“The New York Times” paralajmëron Trumpin: Mos i quani gazetarët “armiq të popullit”

Botuesi i gazetës “New York Times”, Arthur Gregg Sulzberger, i ka kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që të mos vazhdojë etiketimin e gazetarëve si “armiq të popullit” duke e paralajmëruar atë se kjo qasje mund të nxisë dhunën.

Arthur Gregg Sulzbergeri, i cili pati një takim me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, bëri me dije se i ka përcjellë presidentit shqetësimet e tij në lidhje me gjuhën që ai përdor.

I konsideruar si një prej botuesve më të mëdhenj të SHBA-së, Sulzberger tha se në bazë të një tradite shumëvjeçare, sipas së cilës botuesit e gazetës prestigjioze takohen me presidentët amerikanë, takimi u mbajt me kërkesën e ndihmësve të liderit amerikan, por ai nuk duhej publikuar.

Sulzberger tha se meqenëse Trumpi shkroi në “Twitter” për takimin duke e bërë publik ritin shumëvjeçar të takimit të botuesit me presidentin amerikan, ai vendosi t’i përgjigjej Trumpit për të dhënë vlerësimin e tij në lidhje me bisedën nga shënimet që ai mori në takim.

“Qëllimi ynë kryesor në pranimin e takimit ishte që të ngrinim shqetësime lidhur me retorikën e presidentit kundër shtypit, një çështje tepër shqetësuese. Unë i thashë presidentit se gjuha e tij nuk është vetëm përçarëse, por në fakt po bëhet përherë e më e rrezikshme”, tha Sulzberger.

“E paralajmërova presidentin se qëndrimi i tij po vë në rrezik shumë jetë njerëzish, se po minon idealet demokratike të kombit tonë dhe dëmton një nga çështjet më madhore që eksporton vendi ynë: Përkushtimin ndaj lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë. I thash se po marrim kërcënime të shumta për shkak të retorikës së tij dhe se jemi detyruar të paguajmë truproja të armatosura. Ndërsa ai më tha ishte habitur përse nuk kemi pasur truproja të armatosura deri më sot”, shtoi botuesi i së përditshmes me seli në Nju-Jork.

Përmes një mesazhi në rrjetin social, “Twitter”, pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Sulzbergerin, lideri amerikan u shpreh fillimisht se “ishte një takim shumë i mirë”, por më pas i cilësoi lajmet e rreme si “armik i popullit”.

Nga platforma “Twitter” erdhi gjithashtu përgjigjja e Trumpit për deklaratat e Sulzbergerit.

Ai i akuzoi organet e shtypit se po rrezikojnë jetën e shumë njerëzve duke publikuar apo përhapur lajme të rreme.

“Kur mediat e çmendura nga sindroma Trump zbulojnë korrespondencat sekrete të qeverisë sonë, ato me të vërtetë vënë në rrezik jetën e shumë personave dhe jo vetëm të gazetarëve! Kjo nuk është aspak patriotike! Liria e shtypit ecën paralelisht me përgjegjësinë për të raportuar lajmet”, shkroi presidenti amerikan në “Twitter”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne