Thaçi: Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe në drejtësi

Presidenti Thaçi vlerësoi se shkuarja në intervistë e gjeneralëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, tregon edhe një herë bujarinë dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

“Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës. Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Ai shtoi se i bën thirrje edhe një herë të gjithë të ftuarve të tjerë për intervistë që t’iu përgjigjen pozitivisht thirrjes nga Dhomat e Specializuara.

“Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet. Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës”, shkroi më tej Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës tha gjithashtu se është i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare; si vrasja nga shteti serb i 13.500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20.000 grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve, por theksoi besimin se krimet nuk vjetrohen dhe se autorët do të përballen me drejtësinë.

Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, do të merret në intervistë më 14 janar nga Prokuroria Speciale në Hagë, kurse Sami Lushtaku më 16 janar. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne