Thaçi takon zyrtarë të lartë të ShBA-ve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar një takim të përbashkët me zyrtarët e lartë të SHBA-ve dhe me Ekipin Negociator të Kosovës.

Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se pjesë e takimit ishte drejtori kryesor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Erath, drejtori për Ballkanin i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-ve, Brad Berkley, si dhe Ekipi Negociator i Kosovës, përkatësisht Zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Në këtë takim është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e SHBA-ve për domosdoshmërinë e pezullimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Ishte konstatim i përbashkët se marrëveshja duhet të jetë përfundimtare me njohje reciproke”, theksohet në njoftim.

Po ashtu, thuhet se Presidenti Thaçi ka ripërsëritur qëndrimin se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë speciale me SHBA-në.

Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por “në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-ve për pezullimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne