Thaçi kryeson delegacionin e Kosovës në AP të OKB-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku do t’i prijë delegacionit kosovar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se gjatë qëndrimit në New York presidenti Thaçi do të zhvillojë takime me homologë nga shtete të ndryshme të botës, për të thelluar bashkëpunimin bilateral dhe rritur numrin e njohjeve shtetërore dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Duke bërë të ditur se AP e OKB-së për çdo vit mbledh përfaqësuesit e të gjitha vendeve të botës dhe organizatave ndërkombëtare, në komunikatë thuhet se “Delegacioni i Kosovës, gjatë qëndrimit në New York do të ketë takime të shumta bilaterale me liderë botërorë, përkatësisht me presidentë, kryeministra dhe kryediplomatë të shteteve të ndryshme”.

Presidenti Thaçi bashkë me zonjën e parë, Lumnije Thaçi po ashtu do të marrin pjesë në pritjen e përvitshme të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, si dhe zonjës së parë amerikane, Melania Trump.

Kujtojmë se edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka udhëtuar sot për në SHBA, ku do të zhvillojë takime me liderë dhe përfaqësues të ndryshëm të shteteve, që do të jenë pjesëmarrës në punimet e AP të OKB-së.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne