Thaçi në Bjellorusi: Është momenti i duhur për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij para të pranishmëve në Konferencën e Sigurisë së Munihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, ka thënë se tani është momenti i duhur për të vepruar drejt arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Thaçi, me ftesë të shefit të Konferencës së Sigurisë së Munihut, Wolfgang Ischinger, ndodhet në Minsk të Bjellorusisë, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut. Në drejtimin e tij para të pranishmëve Thaçi është shprehur se ndihej i lumtur për të qenë në Bjellorusi, ku kjo është vizita e parë e një niveli të tillë në mes të dy vendeve, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Duke u fokusuar në procesin nëpër të cilin po kalojnë Kosova dhe Serbia, në kërkim të një marrëveshjeje paqeje dhe pajtimi, Thaçi ka theksuar se “Jemi duke i shqyrtuar të gjitha idetë. Sa i përket marrëveshjes, për asgjë nuk jemi marrë vesh akoma”.

“Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë është e vështirë”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se “Por, edhe në rrethana të tilla unë shoh dritë në fund të tunelit. Pse? Fillimisht, të dy shtetet, për këtë jam i bindur, e dinë se nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç janë sot. Status quo-ja e tanishme nuk mund të mbahet më. Konflikti i tanishëm i ngrirë i dëmton të dy vendet në të gjitha fushat e jetës, në integrim, zhvillim ekonomik, në siguri”.

Thaçi ka thënë se dialogu ka marrë mbështetje, por edhe disa kritika. “Duke arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kemi më pak populizëm në rajonin tonë. Më pak nacionalizëm. Më pak zëra që thërrasin për luftë dhe tragjedi. Më pak urrejtje dhe hakmarrje”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi, sipas njoftimit, shtoi se qëllimi kryesor i procesit të dialogut është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore për njohje të ndërsjellë dhe ulëse të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Duke theksuar se “Marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, jo e përkohshme”, Thaçi ka shtuar se “Duhet të jetë një marrëveshje, e cila do t’i sjellë më shumë rehati fqinjëve tanë dhe mbarë rajonit. Më lejoni të jem shumë i qartë rreth pikës së mëposhtme: nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike dhe nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve. Do ta ruajmë shpirtin shumetnik dhe realitetin e Kosovës dhe Serbisë”.

Duke theksuar se tani është momenti i duhur për të vepruar drejt arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, Thaçi është shprehur se “Kur Serbia ta njohë Kosovën, askush nuk do të mund të bëhet më serb se Serbia dhe të vazhdojë të mos e njohë Kosovën ose ta bllokojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne