Themelohet në Shkup partia e re shqiptare: AlternAtivA

Në sallën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë në Shkup, në prani të qindra simpatizantëve, u mbajt konventa prezantuese e Partisë AlternAtivA.

Shqiptarët e Maqedonisë themeluan të shtunën Partinë AlternAtivA, forca e tyre e re politike.

Në sallën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë në Shkup, në prani të qindra simpatizantëve, u mbajt konventa prezantuese e Partisë AlternAtivA.

Gjatë konventës u prezantuan anëtarët e Kuvendit Qendror të Partisë, të cilët më herët kanë zgjedhur edhe kryesinë e re të partisë.

Kryetar i Partisë AlnernAtivA është zgjedhur Afrim Gashi, i cili tha se kjo forcë politike e re është e hapur për të gjithë dhe se do të vazhdojë të komunikojë me të gjithë faktorët politikë brenda dhe jashtë vendit për të hapur rrugën euroatlantike të vendit.

“Tash e tutje ne, edhe si shtet, por edhe si komb, jemi në aleancën e sigurisë që fillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshin vendet e Bashkimin Evropian, vazhdon me mikun tonë të madh Republikën e Turqisë dhe përfundon me amën e fqinjin tonë Republikën e Shqipërisë”, tha Gashi.

Krahas kryetarit të partisë, të pranishmëve iu drejtua edhe ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi, i cili tha se ndihet krenar që i është dhënë mundësia të përfaqësojë Partinë AlternAtivA në ekzekutiv.

“Mendoj se me veprimet tona të përbashkëta, si në Parlament ashtu edhe në ekzekutiv, i dhamë një ngjyrë të re jetës politike në vendin tonë. Besoni që ky do të jetë synimi ynë në vazhdimësi: Transparenca, drejtësia dhe lufta që të gjithë të jemi të barabartë”, tha Ademi.

Pjesë të kryesisë qendrore të Partisë AlternAtivA do të jenë nënkryetari Nexhbedin Kahremani, i cili lexoi manifestin politik të partisë në fjalë, ndërsa për sekretar të përgjithshëm u emërua Skënder Rexhepi-Zejdi.

Në këtë konventë u prezantuan gjithashtu simbolet e Partisë AlternAtivA.

Mes të pranishmëve që ndoqën konventën prezantuese të Partisë AlternAtivA ishin edhe koordinatori kombëtar për përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO dhe njëherësh kandidat i koalicionit qeveritar për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministri i parë për Diasporën, Edmond Ademi, si dhe nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LDSM) dhe njëkohësisht deputet i Kuvendi të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

Partia AlternAtivA, pjesë e koalicionit qeveritar, përfaqësohet nga tre deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne