Thaçi: Kosova e gatshme për arritjen e marrëveshjes së balancuar me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot tha se krerët e shtetit do të punojnë seriozisht që muajt e ardhshëm të ndodh dialogu Kosovë-Serbi, si dy shtete sovrane si dhe për të arritur një marrëveshje ligjërisht detyruese me të cilën Kosova do të marrë njohje nga Serbia, raporton Anadolu Agency.

Thaçi në konferencën përmbyllëse për media për këtë vit, theksoi se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë e balancuar dhe të mundësojë ndryshim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Pra, një marrëveshje e balancuar në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë, Serbi dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndërsa në të njëjtën kohë i mbështetur fort nga Bashkimi Evropian, i cili po udhëheq procesin si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja e SHBA-ve është shumë e qartë dhe është krijuar një rrethanë e re për të arritur marrëveshje sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos humbasë ky moment”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se do të mbështesë të drejtat e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në jug të Serbisë dhe shpreson që në muajt e ardhshëm do të vijë deri te formalizimi, siç tha ai, i drejtave të tyre për t’u bashkuar me Kosovën.

Thaçi theksoi se tani Kosova ka ekipin negociator të cilin e ka votuar Kuvendi i Kosovës dhe i cili ka legjitimitet të fuqishëm, ndërsa do të ketë edhe mbështetjen e tij të plotë.

Ai gjithashtu theksoi se në takimin e sotëm të kreut të shtetit të Kosovës dhe ekipit negociator me ambasadorët e vendeve të Grupit të Quintit dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë, është raportuar se Kosova është e gatshme për dialog dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Thaçi tha se nuk do të shkonte me ekipin negociator në Bruksel për t’u takuar me krerët e BE-së i caktuar për më 8 janar.

“Delegacioni i Kosovës ka legjitimitetin e qytetarëve dhe përgjegjësitë e marra nga deputetët, të zgjedhur nga populli dhe do të ishte në interes të përfaqësimit të jetë edhe më i gjerë, të cilën shpresoj se do të ndodhë javën e ardhshme, veçanërisht nga njerëzit që kanë filozofinë e ndërtimit të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

Lidhur me ftesat e para për biseda për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e Gjykatës Speciale për Kosovën, Thaçi tha se Kosova nuk ka për çfarë të frikësohet. Ai tha se është koha që retë e zeza të hiqen nga Kosova, sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne