Terrorizmi “kristian” në Zelandën e Re

Çfarë faji ka populli i krishterë, për momentin, i Zelandës së Re, që ta përjetojë mëkatin e një njeriu shejtan-terrorist!? Ne duhet ta dimë se jetojmë në këtë botë ku kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe e keqja edhe e mira, edhe lufta edhe paqja. Për fat të keq, këtij terrori nuk di si t’ia gjej simotrën ose sivëllanë: terrorizëm apo çfarë tjetër? Mos, vallë, antiterrorizëm?!? Me sa duket, që të dyja janë terrorizëm 

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Tashmë është bërë domosdoshmëri që në diskursin politik të analizohen kuptimet e reja të termave “terror” dhe “terrorizëm”, si dhe implikimet e tyre në politikën ndërkombëtare. Deri në një farë mase (dhe sipas nevojave të momentit, d.m.th. nevojave të të fuqishmit), kuptimi i vjetër dhe tradicional i këtyre termave ende përdoret për konfliktet dhe situatat që konsiderohen si lokale dhe, globalisht, të padëmshme ose që nuk kanë asnjë shtrirje ose dimension global. Duke ndjekur paranojën e krijuar nga momenti rithemelues i “11 Shtatorit” në historinë bashkëkohore, përdorimi i rifarkëtuar dhe kuptimet e fundit, që u janë kushtuar këtyre termave, tani përafërsisht zbatohen në kompleksin e pacaktuar të quajtur “vend-etni-fe-dhe/ose-Islam arab”.

Terrori shtetëror tani konsiderohet ekskluzivisht mbrojtës dhe paraprakisht i justifikuar. Megjithatë, ai ende përfshin terrorin parashtetëror dhe “strategjitë anti-terroriste” ndërkombëtare, së bashku me luftërat, torturën, interpretimet e jashtëzakonshme, ekstraterritorialitetin dhe ekstraligjshmërinë e paraburgimit, paraburgimin sekret, thatësitë e shkaktuara nga njeriu, ndotjen, ndryshimet klimatike, urinë etj. Gjuha nuk është vetëm mjet për kapërcimin e konflikteve përmes negociatave të nevojshme dhe të mirëpritura, por gjithashtu ofron një hapësirë ​​të mundshme për konfliktin. Gjuha mund të jetë (por nuk duhet të jetë) po aq armë si çdo gjë tjetër. Prandaj, duhet hulumtuar “politikën” e gjuhës, pasi politikja (por jo politika) “i paraprin” gjuhës. Kjo nuk është vetëm një çështje e lirisë së fjalës, por edhe një pyetje se: “Kush, për cilat qëllime dhe në cilat kushte i parashtron këto të drejta dhe atë liri apo që e shkakton dhunën?”.

Dhe, ja, sërish një “dramë” e trishtueshme për njerëzimin dhe një “ushqim” për politikën. Fjalën e kam për rastin “e fundit” që ndodhi në një shtet shumë larg nesh – në Zelandën e Re. Historia është përplot raste të tilla; edhe librat e shenjtë e kanë treguar fytyrën e “pafesisë” dhe rrezikun nga kjo. Por, atëherë edhe dënimet kanë qenë disi një dëshmi e keqpërdorimit të besimit dhe besimtarëve. Por, çfarë t’i bësh njeriut? Ai ka dëshirë të mashtrohet; është dashuruar në prejardhjen kafshërore të Darwinit – dëshiron të kthehet përsëri në majmun. Politika e ka ushqim kryesor terrorizmin, ndërsa feja e ka dashurinë dhe udhëzimin. Prandaj dhimbja dhe problemi më i madh është se pse ne, fetë qiellore, kemi lejuar t’u nënshtrohemi lojërave të rrezikshme, të frikshme, të cilat vetëm janë duke e harxhuar njeriun. Ne ramë pre e lojërave të “11 Shtatorit”. Paramendoni, në këtë kohë, kur gjithçka është të paktën edhe nën “kontrollin” tonë, kjo shprehje është shndërruar në një mit, për shkak të të cilit sot më tepër janë duke dhënë llogari të pafajshmit sesa fajtorët, ata që duhen dënuar.

Pa u futur në thellësinë e historisë, po e përsëris se nga ky njëqindvjeçar, që po bëhet i njohur me histori përplot gjak dhe kufoma, asgjë nuk jemi duke marrë si mësim. Pse?-ja është një pyetje shumë e rëndësishme. Historia pa Zot, nga të gjitha fetë, është treguar se është e rrezikshme dhe ajo nuk bën asgjë, përpos “krimit dhe dënimit”. Historia e tillë, duke e ditur se nga i vjen rreziku, u mbështet mbi fuqinë, dikur të “materializmit” e tani “materiales” ose, siç thotë shovinisti i madh Dragosh Kalajiq, mbi fuqinë “e dollarit”, i cili është bërë “zot”. Këtij “zoti” të vogël, “zotit” prej letre, po i përulet çdokush, përpos besimtarit të drejtë.

“11 Shtatori” ishte një tablo që “dëshmonte” diçka të madhe dhe të frikshme. Në vend që ata që e organizuan, planifikuan dhe ekzekutuan të dilnin në shesh, ata u fshehën, që kështu të bëhen mit, “fuqi” e përhershme dënimi dhe frike. Përballë kësaj dolën në shesh ata që nuk duhej të dilnin: kisha dhe xhamia, fetë qiellore, edhe pse ato kishin detyrë dhe detyrim të ulen, të pastrohen, t’i nënshtrohen Perëndisë me lutjet e tyre. Por, çfarë bënë? Ato vrapuan kah miti, të cilin e kishin të ndaluar nga Zoti, sepse feja në brendinë e saj kurrë nuk e ka pasur, nuk e ka e as nuk do ta ketë dhunën dhe pastaj lejuan të pranojnë se “në fe ka dhunë”. Kush ua dha atë të drejtë “përfaqësuesve” të feve qiellore!? Mos, vallë, librat e shenjtë dhe fetarët? Jo! Megjithatë, a thua ne besimtarët jemi të pafajshëm për diçka të tillë? Jo, ne jemi po aq fajtorë, sepse ne jemi duke ua dhënë mbështetjen dhe përkrahjen përfaqësuesve tanë, që nuk kanë as shpirt e as iman, por vetëm pamje të jashtme dhe “fuqi”, që nuk është asgjë, pos mashtrim.

Çfarë faji ka populli i krishterë, për momentin, i Zelandës së Re, që ta përjetojë mëkatin e një njeriu shejtan-terrorist!? Ne duhet ta dimë se jetojmë në këtë botë ku kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë edhe e keqja edhe e mira, edhe lufta edhe paqja. Për fat të keq, këtij terrori nuk di si t’ia gjej simotrën ose sivëllanë: terrorizëm apo çfarë tjetër? Mos, vallë, antiterrorizëm?!? Me sa duket, që të dyja janë terrorizëm. Ky lloj veprimi është bërë “qesharak”: sapo ndodh një incident, në vend që “të mbyllet”, ai shndërrohet në “ekskluzivitet” dhe, në çast, harrohen ata miliona njerëz të pastrehë, të uritur, të dëbuar, të persekutuar, e të mos flas për dhimbjet dhe dënimet që i përjetojnë ata. Sot njerëzit e pafajshëm janë duke u dënuar për çdo ditë nëpër aeroportet e botës. Nuk e kam fjalën për dyshimet, por konkretisht për ndëshkimet dhe nënçmimet ndaj tyre. Na kanë bërë të dyshojmë te njëri-tjetri. Këtë dyshim e kanë bërë edhe si fuqi ushqimi, duke spiunuar dhe mashtruar të tjerët. Madje, edhe fetarët më të dobët e kanë pasur dhe e kanë një të kuptuar, një perceptim për fenë, mendoj në atë se kanë frikë nga e keqja, nga terrorizmi, sidomos nga ky terrorizëm i organizuar, e që gjithsesi nuk është i rastësishëm, të cilit nuk jemi duke ia ditur fillimin e as mbarimin, sepse ky nuk buron nga feja, por nga pushteti, nga dëshira për fuqi – atë e ka politika. Politika e organizon këtë, politika e ka bërë këtë ushqim për momentin dhe neve na ka shndërruar në majmunë ose në lojë futbolli: sot ti një “gol”, nesër unë një “gol”. E çka të bëjë masa e gjerë? Ajo ulërin, pa marrë parasysh se ka ndër ta që e kuptojnë lojën e terrorizmit, por masa në këtë kohë, ku i është marrë liria dhe i është shtuar frika në çdo segment të jetës, ka frikë të pijë ujë, ka frikë të ushqehet, ka frikë nga frika, sepse çdo gjë përafërsisht është jashtë dëshirës së saj, por jo rastësisht. Fjala është se pse ne, besimtarët, mashtrohemi, pa marrë parasysh këtë sinqeritet të mirë ose fjalët e Kryeministres së Zelandës së Re, që ishin fjalë me një thellësi dhe urtësi tepër njerëzore, që mundësojnë dhe krijojnë qetësi e stabilitet (ky ishte një moment që ma bëri të kuptueshme se njerëzia akoma nuk ka vdekur), si dhe mirësjelljen e të krishterëve në luftën kundër këtij terrorizmi. Këtu ka diçka me të cilën dikush na mashtron dhe lutja ime është që ne të mos biem pre e lojërave të tilla – të atyre që organizojnë e nuk “duken”. Ne, në të vërtetë, duhet t’i  luftojmë ata, nëse është fjala për politikën – të mos i votojmë; nëse është fjala për hipokritët fetarë – të mos iu besojmë. Puna më e mirë e politikës së sotme do të ishte ta tregojë fytyrën e vërtetë të “11 Shtatorit” – kush qëndroi vërtet pas atij akti?! Lufta kundër terrorizmit është shndërruar në një lojë të rrezikshme dhe të frikshme. Mbase disi mund ta kuptojmë ose jemi të detyruar ta kuptojmë terrorizmin “islamik”, por në këtë kohë të rrethuar me “mençuri” dhe “filozofi”, personalisht, assesi nuk mund ta kuptoj trininë nga mençuria ekzistuese dhe sunduese.

Si përmbyllje: Unë gëzohem dhe krenohem që jam musliman, që i përkas një feje që ma ka ndaluar krimin dhe ndëshkimin, që ma ka lejuar respektimin e besimtarit dhe të jobesimtarit, që më ka mësuar të jem i kujdesshëm ndaj hipokrizisë dhe hipokritit, që ma ka bërë detyrim të mos e votoj dhe përkrah shejtanin në formë njeriu dhe njeriun në formë shejtani, që më ka thënë “ulu vetëm me ata që kanë devotshmëri dhe respekt ndaj Zotit”, që më kërkon ta respektoj fqinjin, pa marrë parasysh bindjen fetare të tij – për sa kohë që është njeri, që ma ka bërë kusht të mos lejoj të sundojë e keqja dhe të mos e përkrah atë, që ma ka bërë detyrim t’u besoj profetëve të Zotit: Ibrahimit, Musait, Isait dhe Muhammedit a.s. Ky është Islami dhe kjo është thirrja e Islamit. Feja e Zotit e ka Zotin dhe librat që na i ka dërguar Ai, të cilat na e ndalojnë mashtrimin fëmijëror, që vjen nga paraja dhe “fuqia”./shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne