Terrorizmi në Zelandën e Re dhe historiku i sulmeve ndaj xhamive

nga Farid Hafez.

Terroristi supremacist i bardhë mund të kishte zgjedhur vende dhe objekte të tjera për të kryer sulmin e tij, por ai zgjodhi vendin e adhurimit të muslimanëve. Pse? Le të kujtojmë pikërisht Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 të rinj në një kamp rinor socialist në Utoya / Norvegji. Jo pa qellim ai e zgjodhi këtë vend, pasi shihte se gjenerata e re mendjehapur e social demokratëve dhe liberalëve mundësonte islamizimin e Evropës. Terroristi Breivik, i cili në manifestin e tij e quan veten “kalorësi Breivik i drejtësisë”, figurë nga e cila kishte marrë edhe frymëzimin e tij të vërtetë, mund të ketë shërbyer si projekt për një tjetër sulm terrorist. Megjithatë ai zgjodhi një xhami. Pse pikërisht atë?

Pyetja mund të tingëllojë fillimisht e thjeshtë. Por ne duhet të harxhojmë pak kohë për të reflektuar mbi këtë aspekt të terrorizmit. Kjo nuk ka të bëjë shumë me atë se cfarë pozite ka xhamia për muslimanët, pasi kjo nuk ka shumë rëndësi për supremacizmin e bardhë, por ka të bëjë me atë se xhamia është bërë një metaforë për perceptimin e lig që gjejmë në ideologjinë islamofobe.

Në fakt, në imagjinatën e ideologëve anti-muslimanë, ekziston një numër shumë i kufizuar i materialeve që janë konsideruar si “simbole” të Islamit; simbole që janë kthyer në çështje të kontestimit politik. Në diskursin e Islamit, materialet më të spikatura padyshim janë hixhabi dhe xhamia. Dikush mund edhe të studiojë mënyrën se si imazhi i këtyre objekteve është riformesuar. Ashtu sikurse sot hixhabi perceptohet si simbol i “nënshtrimit femëror” në një shoqëri patriarkale myslimane, xhamia përfytyrohet si vendi i radikalizimit, ku muslimanët mësohen të urrejnë njerëzit e feve të tjera ose shihen si lokalitete të vecanta ku kurdisen komplotet terroriste.

Është ristrukturimi i kuptimit të këtyre simboleve që ka bërë që në shumë vende myslimanët të humbasin liritë e tyre. Derisa liria e fesë ka qenë bazike për shumicën e vendeve perëndimore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kjo e drejtë është vënë në diskutim në mënyra të ndryshme për muslimanët që nga vitet 90. Kurse që nga vitet 2000, ngritja e partive radikale të krahut të djathtë është vënë në legjislacion. Sot, islamofobia e institucionalizuar është bërë normale. Gratë muslimane nuk lejohen të mbajnë hixhabin; në disa vende ky kufizim është për nxënëset, në vende të tjera është për mësueset, dhe në të tjera vende është për disa shërbime publike. Përveç kësaj, xhamia është bërë një çështje e kontestuar, duke filluar nga ndalimi famëkeq në Zvicër i minareve për tek ndalime të tjera më pak të njohura, për shembull, ndërtimi i xhamive me minare në dy bashki të Austrisë. Dhe mos të harrojmë edhe debatin rreth të ashtuquajturës xhamia Ground Zero në Nju Jork apo debate të tjera që u ngritën rreth ndërtimit të një numri xhamish që më në fund e panë përfundimin në Këln ose në zonën e Taksimit në Stamboll.

E mbani mend se sa të irrituar ishin muslimanët amerikanë kur Barak Obama, i ashtuquajturi president i “shpresës”, nuk ishte në gjendje të vizitonte një xhami, duke ju nënshtruar në këtë mënyrë atmosferës së frikës të shkaktuar nga retorika radikale anti-muslimane e përhapur nga njerëz si Pamela Geller së bashku me anëtarët e Tea Party. Xhamia nuk ishte më simboli i fuqizimit, siç mbahej mend nga shumë afro-amerikanë, në të vërtetë ishte kthyer në një objekt të frikës. Kjo ka lënë gjurmët e saj.

Nga ana tjetër, për terroristët anti-muslimanë, lista e xhamive të shënjestruara ku jane sulmuar muslimanet fillon nga xhamia e parkut Finsbury në Londër per ne xhaminë në Christchurch të Zelandës së Re. Ndërsa vrasjet në masë në Zelandën e Re kanë qenë më vdekjeprurëset në historinë e kohëve të fundit, xhamitë kanë qenë prej kohësh nën shënjestër, që nga bastisjet policore në Francë deri tek sulmet në Gjermani. Vetëm në vitin 2017, policia reagoi në pothuajse 1,000 sulme kundër xhamive në Republikën Federale, që do të thotë se në çdo tre ditë, një xhami ishte vënë nën shënjestër. Një faqe interneti ka bërë një harte mbi krimet e urrejtjes dhe sulmet ndaj xhamive që nga viti 2015.

Nuk është ndonje çudi që në manifestin që terroristi supremacist i bardhë kishte postuar para sulmit, xhamia të kishte një rol fondamental. “Ne do të shkatërrojmë çdo xhami dhe minare të qytetit te Konstandinopojës,” ka thënë ai, duke iu referuar emrit të mëparshëm të Stambollit kur ishte nën sundimin e krishterë. Ai me qellim zgjodhi xhaminë në Christchurch sepse për të, “aty kishte shumë më tepër pushtues” dhe përfaqësonte “një ndërtesë të huaj në dukje” dhe kishte lidhje me “ekstremizmin”. Xhamia për terroristin ka në vetvete simbolika të ndryshme ; ka ekstremizëm, është e huaj, ka supremaci (nëpërmjet blerjes së pronës). Këtij objekti ju adresua terroristi, objekt i cili është projektuar si një prej simboleve më të dukshëm të jetës muslimane.

Prandaj, sfidimi i këtij sulmi terrorist kërkon që ne të sfidojmë në radhë të parë diskursin më të gjerë që ka mundësuar diskriminimin ligjor të myslimanëve, si dhe hapjen e rrugës për asgjësimin e tyre, siç e kemi dëshmuar në masakrën më të fundit./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne