Thellohet kriza e krizëbërjes nga “klubi ramizian”

Kur armët e rrezikshme kalojnë nga duart e manipuluesve të tyre të stërvitur në duar kalamajsh ngucakeqë, bëhen edhe më të rrezikshme. Kësaj duhet t’i jenë trembur edhe ndërkombëtarët

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Edhe një herë po i shtjelloj mendimet e mia mbi zhvillimet në Shqipëri, duke paraqitur titullin dhe tekstin e një shkrimi që e kam pas botuar vite më parë (“Rimëkëmbja”, 16 janar 2007), në rrethana politike mjaft të ngjashme me të sotmet lidhur me nëpërkëmbjet e “demokracisë zgjedhore”, shpërdorimin e parlamentarizmit dhe kërcënimet për bojkotim të zgjedhjeve të radhës, që janë njoftuar për më 30 qershor 2019. Brenda e jashtë Shqipërisë po flitet me shqetësim për një krizë totale në vend. Edhe politikanë të BE-së përmendim rrezikun e luftës civile në Shqipëri dhe kanë vënë në dijeni deri Këshillin e Sigurimit të OKB-së se nga kjo mund të shpërthejë krejt Ballkani. Ministri i jashtëm gjerman e vlerëson atmosferën politike në Shqipëri shumë te helmuar. Politikani i njohur gjerman, Martin Shulcçon, jep mesazhin se edhe për 15 vjet të tjera shqiptarët nuk duhet ta çojnë nëpër mend anëtarësimin në BE. Vetë president-pishmani i Shqipërisë, Ilir Meta, shpall se shtetin e tij e ka mbërthyer një krizë e plotë e paparë institucionale e funksionale dhe atij mund të mos i mbetet rol tjetër për të luajtur, veçse të japë një dorëheqje (ngatërrestare) ose të kalojë në një gjest sakrifice sublime, si dikur presidenti i majtë Salvator Alende në Kili, që u vetëvra në pallatin presidencial për të kundërshtuar juntën fashiste ushtarake të Pinoçetit, që mbështetej nga CIA. Një ish-kryeministër socialist, Pandeli Majko, pohon saktë se klasa politike shqiptare e tri dekadave të fundit e ka mbyllur ciklin. Ka edhe zëra që thonë se për të dalë nga kjo gjendje duhet një kompromis i madh, një “Pakt Kombëtar(!)”, që nuk e di kush si mund të bëhet ose një “Moratorium politik njëvjeçar”, që faktikisht do të shënonte falimentimin e shtetshmërisë institucionale në Shqipëri. Për këto pazarllëqe kërkohet ndërmjetësim nga jashtë, që gjoja “të vendoset dialogu i ujdisë midis forcave politike”, pra midis politikanëve që janë fajtorët e parë e kryesorë për këtë gjendje dramatike në kulm dhe, në shkallën më të fundit, qesharake. Në Shqipëri ka sigurisht gjithfarë krizash, por jo krizë totale institucionale e funksionale, as krizë politike që të mos lejojë vazhdimin e shetshmërisë shqiptare e të pushtetit të dalë nga zgjedhjet. Në Shqipëri ka një krizë shumë të rrezikshme, që vazhdimisht thellohet. Ajo është “kriza e krizëbërjes dhe e krizëbërësve”, kriza e bandokracisësë së trembur nga procesi i reformës në drejtësi. Prandaj duhen rikujtuar disa zhvillime të së kaluarës, duke i shoqëruar ato me përditësime të rastit, që janë të vendosura në kllapa.

*          *          *

Në këto ditë të para të Vitit të Ri 2007 (dhe të vitit 2019) në veprimtaritë politike e propagandistike në Shqipëri janë shpërfaqur mbresat më të këqija të krizave politike, shoqërore, ekonomike, morale që kanë ndjekur pa ndërprerje e pa pushim njëra-tjetrën në jetën e kombit e të shtetit shqiptar gjatë 16 (tani mbushen 28) viteve, që janë quajtur “vitet e demokracisë”. I kemi pasur të pranishëm fantazmat e vegimet shqetësuese të zhvillimeve politike që do të dëshironim të kishin mbetur sa më larg nesh, atje ku ishin krijuar, në zyrat e pushtetit të diktaturës komuniste e të Partisë së Punës, në sallat e mbledhjeve e mekanizmave europiane, në sallonet politike, qeveritare dhe agjenturore të vendeve që janë marrë me Shqipërinë. Do të dëshironim të kishin mbetur vetëm disa kujtime pështirosëse për skemat ramiziane të “uljes së butë të avionit të komunizmit në avari”, të parullës cinike ramiziane se “populli shqiptar nuk ishte i përgatitur për demokraci”, të strukturave të klubit politik “pluralist” ramizan, që u krijua dhe u ngarkua për të vënë në jetë skenarët e krizave ciklike në Shqipëri, për ta lënë gjithmonë të çalë demokracinë shqiptare. Edhe pas 16 vitesh (pra tani pas 28 vitesh), në janar të vitit 2007 (por edhe në fillim të vitit 2019), shqiptarët janë dëshmitarë të zhgënjyer e të dëshpëruar, të shumë dështimeve “demokratike”, të talljeve me aspiratat e njerëzve për demokraci nga “klubi ramizian” i politikës shqiptare dhe pasuesit e verbër të tarafeve, klaneve politike e individëve që u ngarkuan me role të posaçme për ta krijuar e vazhduar këtë gjendje (Në mars të vitit 2019 këto tipare bien edhe më shumë në sy dhe i trullosin shqiptarë).

Do të kishte qenë mirë që skemat e skenarët ramizianë të kohës së fillimit të demokracisë të kujtoheshin ndonjëherë në të rrallë, sa për të qeshur dhe jo të ishin edhe në fillim të vitit 2007 (e sidomos në fillim të vitit 2019) po aq veprues dhe sfidues për demokracinë shqiptare sa në janar-mars të vitit 1991, sa në kohën e gjendjes absurde që krijoi politika e pazareve dhe e kompromiseve, që çoi në krijimin e rënien e qeverisë së (de)stabilitetit (qershor-dhjetor 1991), në matrapazllëqet e bëra për ndarje pushtetesh nga Sali Berisha e Fatos Nano në një restorant të Triestes (Itali) me mblesërinë politike të të ndjerit Mentor Qoku dhe nën patronazhin e një ministri të jashtëm italian (Në vitin 2005 Nano duket ia la përgjithmonë lamtumirën politikës. Në vitin 2019 Nanon e thërrasin si depozitar të trashëgimisë politike të PS në Kongresin e Partisë Socialiste të 23 marsit 2019, që u konceptua dhe zhvillua ai kundër-miting i demonstratave të dhunshme të opozitës që të ndjehet më i sigurt Rama përballë “revolucionit permanent”, që ka shpallur Berisha, tashmë i kthyer në një ndjekës të teorisë së Trockit dhe “revolucionit të vonuar kulturor të tipit kinez” të viteve 1960-të, që e kanë përqafuar një takëm politikanësh të rinj “demokratikas”. Këta, bashkë me Monika Kryemadhin e Petrit Vasilin nga LSI-ja, trumbetojnë pa pushim në tubime publike dhe ekrane televizive fjalë e parulla fyese e kërcënuese, si dikur “hunveibinët” (të revoltuarit revolucionarë) në Kinë: do t’ju vrasim, shfarosim, do t’ju tërheqim zvarrë, nuk ka forcë që na ndal. Parullat e tyre për mobilizimin e ndjekësve fanatikë janë si në revolucionin kulturor kinez “turbulloje që të kullohet”, “të sulmohen shtabe (pushtetarët)”, “kemi të drejtë të rebelohemi”. Ata kanë ripërtërirë edhe strategjinë e taktikën e luftës politike të parakomunistëve shqiptarë dhe psikologjinë e nolistëve të viteve 1920-’24 “o ne në qeveri, o Shqipëria shkrumb e hi”, duke e shoqëruar me ofertën lehtësuese: hajde bëni një ujdi me ne për dorëzimin pushtetit në tavolinë”. Refuzimi i kësaj oferte nga Rama parimisht është i drejtë dhe i shërben demokracisë).

Por, më 11 janar 2007 pamë se tryeza politike e restorantit të Triestes ishte zhvendosur në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Punën e sekserëve e kishin bërë kësaj radhe ndihmësit politikë të Berishës e të Nanos, Imami e Barçi. Nuk ishte më i pranishëm një ministër i jashtëm italian si mbikëqyrës në ndarjen e llokmave të pushtetit, por prapa perdeve të Pallatit të Brigadave përgjonin shumë hije diplomatike të huaja dhe mbi të gjitha ishte hija e një ministri të jashtëm spanjoll, i cili me cilësinë e kryesuesit të OSBE-së kishte dërguar në Shqipëri një veqil të tij, zotërinë Pons, të jepte urdhrat e nevojshëm për gjithë veprimet që duheshin bërë. Më në fund, diplomacia ndërkombëtare e kishte mbledhur mendjen dhe kishte marrë vendimin e pakundërshtueshëm që Shqipëria të dilte nga “kriza zgjedhore”, një krizë e llojit të veçantë dhe e paparë ndonjëherë në vende të tjera, të paktën në atë formë të shëmtuar siç u krijua në Shqipëri në 6-mujorin e dytë të vitit 2006.

Zoti Pons dhe hallkat e tjera të diplomacisë ndërkombëtare në Tiranë e nga larg Tiranës për t’i dhënë fund “krizës zgjedhore shqiptare” paskëshin sjellë në Tiranë bagazhin e metodave diplomatike që u përdorën nga diplomacitë europerëndimore dhe ruse në kështjellën e Rambujesë (Francë) në shkurt-mars të vitit 1999 për të imponuar një zgjidhje midis Serbisë e shqiptarëve të Kosovës për krizën e rëndë në Kosovë. Një skandal i ri është regjistruar në politikën e pështirë të krizëbërjes në Shqipëri: palët shqiptare në konflikt vendosen në selinë e Presidencës së Republikës dhe bëjnë “bisedime” nëpërmjet një korrieri, rolin e të cilit e luan njeriu që mban ofiqin e kryetarit të shtetit shqiptar.

Nuk ke si të mos skandalizohesh kur lexon në intervistat prej dy faqesh të Neritan Cekës, e Nard Ndokës, të botuara në “Standard” të datës 13 janar 2007, zbulimet pështirosëse: “Mosiu na ndau në dy dhoma të ndryshme… Presidenti përcillte qëndrimet nga njëra palë tek tjetra”. Tamam siç u veprua me përfaqësuesit politikë të Serbisë e të shqiptarëve në “Rambuje”, që i ngujuan në dhoma të veçanta dhe përfaqësuesit e diplomacisë ndërkombëtare çonin haberet për bisedime sa tek njëri tek tjetri. Ajo që ndodhi atëherë në Rambuje edhe mund të justifikohej, sepse bëhej fjalë për përfaqësues palësh armike në një konflikt të armatosur dhe që flisnin gjuhë të ndryshme. Por kurrsesi nuk mund të gjendet justifikim për këtë mënyrë bisedimi në Tiranë midis njerëzish që dinë të flasin shqip, kishin për të biseduar për certifikata zgjedhore, jo për operacione luftarake, robërim e pavarësi popujsh. Berisha paska bërë mirë që nuk ka vajtur në të tilla bisedime edhe pse është qortuar se duhej të bisedonte në institucione jo me Nanon që “nuk përfaqëson institucion” (Pikërisht këtë lloj zgjidhjeje synojnë të arrijnë edhe tani, në vitin 2019 “të rebeluarit revolucionarë” që bërtasin sapo të ikë Rama çdo gjë zgjidhet mirë e bukur. Vetëm Berisha, edhe tani si atëherë, do zgjidhje më radikale pas dëmit që pësuan nga marrëveshja Rama-Basha e 17 majit 2017).

“Rambujeja e Moisiut” në selinë presidenciale të Shqipërisë në Tiranë nuk paska qenë institucion, por një Pazar që u thirr me ngut pasi një ditë më parë Pallati i Brigadave, selia më ceremoniale e Shqipërisë, ishte kthyer në një restaurant politik, si ai i Triestes 15 vjet më herët. Berisha dhe Nano, me cilësinë e kryeministrit dhe të ish-kryeministrit, pasi e përfunduan menynë e pazareve politike, duke fshirë buzët me kënaqësinë e ngimjes, dolën para gazetarëve për të shpallur se krijonin një “mazhorancë të re perëndimore” për të shpëtuar kombin e vendin nga tejzgjatja e “krizës zgjedhore”. Ata lanë të nënkuptohej se ujdia e tyre do të ishte shpëtimtare, se do të shmangë edhe “krizën presidentore” në mesin e vitit 2007, me të cilën ramosocialistët ka kohë që e kërcënojnë pushtetin e Berishës dhe stabilitetin politik e pushtetor në Shqipëri (Tani është Presidenti Ilir Meta, që hiqet se është gati të bëjë harakiri politik, pas përbetimit të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, se është e gatshme të bëhet kamikaze për të shporrur Edi Ramën nga skena e politikës).

Gjatë 15 viteve, qysh nga ngrënia së bashku e pjatave me spageti pushteti në Trieste e deri tek gatimi i çorbës së pushteteve në Pallatin e Brigadave, Berisha e Nano kanë dëshmuar se janë në politikë jo thjesht “opozitarë vëllezër”, siç pat thënë Berisha në vitin 1992, por dinë se kur duhet të bëhen në politikë “vëllezër armiq” dhe kur të rikthehen në “armiq vëllezër” (Tani, Berisha me Metën e Kryemadhin janë edhe më shumë vëllezër se opozitarë, madje bashkëpunëtorë e bashkëfajtorë. Para 20 vjetësh, Monika bubullinte kundër Berishës më shumë se tani kundër Ramës. Këtë dukuri e kam pas analizuar në shkrimin “Sllobo e Mira në Tiranë”, ku bëja një sërë përqasjesh midis çifteve politike Ilir Meta-Monika Kryemadhi në Tiranë dhe Sllobodan e Mira Markoviq në Beograd).

Sali Berisha ia punoi Nanos kur nuk e zbatoi marrëveshjen e Triestes pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit 1992, çka bëri që Nano të nisej edhe drejt burgut të Bënçës. Por, në vitin 1997 Berisha u kujdes që Nano ta linte burgun në sigurinë më të plotë dhe të legalizonte pushtetin revanshist socialist, të marrë me grykën e pushkës me zgjedhjet e kota që u bënë në hijen e Berishës më 29 qershor 1997. Berisha, edhe pas goditjes që mori PD me vrasjen e Azem Hajdarit, në shtator të vitit 1998, u kujdes që pushteti i PS-së të mos shembej dhe i dha kohë Nanos të rikthehej nga arratia si kryeministër e ballafaqimin politik ta bënte me të tijët socialistët, jo me demokratët. Berisha ia liroi Nanos lakun që i kishte hedhur Meta në Partinë Socialiste në vitin 2002 dhe e ndihmoi Nanon të rikthehej në postin e kryeministrit. Berisha e ka ndihmuar mjaft Nanon edhe për t’i vënë hallkën në hundë për njëfarë kohe aventurierit të egërsuar për pushtetin socialist, Edi Ramës. Nano u tregua mjaft i shkathët për t’ia fërkuar kokën Berishës me qepën e krypën e të sharave, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005, dhe për të mundësuar në favor të tij “tranzicionin e butë” të pushtetit në Shqipëri, më 3 korrik 2005. Më 11 janar 2007 Berisha bëri gjestin e tij të radhës për të larë borxhin dhe për ta thirrur Nanon nga “pensioni politik” që të marshojnë krah për krah drejt përmbushjes pas 15 vitesh të marrëveshjes së Triestes: Berisha kryeministër e Nano president. Berisha në emër të të dyve shpalli dhe moratoriumin e të sharave e mallkimeve që ata kanë shkëmbyer për 16 vjet me radhë, sidomos gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005, duke i quajtur këto “lojëra fushatore me fjalë”.

Nano e Berisha dhanë provën më të fortë se skemat ramiziane në politikën shqiptare nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim të thellë. “Mrekullia triestine” Nano-Berisha u ripërtëri nën këshillat e vyera të Ramiz Alisë, i cili në intervistat e tij u kujtoi protagonistëve të “klubit politik ramizian” që gjendja në Shqipëri në fund të vitit 2006 e fillim të vitit 2007 duhet trajtuar njësoj si ajo në fillim të viteve 1991-’92. Alia u kujtoi anëtarëve të “klubit ramizian”, që janë gati po ata të fillimit, se edhe atëherë ka pasur shtyrje zgjedhjesh me kërkesë të opozitës. Berisha e dëgjoi mirë këtë dhe pranoi që të bënte pazar dhe për një gjë që e kishte shpallur “të panegociueshme” datën e zgjedhjeve më 20 janar 2007.

Në gazetën “Panorama” janë botuar për shumë ditë me radhë proceverbalet e diskutimeve në Byronë Politike të PPSH-së në ditët tronditëse për ramizizmin në fillimet e demokracisë. Këto janë mesazhe për pjesëtarët e klubit ramizian, që të dinë të veprojnë sipas skemave të vjetra edhe pas 15 vitesh. Ramiz Alia nuk ngurroi që të përkëdhelte më fort Edi Ramën, sepse e vuri re që rrëmbimi i tij aventurier mund të prishte shumë punë për vazhdimësinë e mëtejshme të krizëbërjes në Shqipëri. Dhe i rrëmbyeri Rama më në fund i thirri pak mendjes dhe pranoi “kompromisin” për të mos u përmbysur procesi i krizëbërjes 16-vjeçare me ndonjë këputje të litarit që po e tërheqin klubistët ramizianë të politikës shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe.

Për të shpallur sihariqin “kriza u zgjidh” u desh përsëri dalja së bashku në paraskenë e dy protagonistëve të vjetër, Nanos e Berishës. Këta vepruan në atë mënyrë që të dëshmonin para shqiptarëve se pikërisht ata mbeten penda e qeve që tërheq parmendën në brazdën e duhur dhe jo ai kujdestari i kështjellës së Rambujesë tiranase, Moisiu, që është vetëm një krijesë politike e Nanos e Berishës. Partiakët që shkonin e bënin potere me orë e ditë të tëra në tryezën e Moisiut e morën vesh mirë se Moisiu nuk ishte asgjë më shumë sesa “një noter i partive”, siç kishte thënë nënkryetari i Akademisë së Shkencave, juristi Luan Omari. Pas takimit Berisha-Nano edhe Moisiu e luajti me bindje e “përkushtim”, ashtu si diti dhe ashtu si e mësuan, rolin e noterizuesit të “marrëveshjes ndërpartiake” që menjëherë u dërgua tek zonja Topalli që të kthehej në ligj në një seancë parlamentare rrufe. Noterizuesi mbeti i kënaqur se parlamenti ktheu në ligj “marrëveshjen e partive”, qëështë një provë tjetër se në Shqipëri fryma partiake qëndron mbi frymën shtetërore, se ashtu si në kohën e komunizmit “politika vihet në plan të parë”, se direktivat e partisë(ve) qëndrojnë mbi kushtetutën e ligjin. E gjora kushtetutë filloi të mbajë mballoma të qepura me nxitim ende pa u respektuar si duhet (Duket se të gjitha këto sharlatanizma politike në krizëbërjen permanente shqiptare po përsëriten edhe tani, por me më shumë egërsi, paturpësi e cinizëm dhe me shumë sulme kundër diplomacisë ndërkombëtare, që për herë të parë ka humbur toruan në Shqipëri e nuk po di më se çfarë rruge duhet të ndjekë).

Po a mbaroi vërtet “kriza e fundit zgjedhore”? Aspak. Këtë do ta shohim më mirë gjatë fushatës zgjedhore. Shyqyr që për këtë fushatë kanë mbetur pak ditë. Por kjo nuk do të thotë se energjitë grindavece të thartuara nga mëritë e pakënaqësitë më të fundit nuk do t’ua nxijnë edhe më shumë jetën shqiptarëve në këto ditë dimri pa energji të mjaftueshme elektrike. Nuk ka mbaruar kriza zgjedhore, por është thelluar kriza e krizëbërjes 16-vjeçare në Shqipëri (Krizat zgjedhore kanë pasuar njëra-tjetrën për vite të tëra deri tani. Madje, mëkatin më të rëndë kundër demokracisë zgjedhore e bënë Sali Berisha dhe Edi Rama me marrëveshjen e tyre në vitin 2008 për të vendosur një sistem monstruoz zgjedhor, që i ka mbyllur shtigjet për çfarëdo hapi drejt demokracisë zgjedhore në Shqipëri. Pikërisht këtë sistem duan ta mbajnë në këmbë të dyja palët, që po përleshen në luftën e egër për pushtet, Madje, me to është bashkuar edhe Ilir Meta, i cili në vitin 2008 bëri grevë urie disaditore në sallën e parlamentit për të protestuar kundër ujdisë Berisha-Rama. Ja cilët janë politikanët krizëbërës që u flasin për demokraci e zgjedhje të lira shqiptarëve!).

Rikthimi tek marrëveshjet e Triestes për të frenuar rrezikun që krijuan për Shqipërinë aventurizmat e ramosocialistëve dhe gjallërimi i ramizizmit, që kujtohej i kapërcyer nga një pjesë e madhe shqiptarëve, dëshmojnë se krizëbërja në Shqipëri zgjerohet e thellohet. Është provë e thellimit të krizëbërjes ramiziane që në Presidencën e Shqipërisë sillet praktika e Rambujesë për të frenuar forcat më agresive të politikës shqiptare që po veprojnë në stilin më provokues, të futur në politikë nga Edi Rama. Është shenjë se po thellohet procesi i krizëbërjes shqiptare kur pas përvijimit të “treshes së të keqes”, Rama-Meta-Gjinushi, dhe “treshes së hajedreqes”, Meta-Ndoka-Dule, lindi domosdoshmëria e daljes hapur në paraskenë të dyshes më të sprovuar ramiziane Nano-Berisha (Tani në skenën e përleshjeve veprojnë po ato forca, por me role të përmbysura. Është opozita Berisha-Basha-Meta–Kryemadhi që bën rolin opozitar kundër krahut pushtetar Rama).

Kjo ndodhi pikërisht kur diplomacia ndërkombëtare, e mërzitur së tepërmi nga degjenerimi i eksperimenteve të saj në Shqipëri, filloi të trembej se mos kërcënimet për të përsëritur një rebelim të vitit 1997 e ndiznin shumë edhe në dimër atmosferën shpërthyese dhe gjendja dilte jashtë kontrollit, siç doli edhe në shkurt–mars të atij viti. Kërcënimet për përsëritjen e vitit 1997 i pat bërë Nano qysh gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005. Mirëpo, kur armët e rrezikshme kalojnë nga duart e manipuluesve të tyre të stërvitur në duar kalamajsh ngucakeqë, bëhen edhe më të rrezikshme. Kësaj duhet t’i jenë trembur edhe ndërkombëtarët, që vendosën t’ia heqin Ramës këtë lodër të rrezikshme nga dora dhe kanë treguar interes që Nano të bashkohet me Berishën për të bërë “shumicën perëndimore të shqiptarëve” (Potani më 2019, çfarë po ndodh?! Diplomacia euro-atlantike në qëndrimet e saj duket më e qartë se pas “luftës opozitare për demokraci” mund të fshihet një gjë edhe më e rrezikshme se deri tani në Shqipëri, një tollovi më e egërsuar ruse për të bërë lëmsh Ballkanin. Tani kryetari i shtetit shqiptar, pas shumë denoncimesh mediatike se bënte lojën e Rusisë, ka dalë hapur për të shfajësuar politikën ruse në Shqipëri dhe çdo gjë që po ngjet do ta paraqesë vetëm si sherr e shamatë brenda shqiptarëve dhe nuk bëka që shqiptarët t’i vërsulen politikës së Rusisë me kritika, se kështu bënin dikur enveristët kundër imperalizmit amerikan. Me këtë qëndrim Meta ka dhënë provën më të mirë për të vërtetuar dyshimet se cilin po e shtyn dora e Rusisë, rrjedhimisht e Serbisë dhe e Greqisë në gjithë këto trazira që bëhen në Shqipëri, gjoja për ta shpëtuar vendin nga despotizmi, korrupsioni e implikimi kriminal i Edi Ramës. Po përdoret e njëjta taktikë si në vitin 1997 për të djegur e rrënuar Shqipërinë që ta shpëtonin gjoja nga despotizmi i pushtetit të malokut Berisha).

Në këtë vështrim mbase kanë më shumë të drejtë ata që e shohin me qetësi e lehtësim ridaljen në skenë të dyshes Berisha-Nano, për të mos lënë të rritet revani i treshes Rama-Meta-Gjinushi, as të fryhet treshja pa fuqi e pa yndyrë politike Meta-Ndoka-Dule. Janë të kuptueshëm tërbimi dhe mallkimi i shumë shqiptarëve për amoralitetin që e përçon e shton në politikën shqiptare ripërtëritja e matrapazllëqeve të Nanos me Berishën dhe fryma e Triestes që mban të gozhduar demokracinë shqiptare në krizëbërjen ramiziane. Por, tashmë amoraliteti e ka mbuluar plotësisht politikën pushtetbërëse në Shqipëri dhe një pisllëk më shumë e një më pak nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe (Tani ky arsyetim duhet kthyer edhe në të anasjelltën e vet. Tani dysheve Berisha-Basha dhe Meta-Kryemnadhi u janë u janë bashkuar në të njëjtën mësymje edhe socialistët e të majtët e pakënaqur për mosplotësimin e ambicieve nga pushteti i Ramës. KoçoKokëdhima tashmë në mendjen e gazetën e vet “Shekulli” ka vënë kandidaturën për kryeministër i majtë alternativ po të ikë Rama, si edhe Arta Dade e të tjerë, që nuk qëndrojnë më aq të fshehur. Pra, ndryshojnë vetëm pozicionet e protagonistëve, por jo dukuritë politike).

Sidoqoftë, aventurizmi ramosocialist duhet frenuar me çdo kusht. Anëtarsia e PS-së mban përgjegjësinë e madhe që krizat e vazhdueshme në gjirin e kësaj partie nuk ka ditur ose nuk ka dashur t’i zgjidhë, por ka ndikuar që PS të intensifikojë veprimtarinë për nxitjen e krizëbërjes. Anëtarsia e PS-së mban përgjegjësi që nuk ka mbajtur si duhet parasysh paralajmërimet se modeli i Ramës në bërjen e politikës mund të çonte në rrjedhoja të rënda (Tani duhet frenuar me çdo kusht revanshizmi i opozitës së sotme krejtësisht anti-demokratike. Për këtë mban përgjegjësi të rëndë anëtarësia, më saktë pjesa fanatike e anëtarësive në Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe disa figurina të ndryshkura politike, që vërdallisen si mjeranë, duke u vetëquajtur kryetarë partish).

Të gjitha forcat politike që kacafyten për pushtet dhe tifozëria e tyre e egërsuar dhe e hipnotizuar nga liderët krizëbërës mbajnë përgjegjësi që krizëbërja në Shqipëri thellohet vazhdimisht. Krizëbërësit e Shqipërisë janë të kapluar nga stereotipat e revolucionarizmit më të keq. Pavarësisht se mundohen të hiqen perëndimoristë e libertarë ata janë robër të mendësive të trashëguara nga e kaluara. Krizëbërësit e Shqipërisë, sidomos ata që kanë zënë vend në klubin politik ramizian qysh para 16 vitesh, janë pasues fanatikë të “revolucionit permanent”, si faktor lëvizës në pushtetmarrje e pushtetbërje, janë prodhues “krizash revolucionare ciklike”, janë adaptues të teorisë së “krizave ciklike të kapitalizmit” për të prodhuar “kriza ciklike” në krizëbërjen shqiptare që të përmbushin lakmitë e tyre për pushtet (Është me qartë se kurrë se të këqija më të mëdha demokracisë në Shqipëri nuk i kanë ardhur vetëm nga ata që kanë qenë në pushtet, ku janë alternuar katër herë. Dëmin më të madh ia kanë sjellë Shqipërisë ata që kanë qenë në opozitë, sepse kanë vepruar si opozitarë aventurierë vetëm për të penguar qeverisjen. Shqiptarët, para se të thonë “kur do të kemi qeverisje të mirë?!”, duhet të thonë “kurdo të kemi opozitë për të qenë”. Postulati bashist “nuk ka stabilitet pa demokraci” na është përsëritur dhe nga një deputet gjerman me emër e mbiemër sllav, Josip Juratoviç: “Shqipërisë i duhet demokraci, jo stabilokraci” (“Telegraf”, 23 mars 2019). Gabojnë Basha dhe gjermani. Shqipërisë i duhet fillimisht një stabilokraci kombëtare, që të krijojë stabilitet të vërtetë dhe pastaj të ndërtojë demokraci të vërtetë. Basha duhet t’i kuptojë më mirë mesazhet e ndërkombëtarëve, se “Demokracia është proces i vazhdueshëm e jo thjesht qëllim abstrakt në vetvete”).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne