Testi raketor i Phenianin rrit shqetësimet

Koreja e Veriut ka zhvilluar testin e radhës raketor. Zyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Koresë së Jugut njoftoi se raketa është lëshuar pasditen e së dielës.

Testimi erdhi një javë pasi Pheniani lëshoi një tjetër raketë, që ishte e një lloji të ri që kishte aftësinë të mbante edhe koka të mëdha bërthamore. Të hënën e kaluar, Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara kërkoi për të disatën herë që Peniani të mos kryente më testime të tilla. Në deklaratën e tij u theksua rëndësia që Koreja e Veriut “të shfaqte urgjentisht angazhim real ndaj denuklearizimit, përmes veprimeve konkrete”. Raketa e testuar sot ka fluturuar rreth 500 km, ka thënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, i cituar nga agjencia e lajmeve “Yonhap”. Ndërsa raketa e testuar javën e kaluar fluturoi rreth 700 km. Koreja e Veriut është duke ecur paralelisht me zhvillimin e armëve bërthamore, duke zhvilluar 5 teste nukleare, si dhe atë të kapaciteteve raketore për t’i dërguar këto armë në objektivat e tyre. Sot media shtetërore koreano-veriore kishte njoftuar se vendi do të vazhdojë të lëshojë “më shumë armë të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara”. Ndërkohë, sipas agjencisë “Yonhap”, presidenti i sapozgjedhur koreano-jugor, Moon Jae-in, i cili ka kërkuar angazhim më të thellë me Veriun komunist, ka thirrur një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, në kundërpërgjigje të zhvillimeve të fundit./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne