TIKA vazhdon mbështetjen për institucionet shëndetësore në Shqipëri

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për institucionet shëndetësore në Shqipëri, duke ofruar ndihmë në rikonstruksion dhe furnizimin me pajisje të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA ka realizuar rikonstruksionin dhe sigurimin e pajisjeve shëndetësore dhe të mobilieve, për Pikën e Ambulancës Tufinë, të Qendrës Shëndetësore Dajt, në Qarkun e Tiranës.

Në aktivitetin e inaugurimit ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe personeli shëndetësor i qendrës.

Ministrja Manastirliu, në një prononcim për mediat tha se në kuadër të programit kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore, donatorët mbështesin zhvillimin e kujdesit parësor shëndetësor.

“Falënderoj Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim të Qeverisë së Turqisë për mbështetjen që ajo na ka dhënë, jo vetëm për këtë ambulancë, ku ofrohet tashmë një shërbim sipas standardeve, por për gjithë mbështetjen që ajo na ka ofruar dhe për qendrat e tjera shëndetësore dhe ambulancat e tjera në të gjithë vendin. Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Shumë shpejt ne kemi edhe 5 autoambulanca të cilat vijnë në kuadër të mbështetjes së programit tonë të urgjencave kombëtare për shërbimin urgjencës, të cilat përsëri mbështeten nga TIKA”, theksoi Manastirliu.

Ndërsa zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, tha se TIKA po ofron një mbështetje shumë të rëndësishme për planin të cilin Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë zbaton në kuadër të strategjisë për sektorin e shëndetësisë.

“Të gjitha institucionet turke që janë në Shqipëri, përfshirë dhe TIKA-n do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë sektorit shëndetësor të Shqipërisë. Në bashkëpunim me institucionet shqiptare ne jemi të gatshëm për projekte edhe më të mëdha në fushën e shëndetësisë”, tha Cengiz.

TIKA me projektin në fjalë ka realizuar rikonstruksionin e godinës, ka siguruar pajisjet e ndryshme mjekësore dhe mobilimin e saj. TIKA që kur ka filluar angazhimin dhe aktivitetet e saj në Shqipëri, ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne