“Tifoz me Serbinë”, Kosta Grillo: S’jam hipokrit si Buzhala

Një deklaratë e komentatorit sportiv dhe njëkohësisht menaxherit të njohur të futbollistëve, Kostandin Grillo, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë. Në mbrëmjen e së enjtes, i ftuar në televizionin “Ora News”, Grillo theksoi se bënte tifo për Serbinë. Kjo nuk është pritur mirë në Kosovë, teksa mbrojtësi Amir Rrahmani, si dhe anëtari i bordit të gazetës “Express”, Berat Buzhala, kanë reaguar ashpër.
ssdsd

Gjithsesi, dje në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Grillo sqaroi gjithçka, duke iu kundërpërgjigjur edhe Rrahmanit e Buzhalës.

Kosta, pas asaj deklarate në TV, prisnit që të shkaktohej gjithë ky reagim?

Sinqerisht që nuk e prisja. Si për ironi të fatit, pas emisionit më është prishur telefoni dhe e kam zhbllokuar vetëm në drekën e sotme (të premten). Sapo e hapa, më kishin ardhur me qindra mesazhe dhe telefonata. U habita!

auto_dfg1529091305

Kishte mesazhe mbështetëse për ato që keni thënë apo fyerje ndaj jush?

Të gjithë më shkruanin: “Bravo të qoftë që ke thënë një gjë të vërtetë”

Na sqaroni edhe një herë atë që thatë gjatë emisionit?

Është shumë e thjeshtë. Brezi im është rritur duke ndjekur futbollin e ish-Jugosllavisë dhe gjithashtu ka dëgjuar në masë këngët serbe. Edhe pse këtu te ne nuk e shprehin dot hapur këtë, e them me bindje të plotë, se e pëlqejnë jashtë mase futbollin e ish-Jugosllavisë. Sa i përket asaj që kam thënë, ndryshimi është që unë nuk kam asnjë kompleks për ta shprehur atë që mendoj. Nuk më duket ndonjë problem të them se bëj tifo për Serbinë.

Unë jam tifoz me Holandën, por përderisa kjo kombëtare nuk merr pjesë në Botëror, atëherë do të bëja tifo për një vend ballkanik, në rastin konkret Serbinë. Jam 55 vjeç dhe bashkëmoshatarët e mi kanë qenë të gjithë simpatizantë të skuadrave serbe, qoftë Partizan i Beogradit apo Cervena Zvezdën. Gjithashtu ka pasur në atë kohë fansa të Dinamo Zagrebit dhe Hajduk Splitit.

E keni parë çfarë ka thënë Amir Rrahmani, lojtar i Kombëtares së Kosovës…?

Nuk jam aktiv në “Facebook”, por më kanë thënë se çfarë ka shkruar në rrjetet sociale. Rrahmanit i them që të gjithë kosovarët flasin gjuhën serbe dhe qëndrojnë me ata, pasi kanë miqësi. Të gjithë kosovarët kanë qenë tifozë me skuadra serbe, qoftë Partizan Beograd apo Cervena Zvezda. Ju e dini që jam menaxher futbolli prej 25 vitesh dhe ju them me bindje se në çdo vend të botës ku luajnë lojtarë kosovarë dhe serbë në një klub, qëndrojnë bashkë.

Flasin të njëjtën gjuhë. Edhe Rrahmani këtë bën. A flet serbisht Rrahmani në Zagreb…? Kudo që të shkoj të luajë dhe do të ketë serbë në ekip, në gjuhën serbe do flasë me ata. Nuk ka ndonjë gjë të keqe, po më bën përshtypje këtu se çfarë lidhje ka ajo që kam thënë unë me atë që ka shkruar Rrahmani. Nuk është aspak logjike, për më tepër që unë kurrë nuk i kam thënë një lojtari tradhtar. Edhe ai analisti që paska folur, tifoz i Partizan Beogradit ka qenë.

buzhala1

E keni fjalën për Berat Buzhalën, që përfaqëson gazetën “Ekspres” në Kosovë…?

Po, për atë. Berat Buzhala është ngjirur për Partizanin e Beogradit në kohën kur luante Fadil Vokrri. Kjo është krejt normale që kosovarët të bënin tifo për atë skuadër. Tani çfarë duhet të themi ne për të ndjerin Fadil, që ka veshur fanellën e një prej skuadrave më anti-shqiptare në histori si Partizani i Beogradit. Vokrrit iu bënë nderimet që i takonin si një legjendë që ishte, por ne nuk duhet të ngatërrojmë tani politikën me sportin. Pse duhet ta fsheh unë çfarë simpatizoj? Nuk është turp të them që jam rritur me zërin e Marko Markoviçit dhe Miljko Pantiçit, dy nga komentatorët më të mirë të asaj periudhe, që i ka dëgjuar gjithë Shqipëria.

grillo

Ndeshjet i shikonim në TV serbe, të njëjtën gjë bënin edhe kosovarët. Kjo është diçka që dihet botërisht, jo sepse e them unë. Këto reagime të tipit Rrahmani apo Buzhala janë komplet hipokrizi dhe s’kanë lidhje fare me atë që kam thënë unë. Ju them me sinqeritet, kam marrë me dhjetëra mesazhe nga mosha të ndryshme dhe nivele të ndryshme njerëzisht, të cilët më kanë komplimentuar për diçka të sinqertë që kam thënë. Unë ndjek edhe ekipet turke, çfarë lidhje ka kjo tani, që duhet të imponohemi se cila skuadër na pëlqen ose jo. Kur unë isha tifoz i Cervena Zvezdës, ashtu si shumë shqiptarë në Tiranë dhe vende të tjera, Buzhala dhe moshatarët e tij bënin tifo për Partizanin e Beogradit. Sipas idesë së Buzhalës, meqë Fadili ka veshur fanellën e Partizanit, ne duhet ta bënim armik!

Ju keni sjellë shumë lojtarë serbë në Shqipëri, ata shpesh janë shprehur se janë ndier shumë të respektuar…

Sigurisht, e thashë edhe më lart. Serbët bëhen menjëherë miq me lojtarët tanë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne