Tetëmbëdhjetë pika sa për t’ja filluar: Pushteti dhe kapitali. Punëtorja dhe punëtori. Ndotja e ajrit.

/Ron Salaj/

Pikat në vijim nuk janë as program, as manifest. Janë një numër mendimesh, një listë mundësish, sigurisht jokomplete.

  1. Ndotja e ajrit duhet të trajtohet brenda kontekstit të luftës klasore dhe ekonomisë politike. Rrjedhimisht, ndotja e ajrit nuk mund të trajtohet si fenomen i izoluar, por brenda triadës: kapital, mall, figurë e punëtores/it.
  2. Ndotja e ajrit nuk duhet të depolitizohet sepse ajo është simptomë e prodhuar, thellësisht, nga konstalacione politiko-ideologjike.
  3. Si simptomë politiko-ideologjike, ndotja e ajrit, rrjedhimisht, duhet të shihet, të analizohet e të diskutohet nga prizmi i drejtësisë sociale dhe diskriminimit e racizmit mjedisor, si dhe pabarazisë ekonomike.
  4. Ekziston një tendencë brenda hegjemonisë ekzistuese liberale që ndotja e ajrit të paraqitet si fenomen totalizues: të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ (ndotjes së ajrit); të gjithë kontribuojmë në këtë singularitet; faji shpërndahet në mënyrë të barabartë; të gjithë fajtorët duhet të vuajnë pasojat në mënyrë të barabartë. Kjo, në plotni, është falsitet.
  5. Totaliteti i paraqitur nuk merr parasysh klasat shoqërore. Trendet botërore, të paraqitura përmes hulumtimeve shkencore (si procedurë e së vërtetës), tregojnë se ata/o që emitojnë më shumë ndotje në ajër i ekspozohen më pak ndotjes së ajrit; ata/o që i ekspozohen më shumë ndotjes së ajrit janë pikërisht ata/o që emitojnë më së paku ndotje ajri. Këtu theksi përsëri bie mbi triadën: kapital, mall figurë e punëtores/it. Pra, ekonomisë politike të ndotjes së ajrit.
  6. Për pasojë, totalitetit të promovuar nga hegjemonia liberale se “të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ” duhet t’i rezistohet përmes maksimës: ç’është ndotja e ajrit në krahasim me shfrytëzimin, dhunimin dhe poshtërimin e punëtores/it?!
  7. Shkenca është proces i së vërtetës dhe kjo e vërtetë është gjithmonë në anën e të dobëtit. Që do të thotë: E vërteta e lejon dhe inkurajon të dobëtin që të flasë; për pasojë, e vërteta transformohet në ide. Të rikujtojmë Alain Badiou-në, i cili identifikon katër ‘lloje’ subjektive fundamentale: politike, shkencore, artistike dhe dashurore [amoureux]. Secila nga këto paraqet një të vërtetë singulare. Çdo kafshë njerëzore, sipas Badiou-së, që merr pjesë në një të vërtetë singulare, mishërohet në një nga katër llojet subjektive të sipërpërmendura.
  8. Transformimi i së vërtetës në ide e tmerron imperativin ekzistues liberal “të jetohet pa asnjë ide!”. Prandaj, hegjemonia liberale dëshiron që ndotjen e ajrit ta trajtojë në formën e saj të izoluar nga ekspertët teknokratë. Pra, sipas tyre, “vetëm ekspertët mund t’i zgjidhin problemet tona”.
  9. Në letërkëmbimin me Nadezhda Tolokonnikova-n (anëtare e grupit pank rus “Pussy Riots”), e cila gjendej në burg, Slavoj Žižek-u shkruante: “Ndoshta ka probleme që ata [ekspertët] mund t’i zgjidhin, por çka ata nuk mund të bëjnë është që të identifikojnë dhe të formulojnë problemet e vërteta. Ekspertët janë, për përkufizim, shërbyesit e atyre në pushtet: ata nuk mendojnë, por vetëm aplikojnë dijen e tyre në problemet që janë identifikuar nga të pushtetshmit.”
  10. Sot kemi nevojë, më shumë se kurrë, që t’i japim hapësirë filozofisë dhe disiplinave tjera  humanistike, si dhe poezisë e artit në përgjithësi. Por le t’i kthehemi filozofisë. Është pikërisht filozofia që hap dhe ndërton hapësira mendimi në të cilat bashkëjetojnë lloje të ndryshme subjektive, të shprehura përmes të vërtetave singulare (Badiou).
  11. Përmes hapësirave të reja të mendimit, ne mund ta transformojmë të vërtetën në ide. Por kjo kërkon prishjen e triadës: kapital, mall, figurë e punëtores/it. Kërkon prishjen e totalitetit ‘të gjithë jemi brenda një singulariteti negativ’. Kërkon rithemelimin e figurës së punëtores/it. Kërkon një riorganizim kreativ kolektiv në nivel teorik, që është gjithmonë universal, dhe në nivel praktik, që është lokal dhe singular.
  12. Dialektika ndërmjet të vërtetës dhe idesë, përmes një riorganizimi kreativ kolektiv, do të prodhonte një ‘ndërhyrje’ që do t’i ndryshonte rregullat e situatës dhe, për pasojë, do të kishim një Ngjarje (në kuptimin e plotë badiujan).
  13. Ngjarja, si produkt i dialektikës të së vërtetës dhe idesë, kërkon, megjithatë, dedikim dhe besnikëri të plotë të subjektit ndaj saj. Badiou-ja thotë se “të qenit besnik ndaj Ngjarjes do të thotë të lëvizësh brenda situatës që Ngjarja ka krijuar, duke e menduar (megjithëse të menduarit nënkupton vënien e mendimit në praktikë) situatën ‘sipas’ Ngjarjes.”
  14. Ky dedikim dhe besnikëri e plotë e subjektit ndaj Ngjarjes jo vetëm do të zbulonte një mënyrë të re të të qenit dhe të vepruarit, por edhe do të prodhonte një totalitet të ri.
  15. Ekziston vetëm një totalitet. Totaliteti i ri do të quhej: shoqëri e barabartë, pa klasa.
  16. Vetëm brenda këtij totaliteti ne mund të flasim në mënyrë të sinqertë, pa spektakle, pa interesa, në lidhje me të mirat e përbashkëta: ujin, tokën, ajrin, pyjet, qytetin e kështu me radhë.
  17. Kështu, singulariteti i ri do të ishte: ne, të gjithë, kolektivisht dhe në mënyrë konsensuale, mirëmbajmë, vetëmenaxhojmë, i mbrojmë, i promovojmë dhe i shfrytëzojmë të mirat e përbashkëta.
  18. Por, në fakt, sot ndotja ekziston si ndotje, ndotja si ndotje është ndotja si e tillë. Dhe ndotja si e tillë është diçka e vështirë sepse ndotja nuk ka përfaqësim. Sot ne nuk kemi emra, as trupa. Kemi zëvendësim të emrave dhe trupave. Ne nuk kemi emrin e kapitalit, pushtetit, mallit, punëtores/it, por kemi fotografinë e korporatës, qeverisë, brendit – por pa fotografinë e punëtores/it. Pushteti dhe kapitali. Punëtorja dhe punëtori. Ndotja e ajrit. Dhjetëra, qindra, mijëra trupa me emra dhe me fotografi, të mbuluara nën dhe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne