“The New York Times”: Gjurmët amerikane gjithnjë e më prezente në masakrat në Jemen

Gazeta amerikane “The New York Times” së fundmi publikoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga fillimi i luftës në Jemen kishin shënime dhe për të gjitha sulmet ajrore të koalicionit pro saudit dhe se forcat e Arabisë Saudite nuk kanë respektuar listën e shënjestrave të cilat Washingtoni i ka shënuar si civile.

Duke u thirrur në dëshmitë e të paktën 10 zyrtarëve aktualë dhe ish zyrtarëve ushtarakë amerikanë, gazeta “The New York Times” publikoi tekstin me titull “Shitja e armëve për Arabinë Saudite ka lënë gjurmët e gishtave amerikane në masakrën jemenase”.

“Gjurmët e gishtave amerikane janë gjithkund në luftën ajrore në Jemen, ku në këto sulme u vranë mbi 4.600 civilë”, potencohet në tekst.

Jemeni është kthyer në një skenë të krizës së thellë politike dhe të sigurisë e cila në fund të vitit 2014 eskaloi në luftë qytatare. Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone tjera të rëndësishme në vend, kurse qeveria e njohur ndërkombtarisht e Jemenit vepron nga qyteti port Aden.

Konfliktet u përshkallëzuan më tej në mars të vitit 2015 kur Arabia Saudite me aleatët e saj filloi sulmet ajrore mbi pozicionet e rebelëve Huthi.

Nga lufta është shkatërruar infrastruktura, përfshirë atë të shëndetësisë, rrjeti i ujsjellësit dhe ujërave të zeza, që ka çuar OKB-në të përshkruaj gjendjen në këtë vend si katastrofa më e madhe humanitare e kohërave moderne.

“Të gjitha përpjekjet amerikane këshilldhënëse për sauditët se si të shmangin viktimat civile në Jemen kanë dështuar. Sauditët po ashtu kanë heshtur ndaj nismave amerikane për të hetuar sulmet e tmerrshme ndaj civilëve”, thekson “The New York Times”.

Ish Zv/sekretari amerikan i Shtetit, Tom Malinowski ka thënë se SHBA-të i kanë dhënë Arabisë Saudite koordinata specifike të shënjestrave të cilat ishin civile dhe të cilat nuk guxojnë të goditen, kurse sauditët edhe këtë neglizhuan.

“Kam përshtypjen se qëllimisht kanë neglizhuar këshillat që ua kemi dhënë. Në fund, kuptuam se nuk duan të na dëgjojnë”, ka thënë Malinowski.

Në vijim të tekstit thuhet se autoritetet amerikane kanë vazhduar të mbështesin sauditët, përkundër sjelljes së tyre.

Ndihma amerikane për Arabinë Saudite në interevenimet në Jemen mori hov në debate pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në tetor në Konsullatën saudite në Stamboll.

Nga nëntori forcat amerikane ndërprenë ndihmën për Arabinë Saudite në kontekstin e furnizimit të drejtpërdrejt me derivate në ajër.

Shkrimi thekson se muajin e kaluar është regjistruar numri më i madh i viktimave civile që nga fillimi i intervenimit në Jemen.

“Në nëntor janë regjistruar 3.085 të vrarë në luftën e Jemenit, në mesin e të cilëve janë 80 civilë të vrarë në sulmet ajrore”, thuhet ndër të tjera në tekst.

Profesori i Universitetit Georgetown, Daniel L. Byman ka thënë se lufta në Jemen është kthyer në një fiasko strategjike të Arabisë Saudite.

“Me sulmet ajrore nuk u mposhtën rebelët Huthi. SHBA duhet të përdorë fuqinë e saj për promovimin e paqes dhe stabilitietit në Jemen. SHBA duhet qartazi të mbrojë edhe aletatët e saj nga vetë ata”, ka thënë Byman.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne