kanë filluar të dezertojnë. Grupi po përballet gjithashtu me një vëzhgim më të madh të mediave vendase dhe partitë e opozitës, të cilët po vënë në pikëpyetje kushtet e marrëveshjes që i solli luftëtarët MEK-ut në Tiranë.

Do të ishte e vështirë të gjeje një vëzhgues serioz, i cili të besonte se MEK ka kapacitete ose mbështetje brenda Iranit për të përmbysur republikën islamike. Por politikanët e Shteteve të Bashkuara dhe Britania e Madhe që mbështesin me zë të lartë një grup të vogël revolucionarësh të ngecur në Shqipëri po luajnë një lojë më të thjeshtë: mbështetja e MEK-ut është mënyra më e lehtë për të irrituar Teheranin. Dhe MEK nga ana tjetër është vetëm një pjesë e vogël e një strategjie më të gjerë e administratës Trump për Lindjen e Mesme, e cila synon të izolojë dhe të mbysë ekonomikisht Iranin.

Para se MEK të bëhej i preferuari i amerikanëve dhe i të djathtës evropiane, ai duhej të ndryshonte prezantimin e vetes. Demokracia, të drejtat e njeriut dhe laicizmi do të bëheshin mantra e re e grupit. Liderja Maryam Rajavi hoqi dorë nga dhuna dhe me sukses e rivendosi sektin anti-perëndimor si një qeveri demokratike pro-amerikane në pritje e sipër.

Marshimi i gjatë për të fituar respektin filloi me pushtimin e Irakut në vitin 2003. Lufta vërtet rrëzoi Saddam Husseinin, përkrahësin dhe mbrojtësin e MEK- ut por bëri që grupi të bjerë në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrtarët amerikanë të cilët së shpejti do të kërkonin municione shtesë kundër Iranit.

SHBA e kishte përcaktuar MEK-un si një grup terrorist në fund të viteve 90, si një gjest i vullnetit të mirë drejt një qeverie të re reformiste në Teheran. Kur Xhorxh W. Bush e akuzoi Saddam Hussein për “strehimin e terroristëve” në një fjalim të vitit 2002 që synonte pushtimin e Irakut, ai ishte duke iu referuar MEK-ut. Por në ditët e para të pushtimit amerikan të Irakut, pati një diskutim brenda Shtëpisë së Bardhë se çfarë duhet të bëhej me 5,000 luftëtarët e MEK-ut brenda bazës së tyre në Kampin Ashraf.

Condoleezza Rice, Sekretarja e Shtetit, argumentoi se MEK ishte në listën e organizatave terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Por personalitetet agresivë ndaj Iranit, përfshirë sekretarin e mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe zëvendëspresidenti Dick Cheney, argumentuan se MEK duhet të përdorej si një armë kundër republikës islamike, objektivi tjetër i itinerarit neokonservator për ribërjen e Lindjes së Mesme. (“Djemtë shkojnë në Bagdad, por burrat e vërtetë shkojnë në Teheran”, ishte refreni i tyre me gjysmë-shaka.)

Krahu i Rumsfeldit fitoi. Megjithëse grupi ishte ende i listuar si një organizatë terroriste, Pentagoni vendosi në mënyrë të njëanshme që luftëtarët e MEK-ut brenda kampit Ashraf të ishin “persona të mbrojtur” nën konventat e Gjenevës – zyrtarisht të çarmatosur, por të siguruar me garanci në mënyrë efektive nga forcat amerikane në Irak. Shtetet e Bashkuara po mbronin një grup të përcaktuar nga vetë SHBA si grup terrorist.

Nuk ka dyshim se personalitetet amerikanë dashamirës të luftës e konsideronin MEK-un si një armë në luftën kundër Iranit. Pikërisht në maj të vitit 2003, në të njëjtin muaj që Bush deklaroi me të madhe “misionin në Irak si të kryer”. New York Times raportoi se linja e ashpër e Pentagonit po zhvendosej për të mbrojtur MEK-un, ndoshta për ta ringritur atë më vonë si një organizatë të ardhshme opozitare kundër Iranit, disi përgjatë vijave të opozitës irakiane të përkrahur nga SHBA nën Ahmed Chalabin. Në vitin 2003, administrata Bush refuzoi një ofertë të nënshkruar nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, për të dorëzuar udhëheqësit e MEK-ut në Irak në këmbim të anëtarëve të këshillit ushtarak të al-Kaidës dhe të afërmëve të Osama bin Ladenit, të cilët ishin kapur nga Irani ndërsa ata po futeshin në Afganistan pas 11 shtatorit.

Ndërsa pushtimi i Irakut nën Shtetet e Bashkuara mori formën e një luftë civile, e djathta amerikane gjithnjë e fajësonte Iranin për shpërbërjen e vendit. Politikanët e lartë bënin thirrje hapur për bombardimin e republikës islamike, sidomos pas rritjes së panikut mbi programin bërthamor të Iranit, ekzistenca e së cilit ishte ekspozuar për herë të parë nga MEK, grup të cilin BBC e quajti “një grusht shteti propagandistik”. (Shume ekspertë thanë se ishte shërbimi sekret izraelit, Mossadi, ai që i’a kishte kaluar MEK-ut këto dokumente mbi programin bërthamor të Iranit.) Nga viti 2007, mediat amerikane njoftuan se Bush kishte nënshkruar një direktivë të klasifikuar që autorizonte “veprime të fshehta” brenda Iranit.

Mes viteve 2007 dhe 2012, shtatë shkencëtarë bërthamorë iranian u sulmuan me bomba helmuese dhe bomba magnetike të ngjitura nëpër makinat e tyre ngamotoçiklistët; pesë u vranë. Në vitin 2012, duke përmendur dy zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, NBC news raportoi se sulmet ishin planifikuar nga agjencia izraelite e inteligjencës dhe ishte zbatuar nga agjentët e MEK-ut brenda Iranit. Një zëdhënës i MEK-ut e quajti këtë një “pretendim të rremë, burimi i vertetë i të cilit ishte regjimi i mullahëve”.

Ishte kjo kohë kur MEK filloi të punonte për të ribërë imazhin e tij në perëndim. Grupet e lidhura me MEK ndihmonin me donacione për fushatat politike ndërsa Uashingtoni i mbulonte me reklama dhe paguante për ndikimin politik në perëndim për të përfituar analistë dhe fjalime përkrahëse si dhe lobonte për largimin e tij nga lista e organizatave terroriste.

Një listë jashtëzakonisht e gjatë e politikanëve amerikanë nga të dy krahët u paguan me tarifa të larta për të folur në favor të MEK-ut, përfshirë Giulianin, John McCainin, Newt Gingrichin dhe ish-liderët e partisë Demokratike Edward Rendell dhe Howard Dean, së bashku me ish-krerët e FBI-së dhe CIA-s. John Boltoni, i cili ka bërë shumë paraqitje në ngjarjet që mbështesin MEK-un, vlerësohet të ketë marrë mbi 180,000 dollarë. Sipas disa zbulimeve, Bolton u pagua me 40,000 dollarë për një paraqitje të vetme në tubimin Free Iran në Paris në vitin 2017.

Në tre vitet e fundit, një dorë e mire politikanësh të Mbretërisë së Bashkuar kanë marrë pjesë në më shumë se dy nga tubimet e MEK-ut në Paris, përfshirë konservatorët Bob Blackman dhe Matthew Offord si dhe deputetët laboristë Roger Godsiff dhe Toby Perkins. Deputeti Konservator dhe ish-ministrja Theresa Villiers kanë marrë pjesë në dy eventet e fundit të Parisit. Njësoj ka marrë pjesë edhe David Amess, deputeti konservator për Southend West, zëri më i fortë dhe më i zhurmshëm pro MEK-ut në parlamentin e Britanisë së Madhe, i cili gjithashtu ka udhëtuar për në SHBA për të folur enkas në një tubim tjetër në mbështetje të grupit. (Të gjithë deputetët nuk kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet rreth pjesëmarrjes së tyre.)

Të pranishmit e tjerë britanikë në tubimin e këtij viti në Paris ishin edhe tre kolegë dhe pesë ish-deputetë, përfshirë Mike Hancock, i cili dha dorëheqjen nga liberal demokratët pasi pranoi se kishte kryer në mënyrë të papërshtatshme një emrim dhe Michelle Thomson i cili u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2015 për një polemikë mbi marrëveshjet e pronës. Ish-peshkopi i Oksfordit, John Pritchard, ishte gjithashtu atje, duke mbajtur një peticion në mbështetje të MEK nënshkruar nga 75 peshkopë, përfshirë ish-Kryepeshkopin e Canterbury, Rowan Williams.

Në eventin e këtij viti, rrethuar me flamurët britanikë dhe sloganet për ndryshimin e regjimit, Villiers foli për rëndësinë e të drejtave të grave, falënderoi Maryam Rajavin, e cila e ka të ndaluar që të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai premtoi mbështetje për “kauzën e saj” në përpjekjen për të krijuar “një Iran i cili të jetë i lirë nga represioni brutal i mullahëve”. Në një performancë të pregatitur mirë, Rajavi hodhi lule, foli dhe shkroi disa mesazhe në librin e madh të martirëve të MEK-ut. “Ka ardhur koha për përmbysjen e regjimit,” tha ajo. “Fitorja është e sigurt dhe Irani do të jetë i lirë”.

Një ditë pas konferencës, MEK akuzoi Teheranin për komplotimin e një sulmi me bombë kundër ngjarjes. Pas arrestimit të katër personave të dyshuar në Belgjikë, Gjermani dhe Francë, duke përfshirë edhe një diplomat iranian të paidentifikuar, Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e Iranit dhe i përshkroi akuzat si një “dredhi flagrante sulmesh të rreme”.

Edhe pse MEK ka grumbulluar me sukses aleatë politikë në perëndim, struktura e tij e dikurshme e Irakut u shkatërrua me largimin e trupave amerikane. Mes viteve 2009 dhe 2013, forcat irakiane të sigurisë e sulmuan bazën e MEK-ut të paktën dy herë, duke vrarë rreth 100 vetë. Nuri al-Maliki, atëherë kryeministër i Irakut, ambasadori i të cilit në SHBA e quajti grupin “asgjë më shumë se sa një kult”, këmbënguli që grupi të largohej nga vendi.

Daniel Benjamin, i cili atëherë ishte kreu i antiterrorizmit në departamentin e shtetit, më tha se SHBA vendosi ta hiqte MEK-un nga lista e organizatave të huaja terroriste jo sepse besonte se grupi e kishte braktisur dhunën, por për të shmangur eleminimin e tyre nëse ata mbeteshin në Irak. Pasi MEK nuk u përcaktua më si grup terrorist, SHBA ishte në gjendje që ta bindë Shqipërinë që të pranojë 2.700 anëtarët e mbetur të cilët u sollën në Tiranë në një seri fluturimesh çarter mes viteve 2014 dhe 2016.

Grupi bleu tokë në Shqipëri dhe ndërtoi një bazë të re. Por lëvizja nga Iraku në Shqipërinë e sigurt ka sjellë një valë dezertimesh. Ata qe kishin mundesi u larguan nga vendi për në BE dhe SHBA, por rreth 120 të larguar të kohëve të fundit nga MEK po qëndrojnë në Tiranë pa të drejtë për tu punësuar ose për të emigruar. Kam folur me rreth një duzinë dezertorësh, gjysma e të cilëve janë akoma në Shqipëri. Më thanë se komandantët e MEK-ut abuzojnë sistematikisht me anëtarët për ti heshtur në mospajtimet që kanë dhe për të parandaluar dezertimet. Për te arritur këto ata përdorin torturat, izolimet, konfiskimin e pasurisë dhe ndarjen e familjeve për të ruajtur kontrollin mbi anëtarët. Në përgjigje të këtyre pohimeve, një zëdhënës i MEK-ut tha: “Individët që përshkruhen si ‘ish-anëtarë’ po përdoren si pjesë e një fushate demonizuese kundër MEK-ut”.

Dëshmitë e këtyre dezertorëve të kohëve të fundit janë shoqëruar edhe me raportet e mëparshme të grupeve të tilla si Human Rights Watch, e cila ka raportuar sipas dëshmive të ish-anëtarëve mbi “rrahjet, abuzimet verbale dhe psikologjike, veprimet e detyruara, kërcënimet me ekzekutime dhe torturat, ku në disa raste kanë shkaktuar edhe vdekje”.

MEK u ngrit si një Lëvizje Çlirimtare e Iranit, një “opozitë besnike”, demokratiko-islamike e themeluar në vitin 1961 nga mbështetësit e Mohammad Mossadekut, kryeministrit që u rrëzua në një grusht shteti të vitit 1953, orkestruar nga Britania dhe SHBA. Lëvizja bënte thirrje për sovranitet kombëtar, liri të veprimtarisë politike dhe ndarjen e xhamisë nga shteti. MEK u nda nga këto parime, por iu përgjigj me forcë represionit në rritje të Shahut gjatë viteve 60 dhe 70.

Në atë kohë, anëtarët e MEK-ut të cilët ishin kryesisht studentë idealistë të klasës së mesme, e kombinuan islamizmin me doktrinën marksiste. Ata i riinterpretuan pasazhet e Kur’anit që besimi i tyre Shia të shoqërohej me veprimtaritë sociale të prodhimtarisë, eleminimin e sistemit të klasave dhe promovimin e përpjekjeve të pakicave etnike të Iranit. Të ndikuar nga mendimet e Frantz Fanonit dhe Régis Debrayit, ata shprehën solidaritet me lëvizjet çlirimtare kombëtare në Algjeri, Kubë, Palestinë dhe Vietnam. Duke cituar pamfletin e famshëm të Leninit, MEK parashtronte pyetjen: “Çfarë duhet bërë?” “Përgjigjja jonë është drejt e përpara”, shkruante MEK lidhur me “Luftën e armatosur”.

Rajavi ishte midis 69 anëtarëve të MEK-ut që u gjykuan në vitin 1972 nga një gjykatë ushtarake për komplotim të akteve terroriste. “Klasa në pushtet është në shtratin e vdekjes,” i tha ai gjykatës. Kur prokurori e ndërpreu atë për ta pyetur se përse kishte blerë armë, Rajavi u përgjigj: “Per tu merrë me persona si ti”.

Nga 11 anëtarë të komitetit qendror të MEK-ut të gjykuar në vitin 1972, nëntë u ekzekutuan menjëherë ndërsa njëri ngeli në burg. Kur Rajavi doli nga burgu në vitin 1979, tre javë përpara revolucionit iranian, ai ishte udhëheqësi i padiskutueshëm i grupit rebel më vdekjeprurës të Iranit.

MEK luajti një rol të rëndësishëm në revolucionin e vitit 1979, duke kapur pallatin perandorak dhe duke bërë shumë nga luftimet për të neutralizuar policinë dhe ushtrinë. Dy ditë pas revolucionit, Massoud Rajavi, i cili atëherë ishte 30 vjeç, u takua me udhëheqësin suprem 77-vjeçar. Ata nuk ranë dakord me njëri tjetrin. “Takova Khomeinin,” i tha Rajavi një gazetari në vitin 1981. “Ai me zgjati dorën për t’ia puthur por unë nuk pranova. Që atëherë, ne kemi qenë armiq”.

Khomeini e pa MEK-un si një kërcënim për fuqinë e tij dhe e ndaloi Rajavin që të garonte për president. Organizatën e tij e cilësoi si armike të Islamit. Anëtarët e armatosur të Korpusit të sapo krijuar të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i ndaluan eventet e MEK-ut, dogjën literaturën dhe i rrahën anëtarët e tij. Pa ndonjë pushtet politik, MEK u mbështet tek protestat në rrugë. Qindra mijëra iranianë morën pjesë në tubimet e tyre, të cilat u ndaluan shumë shpejt nga gjykatat.

Në përgjigje, MEK dhe presidenti Abolhassan Banisadr, i cili gjithashtu ishte antagonist ndaj Khomeinit, organizuan dy ditë protesta në 30 qytete duke e detyruar Khomeinin që të dilte në televizion për të ripërsëritur ndalimin. MEK, tha ai, “është duke bërë luftë kundër Zotit”. Klerikët e tjerë paralajmëruan se demonstruesit do të qëlloheshin drejt. Më 20 qershor 1981, MEK organizoi një protestë masive prej gjysmë milioni njerezish në Teheran me qëllim që të nxiste një revolucion të dytë. Klerikët ishin të vërtetë me fjalët e tyre: 50 demonstrues u vranë dhe 200 mbetën të plagosur. Banisadri u largua nga posti dhe u ndoq me një valë ekzekutimesh.

Gjatë muajve dhe viteve të ardhshme, dhuna u përshkallëzua. Khomeini bllokoi mijëra mbështetës të MEK-ut, ndërsa lojalistët e tij nisën valët e dhunës kundër anëtarëve të MEK-ut dhe simpatizantëve.

Deri në dhjetor, regjimi kishte ekzekutuar 2,500 anëtarë të MEK-ut. Grupi u hakmorr me një seri vrasjesh dhe shpërthimesh vetëvrasëse kundër udhëheqësve gjatë lutjeve të së premtes, gjyqtarëve të gjykatave revolucionare dhe anëtarëve të IRGC. “Unë jam i gatshëm të vdes për të ndihmuar ardhjen e një shoqërie pa klasa; për të mbajtur gjallë traditën tonë revolucionare; dhe për t’u hakmarrë për kolegët tanë të vrarë nga ky regjim gjakatar dhe reaksionar,” shkruante një luftëtar i MEK, Ebrahimzadeh, i cili vrau 13 pjesëtarë të IRGC dhe Ayatollah Sadduqin, këshilltarin e ngushtë të Khomeinit, duke shpërthyer një granatë gjatë një sulmi vetëvrasës në korrik të vitit 1982.

Nga mesi i viteve 80, mijëra njerëz të etiketuar si anëtarë të MEK u ekzekutuan në betejat e rrugës nga Republika Islamike e Iranit.

Kjo ishte koha kur Rajavi pranoi ofertën e Sadamit për të luftuar Iranin nga Iraku. Gjatë disa viteve të ardhshme, Rajavi nisi një “revolucion ideologjik”, duke ndaluar martesat dhe duke zbatuar divorcin e detyrueshëm “të përjetshëm” për të gjithë anëtarët, të cilët ishin të detyruar të ndaheshin nga bashkëshortët ose bashkëshortet e tyre. Ai vetë u martua me njërën prej të divorcuarave e quajtur Maryam Azodanlu, e cila u bë në fakt shefja kryesore e shtabit të tij dhe mori emrin e tij.

Për Sadamin, MEK, me tepër se një mjet i dobishëm ishte një mjet i disponueshëm në luftën e tij kundër Iranit. MEK, megjithatë, ishte plotësisht i varur nga udhëheqësi irakian. Përveç parave dhe armëve ai i dërgoi Rajavit të burgosur të luftës iraniane si rekrutë të rinj. “E gjithë bota ishte Kampi Ashraf”, tha Edward Tramado, një nga këta të burgosur, duke kujtuar indoktrinimin e tij. “Asgjë tjetër nuk kishte ndonjë kuptim për mua”, kujton Tramado, i cili tani jeton në Gjermani. “Isha duke jetuar në një botë të çuditshme. Edhe pse e dija se kisha një nënë që më priste, e gjithë bota ime ishte bërë ajo që kishin ndërtuar ata për mua.”

Në korrik 1988, gjashtë ditë pas armëpushimit që zyrtarisht i dha fund luftës Iran-Irak, MEK nisi një mision vetëvrasës thellë në territorin iranian, të quajtur operacioni Drita e Përjetësisë. Edhe një herë, Rajavi parashikoi se veprimet e tij do të nxisnin një revolucion tjetër. “Do të jetë si një ortek,” u tha Rajavi luftëtarëve që po i dërgonte drejt vdekjes. “Ju nuk keni nevojë të merrni ndonjë gjë me vete. Ne do të jemi sikurse peshqit që notojnë në një det njerëzish. Ata do t’ju japin gjithçka që ju nevojitet. ”

Misioni do të përfundonte në një masakër: luftëtarët fatkeqë te MEK-ut u joshën në një pritë të ushtrisë iraniane, gjë që i shtypi ata me një përpjekje minimale. Një ushtar iranian që mori pjesë në atë operacion, ma përshkroi atë kohët e fundit. Mehradi, i cili mori pjesë vullnetarisht në vitin 1987 në moshën 15 vjeçare, kujton se divizioni i tij, i cili kishte luftuar kundër ushtarëve të Irakut në pjesën jugore, u kthye në veri në korrik 1988 për të penguar sulmet e reja nga Iraku. Divizioni i tij u dërgua në një vend afër qytetit Kermanshah, rreth 110 kilometra larg kufirit me Irakun. Mehrad dhe ushtarët e tjerë u çuditën kur dëgjuan se ushtarët e armikut kishin arritur të bënin një avancim kaq thellë brenda në territorin iranian. “Fillimisht menduam e ushtria jonë ishte dorëzuar,” tha ai.

Me të mbërritur Mehradi zbuloi se armiku kishte qënë MEK të cilin po e drejtonin drejt një kurthi. “Strategjia e tyre ushtarake ishte shumë e trashë,” më tha ai. “Ata po kalonin anës rrugës së Teheranit. Ishte sikur ushtria franceze të donte të pushtonte Anglinë dhe ata thjesht të udhëtonin anës autostradës nga Doveri në Londër”.

“Shumë shpejt i vramë mijëra prej tyre,” tha Mehrad. “Në të dy anët e rrugës kishte grumbuj trupash. Ajo që ishte interesante për ne ishte se shumë prej tyre ishin gra. “Disa nga anëtarët e MEK-ut pinë cianid në vend që të kapeshin të gjallë. MEK më pas pohoi se 1,304 prej anëtarëve të tij u martirizuan dhe 1,100 u kthyen në Irak të plagosur.

Të mbijetuarit u gjetën shumë shpejt dhe u ekzekutuan në vend; Mehradi pa qindra të varur nëpër trekëmbësha të ngritur në qytetin e afërt të Eslamabadit. Sulmin e dështuar Khomeini e përdori si pretekst për ekzekutimin masiv të mijëra anetarëve të MEK-ut dhe majtistëve të tjerë në burgjet iraniane. Amnesty vlerëson se më shumë se 4,500 njerëz u vranë, ndërsa disa burime thonë se numëri ishte edhe më i lartë.

Drita e Përjetësisë shënoi një pikë kthese të madhe për MEK. Brenda telave me gjemba të kampit Ashraf, realitetit të turbullt të mërgimtareve po i vinte fundi. Anëtarësime të reja nuk kishte më nën udhëheqjen paranojake të Rajavit. Shumë nga ish-anëtarët më thanë se pas disfatës së përgjakshme, Massoud Rajavi filloi ta paraqesë veten si përfaqësues i Mehdiut, Imamit të 12-të, i cili ishte “fshehur” në shekullin e 9-të, që sipas shiave iranianë do të kthehet së bashku me Jezusin për të sjellë paqe dhe drejtësi në botë.

Jashtë kampit Ashraf, MEK vazhdoi të zhvillonte sulme ndërkufitare kundër Iranit dhe ndihmoi Sadamin që të shtypte kryengritjet kundër sundimit të tij pas disfatës së tij nga SHBA në luftën e Gjirit në vitin 1990. Në mars të vitit 1991, Saddami e ngarkoi MEK-un që ta ndihmojë për shuarjen e lëvizjes së armatosur për pavarësinë kurde në veri. Sipas New York Times, Maryam Rajavi u tha luftëtarëve të saj: “Merrini kurdët para nën tanket tuaja dhe ruajini plumbat për gardën revolucionare iraniane”. MEK e mohon me forcë se ka marrë pjesë në fushatat e Sadamit për të mposhtur rebelimet shia dhe kurde, por një tribunal irakien për të drejtat e njeriut i ka paditur udhëheqësit e MEK për rolin e tyre në shtypjen e kryengritjeve.

Karwan Jamal Tahir, përfaqësuesi i lartë i qeverisë rajonale të Kurdistanit në Londër, ishte një luftëtar i peshmergave kurdë në vitin 1991. Ai më tha se e kujton se si MEK hyri në qytetin Kalar, rreth 150 kilometra në jug-lindje të Kirkukut, sapo Sadami kishte humbur kontrollin e veriut të Irakut pas luftës së parë të Gjirit. “Ata erdhën me tanket e Sadamit”, tha ai. “Ne menduam se ata ishin kurdë peshmerga që po ktheheshin sepse tanket ishin të mbuluar me portrete të udhëheqësve kurdë … por ata hapën zjarr në qytet … Ishte një mizori e madhe”.

Në dekadën që pasoi, MEK vazhdoi të luftojë kundër Iranit. Në vitin 1992, grupi nisi sulme të njëpasnjëshme ndaj misioneve diplomatike iraniane në 10 vende, përfshirë misionin e përhershëm të Iranit në OKB në Nju Jork, i cili u pushtua nga pesë burra të armatosur me thika. MEK gjithashtu kreu edhe aksione më individuale. Në vitin 1998, një vrasës ekzekutoi Asadollah Lajevardin, ish drejtuesin e burgut Evin, i cili personalisht kishte mbikëqyrur ekzekutimet e mijëra anëtarëve të MEK-ut.

Të kthehemi përsëri në Kampin Ashraf. Komandantët e MEK filluan tu thoshin anëtarëve të lëkundur që nëse iknin do të përballeshin me vdekje të sigurta nga duart e Saddamit ose të autoriteteve iraniane. “Ne ishim larg botës”, më tha një anëtar, i cili sapo kishte dezertuar pas zhvendosjes së MEK-ut në Shqipëri. “Nuk kishim asnjë informacion. Asnjë televizion apo radio. “Në vend të kësaj, brenda kampit, ata kishin televizionin Mojahedin, i cili gjatë gjithë ditës transmetonte fjalime të Maryam dhe Massoud Rajavit”.

Rajavi u tha ithtarëve të tij se dështimi i Dritës së Përjetësisë nuk kishte qenë gabim ushtarak, por kishte erdhur si pasojë e mendimeve të rrënjosura të anëtarëve për bashkëshortët e tyre, ku dashuria e fshehur ua kishte larguar vullnetin për të luftuar. Në vitin 1990, të gjitha çiftet brenda kampit u urdhëruan të divorcoheshin dhe gratë i zëvendësuan unazat e tyre të martesës me varëse me fytyrën e gdhendur të Mesoudit. Bashkëshortët u ndanë dhe fëmijët e tyre u dërguan për t’u “adoptuar” nga përkrahësit e MEK-ut në Evropë.

Komandantët e MEK-ut filluan të kërkonin që të gjithë anëtarët publikisht të rrëfenin dhe zbulonin mendimet e tyre të çoroditura seksuale. Manouchelur Abdi, një 55 vjeçar, i cili gjithashtu e la MEK-un në Shqipëri, më tha se seancat e rrëfimeve bëheshin çdo mëngjes. Edhe ndjenjat e dashurisë dhe të miqësisë ishin të jashtëligjshme, thotë ai. “Mu desh të tregoja se më mungonte vajza ime”, thotë ai. “Ata filluan të më bërtisnin. Filluan të më poshtëronin. Ata më thoshin se familja ime ishte armiku dhe ndjenjat e mia për atë e forconin dorën e mullahëve në Teheran. ”

Një tjetër i sapo larguar i kohëve të fundit, Aliu (jo emri i tij i vërtetë) më tregoi shenjat e plagëve në krahë dhe këmbë nga ato që ai i përshkroi si javë torturash pasi ai u bashkua fillimisht me grupin në fillim të viteve 90, duke përfshirë edhe torturat me djegie cigaresh në krahët e tij. Kur gjithshka mbaroi, ai u çua në Bagdad për të takuar udhëheqësin. “Ata na futën në një sallë të madhe. Massoud Rajavi ishte ulur atje me një grup grash,” kujton Aliu. “Nëse dikush prej jush i thotë një fjalë një personi … Një fjalë, dhe nëse ndonjë nga këto ekspozohet, arrin ne veshët e tjetrit, ose nëse flisni për largimin, do të dorëzoheni tek shërbimi i inteligjencës së Sadamit, menjëherë.”

Batoul Soltani iu bashkua MEK-ut në vitin 1986 me burrin dhe vajzën e saj të mitur. Në fillim familja e saj ishte në gjendje të jetonte së bashku, por në vitin 1990, ajo thotë se ishte e detyruar të divorcohej dhe të hiqte dorë nga vajza e saj pesëvjeçare dhe djali i porsalindur, të cilët u dërguan jashtë vendit për t’u rritur nga simpatizantët e MEK. Soltani pretendon se ajo ishte detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me Massoud Rajavin në shumë raste, duke filluar nga viti 1999. Ajo thotë se rasti sulmues i fundit ishte në vitin 2006, vit kur ajo u arratis nga Kampi Ashraf dhe një kohë kur Rajavi nuk ishte parë në publik për tre vjet me radhë. Kur kohët e fundit fola me atë, Soltani akuzoi Maryam Rajavin se e ndihmonte Massoudin kur ai abuzonte me anëtaret e MEK-ut përgjatë viteve. “[Massoud] Rajavi mendonte se e vetmja thembër e akilit [për luftëtaret femra] ishte gjinia e kundërt,” më tha Soltani. “Ai do të thoshte se arsyeja e vetme për të cilën gratë do të më linin ishte burri. Keshtu që un i dua të gjitha zemrat tuaja.”

Soltani, e cila ishte një nga tre gratë që folën për abuzimet seksuale brenda MEK-ut në një dokumentar televiziv të transmetuar në televizionin iranian ne vitin 2014, pretendoi se Rajavi kishte qindra gra “bashkeshorte” brenda kampit.

Një tjetër ish anëtare, Zahra Moini, e cila kishte shërbyer si truprojë për Maryam Rajavin, më tha se femrat kërcënoheshin me dënime nëse nuk i divorconin burrat, në menyrë që të martoheshin me Massoudin. “Maryami ishte e përfshirë në këto abuzime seksuale. Ajo u lexonte zotimet gjatë prishjes se martesave,” tha Moini, në një intervistë telefonike nga Gjermania.

“Ato që nuk pranonin të martoheshin do të zhdukeshin. Mua më thanë se nëse nuk do ta shkurorëzoja [burrin], do të përfundoja në burgun Ramadi dhe do të duhej të flisja me gjeneralët irakianë çdo natë. “(Në përgjigje të pyetjeve lidhur me këto akuza, një zëdhënës i MEK-ut tha: “Makineria e propagandës së mullahëve ka prodhuar kundër rezistencës dhe udhëheqësit të saj, shpifje lidhur me abuzimet seksuale për 40 vitet e fundit.”)

Dy dezertore të tjera, Zahra Bagheri dhe Fereshteh Hedayati, kanë pohuar se u është dhënë histerektominë pa pëlqimin e tyre në spitalin e kampit Ashraf, me pretekstin se do perdorej per operimet e disa sëmundjeve të vogla. Në gjuhën ideologjike të çuditshme të grupit, këto procedura ishin nje tregues se viktimat përfaqësonin “kulmin” e besnikërisë ndaj udhëheqësit të tyre. Hedayati, e cila i mbijetoi masakrës së operacionit Drita e Përjetësisë, u bashkua me MEK-un në vitin 1981, kur ishte 22 vjeçe, sëbashku me burrin e saj i cili gjendet ende brenda grupit. “Ata më thanë se kisha një kist dhe ma hoqën mitren”, tha ajo. “Më thanë se kjo do të thoshte se kisha një lidhje edhe më të fortë me udhëheqësin ideologjik. “Hedayati, i cili u largua nga grupi kur ishte në Irak dhe që tani jeton në Norvegji, thotë se ajo asnjëherë nuk ishte abuzuar seksualisht, por thotë se i është bërë lavash truri nga grupi për të divorcuar bashkëshortin e saj. Ajo pretendon se më shumë se 100 gra të tjera janë sterilizuar nga mjekët e MEK. “Unë gjithmonë pyes veten se përse e kanë bërë këtë ndaj nesh,” tha Bagheri. “Natyrisht, për të na e humbur të ardhmen tonë.”

Qe nga përpjekja e saj për të shpëtuar në vitin 2001 deri tek largimi i saj nga MEK në vitin 2013, Hedayati thotë se ka qene subjekt i një trajtimi jashtëzakonisht të ashpër prej komandantëve të saj. “Ata thoshin se isha lezbike”, thotë ajo. “Ata më pështynin, më rrahnin, më mbyllnin. Më futën në burg, në izolim.”

Shqipëria me sa duket i pranoi anëtarët e MEK-ut për arsye humanitare, por udhëheqësit e vendit mund të kenë dashur të përfitojnë favorizime nga qeveria amerikane, e cila ishte përballur deri atëherë me oferta të refuzuara nga shtetet e tjera evropiane. “Ata ishin të vetmit që mund t’i pranonin,” thotë Daniel Benjamin, ish-zyrtar i departamentit të shtetit.

Olsi Jazexhi, një profesor i historisë në Universitetin e Durrësit, kritik ndaj vendimit të qeverisë për të pranuar luftëtarët e MEK-ut, thotë se politikanët shqiptarë shpresonin se marrëveshja do ta bënte SHBA-në që të mbyllte njërin sy ndaj korrupsionit të tyre. “MEK ishte një kartë që u jepte atyre mundësira në Shtetet e Bashkuara”, tha ai. “Ata mendonin se duke pranuar MEK-un, amerikanët do ti linin rehat në punët e tyre.” (Një kabllogam i departamentit amerikan të shtetit i vitit 2009, i publikuar nga WikiLeaks thoshte se të tria partitë kryesore të vendit “kishin deputetë të lidhur me krimin e organizuar … një realitet i besuar dhe i mbështetur gjërësisht edhe nga raportimet mediatike te cilat kanë thënë se edhe parlamenti i ri ka deputetë që kanë qenë ish trafikantë droge dhe pastrues parash.”)

Për administratën Trump, MEK është një aset i vlefshëm në konfliktin e përshkallëzuar rajonal midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Këtë verë, Trump papritmas u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe njoftoi për sanksione të reja, duke shkaktuar një kolaps të monedhës dhe katër muaj protesta sporadike në Iran. SHBA ka rivendosur sanksione të ashpra këtë javë, duke synuar eksportet iraniane të naftës dhe bankat. Por strategjia e Trumpit për Lindjen e Mesme ka dalë në një këndvështrim të ri pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi nga agjentët sauditë në Stamboll, e cila ka shkaktuar një reagim kundër princit të kurorës, Mohammed bin Salman dhe aleatëve të tij në administratën Trump.

Për shumicën e kohës në mërgim, MEK ishte financuar nga Sadami. Pas rënies së tij, grupi thotë se ka siguruar para nga organizatat iraniane të diasporës dhe donatorët individualë. MEK gjithmonë ka mohuar se është financuar nga Arabia Saudite, por ish-shefi i shërbimit sekret të Arabisë Saudite, Princi Turki al- Faisal, bëri bujë kur mori pjesë në tubimin e grupit në vitin 2016 në Paris ku bëri thirrje për rëzimin e regjimit iranian.

“Nuk ka dyshim që paratë vijnë nga sauditët”, thotë Ervand Abrahamian, profesor i universitetit City University në Nju Jork dhe autor i një pune akademike mbi historikun e grupit MEK. “Nuk ka asnjeri tjetër që të mund t’i subvencionojë ata me këtë nivel të tillë financiar”.

Analistët pajtohen se MEK-ut i mungon kapaciteti ose mbështetja për të përmbysur qeverinë iraniane, siç do ta pranonte edhe Boltoni dhe Pompeo. “Ata ndoshta janë mëse të qartë se ky grup nuk është demokratik dhe gjithsesi nuk ka asnjë ndikim brenda Iranit”, thotë Paul Pillar, i cili i ka shërbyer CIA-s për 28 vjet, duke përfshirë një periudhë si analist i lartë i agjencisë kundër terrorizmit. Trump dhe luftënxitësit e tij kundër Iranit, thote Pillar, nuk duan më shumë zëvendësimin e regjimit aktual sesa duan shkatërrimin e vendit. “Ata po ndjekin cdo rrugë që do të conte në prishjen e rendit politik në Iran, në mënyrë që ata dhe presidenti të mund të citojnë një rezultat të tillë si një fitore e supozuar pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhte më pas”.

Sipas Hassan Heyranit, një dezertori të kohëve të fundit nga MEK, puna kryesore e grupit në Shqipëri përfshinte luftën në internet për të përshkallëzuar më tej luftën e informimit midis Iranit dhe rivalëve të tij. Heyrani, i cili u largua nga MEK verën e kaluar, thotë se ka punuar në një skuadër të madhe të përbërë prej 1,000 personash brenda kampit shqiptar, të cilët kryenin postime pro propagandës anti-iraniane të Rajavit në gjuhën angleze, frënge dhe arabe, në Facebook, Twitter, Telegram dhe në seksionet e komenteve të gazetave.

“Ne kemi punuar nga mëngjesi deri në darkë me llogarira të rreme”, thotë ai. “Ne na vinin prej komandantëve çdo ditë urdhra që ata na i lexonin. “Është detyra juaj që të promovoni këtë senator, këtë politikan apo te shkruani kundër atij gazetari që shkruan kundër Iranit”. Atyre u thonim: “Faleminderit, populli iranian ju mbështet dhe Maryam Rajavi është udhëheqësja e ligjshme”, por nëse kishte lajme negative për MEK-un, ne do të postonim “Ju jeni mercenarë të regjimit iranian, nuk jeni zëri i popullit iranian dhe nuk e doni lirinë për Iranin”. “Një zëdhënës i MEK-ut i quajti këto pretendime “një gënjeshtër tjetër” e sajuar për të mbështetur ministrinë e jashtme iraniane.

Sipas Marc Owen Jones, një akademiku i cili studion reagimet robotike politike të fabrikuara në mediat sociale, me mijëra llogari të dyshimta në Twitter u shfaqën në fillim të vitit 2016. Sipas tyre vendndodhja ishte Irani. Ata shkruanin për të drejtat e njeriut në llogaritë e tyre dhe përkrahnin Trumpin dhe MEK-un. Këto llogari, thotë Jones, u krijuan në grupe dhe promovonin retorikën anti-iraniane të Trumpit duke përdorur hashtagët #IranRegimeChange, #FreeIran dhe #IstandwithMaryamRajavi.

Gazetarët shqiptarë thonë se MEK, i cili ka kontakte të ngushta me politikanët e lartë dhe shërbimet e sigurisë, vepron pa u ndëshkuar brenda Shqipërisë. Ylli Zyla, i cili shërbeu si kreu i inteligjencës ushtarake shqiptare nga 2008 në 2012, akuzon MEK-un për shkelje të ligjeve shqiptare. “Anëtarët e kësaj organizate jetojnë në Shqipëri si pengje,” më tha ai. Kampi i tij, tha ai, ishte jashtë juridiksionit të policisë shqiptare dhe brenda kishte një dhunë të jashtëzakonshme psikologjike dhe kërcënime me vrasje”.

Ish anëtarët e akuzojnë MEK-un si përgjegjës për vdekjen në muajin qershor të Malek Shara’it, një komandant i lartë i cili u gjet i mbytur nga zhytësit e policisë në fund të një rezervari afër bazës shqiptare të grupit. Motra e Shara’it, Zahra Shara’i, tha se familja e tij kishte marrë lajme nga ish-anëtarët se Malek ishte gati të ikte dhe thotë se MEK ishte përgjegjës për vdekjen e tij. “Unë jam armiku i tyre dhe nuk do të pushoj derisa të hakmerrem”, tha ajo për the Guardian nga Irani. MEK tha se Shara’i u mbyt në përpjekje për të shpëtuar një tjetër anëtar nga mbytja. Policia shqiptare tha se vdekja nuk ishte e dyshimtë.

Ndërsa një pjesë e dezertorëve janë kontrabanduar me mjete të ndryshme jashtë vendit për në BE, shumë ish-anëtarë jetojnë pa asnjë gjë në Tiranë. Shteti shqiptar nuk i ka dhënë anëtarëve të MEK-ut ose dezertorëve te tij të drejtat e refugjatit, ndërsa një pagë prej 30,000 lekësh (£215) që u jepej nga Kombet e Bashkuara u pre në datën 1 shtator. “Ata kanë ngecur,” thotë Jazexhi, i cili ka punuar për të mbështetur dezertorët. “Ata nuk dinë gjuhë, nuk i njohin ligjet, nuk dinë se çfarë është demokracia. Ata janë përdorur për diktatorët. Ne u themi atyre që të mos kene frikë”.

Migena Balla, avokatja që përfaqëson Mostafain dhe Robabe Mohammadin, çiftin i cili po lufton në Tiranë për lirimin e vajzës së tyre Somayes, beson se presioni është vënë në dispozicion të policisë dhe gjyqësorit për të siguruar që MEK-u të mos “krijojë probleme politike”. “Politika po ndërhyn në sistemin gjyqësor”, thotë ajo. “Kur shkova në stacionin e policisë për të regjistruar ankesën e tyre, oficerët e policisë mu larguan. Ata i frikësohen humbjes së punës.”

MEK nuk e ka marrë me dashamirësi praninë e Mostafait dhe Robabe Mohammadit në Shqipëri. Ata e akuzojnë Mostafain dhe çdo ish anëtar që ka folur kundër MEK- ut se janë agjentë të paguar të “regjimit të mullahëve”. Më 27 korrik, Mostafa u shtrua në spital pas një sulmi të shkaktuar nga katër anëtarë të lartë të MEK-ut, sulm i cili u kap në video nga gruaja e tij. Sulmuesit, të cilët bërtisnin “terrorist”, u arrestuan shpejt nga policia shqiptare. Por pasi një falangë e anëtarëve të MEK-ut mbërriti në stacionin policor, burrat u liruan menjëherë.

MEK ka publikuar letra të shkruara me sa duket nga Somayja, ku akuzon babanë e saj se është agjent i inteligjencës iraniane. Një Somayeh me një pamje nervoze u pa kohët e fundit duke dhënë një intervistë video brenda bazës së MEK ku thoshte se ajo dëshiron të mbetet anëtare e grupit.

Familja është përgjigjur me letra të hapura për vajzën dhe për politikanët shqiptarë, duke bërë thirrje për një takim me vajzën e tyre pa mbikëqyrje. “Unë jam nëna jote Mahboubeh Robabe Hamza dhe dua të takohem me ty,” i shkroi ajo Somayes. “Unë jam gruaja që të ushqeu në gjoksin tim, që të kam mbajtur në krahët e mi. Ti je mishi dhe gjaku im … Unë të dua më shumë se jetën time … Unë po plakem, po lodhem. Jeta ime nuk ka vlerë pa të parë ty”.

burimi: theguardian/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne