Institucionet urëlidhëse të Turqisë – TIKA

Në rubrikën tonë “Institucionet urëlidhëse të Turqisë” do të flasim për agjencitë, institutet, organizatat dhe institucionet turke që realizojnë projekte socio-kulturore të ndryshme në shumë vende dhe rajone anembanë globit, siç janë Instituti “Yunus Emre”, Departamenti për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB), Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kizilay) dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Në këtë kontekst, fillimisht do t’ju japim disa të dhëna rreth historikut të TIKA-s, kurse në rubrikën e radhës do të ndalemi shkurtimisht mbi aktivitetet e kësaj agjencie.

TIKA është themeluar në vitin 1992 për të zhvilluar një bashkëpunim të fuqishëm me hapësirat gjeografike që kanë lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Turqinë, me në krye republikat turke që fituan pavarësinë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit të Republikave Sovjetike Socialiste (BRSS) në vitin 1991.

Kjo agjenci, e cila mes viteve 1992-2002 ka realizuar 2.500 projekte me 12 zyrat e saj jashtë shtetit, falë politikës së jashtme aktive dhe parimore që Turqia ndjek, vazhdon të rrisë çdo ditë e më shumë numrin e shteteve në të cilat operon. TIKA është sot një organizatë globale që operon në 170 vende me 61 Zyra të Koordinimit të Programit në gjithsej 59 shtete. Me anë të projekteve të realizuara nga TIKA në vendet miqësore, Turqia synon të ndërtojë një brez paqësor.

Në përputhje me kursin e caktuar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan duke thënë se “Turqia do të shkojë pranë nevojtarëve anembanë botës për t’i ndihmuar ata sadopak”, TIKA e zgjat dorën e ndihmës çdo vit për më shumë zona dhe njerëz. Kudo që shkon, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim vazhdon të prodhojnë dhe sendërtojë projekte cilësore në çdo fushë të jetës së njeriut që nga lindja e deri në vdekje, me në krye arsimin dhe shëndetësinë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne