Tirana dha Prishtina mirëpresin ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Shqipëria dhe Kosova kanë përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Maqedonisë, me të cilat do të ndryshohet emri në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Reagime nga drejtuesit e lartë të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetet sociale shkruan se Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dëshmoi guxim, vizion dhe vetëdije të lartë, duke votuar për ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës, që shënojnë, sipas tij, hapin final drejt ndryshimit të emrit të vendit.

“Vendimi i tyre nuk ka qenë fare i lehtë, as popullor, por ishte vendim i duhur, i cili tejkalon interesat partiake për shtetin dhe qytetarët. Republika e Maqedonisë apo Maqedonia Veriore, siç do të quhet tani, bëri një hap të madh përpara, duke i hapur perspektivë stabilitetit politik, vazhdimit të reformave dhe integrimit të vendit në institucionet veriatlantike, për t’iu garantuar jetë më të mirë qytetarëve dhe brezave të rinj”, thuhet në reagimin e Thaçit.

Thaçi shkruan se viti 2019 duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha edhe për Kosovën, sipas tij, vit kur duhet të përmbyllet edhe konflikti shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në rrjetet sociale shkruan se përshëndet votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, duke e konsideruar këtë votim, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj.

“Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqes së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, shkruan Haradinaj.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili edhe ai në rrjetet sociale shkruan se ky vendim zhbllokon njëherë e mirë rrugën e integrimeve dhe përshpejton anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm të Maqedonisë por të mbarë rajonit.

Meta dhe Ruçi përshëndesin miratimin e ndryshimeve kushtetuese

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kanë përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Presidenti Meta, përshëndet konsensusin e arritur në Parlamentin e Maqedonisë dhe votimin në favor të ndryshimeve kushtetuese që do t’i japin jetë Marrëveshjes së Prespës dhe i çelin Maqedonisë përfundimisht rrugën euroatlantike”, thuhet në reagimin e Metës, publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë këtë votim e ka konsideruar si një vendim të rëndësishëm historik për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka realizuar një bisedë telefonike me homologun tij të Maqedonisë, Talat Xhaferi, duke e uruar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Lidershipi juaj dhe deputetët shqiptarë, përcaktues të Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut, vizion e kontribut për paqen e stabilitetin rajonal dhe vullnet popullor për integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria, fqinje, mbështetëse dhe partnere e Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Ruçi, gjatë bisedës me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar në rrjetet sociale, ku ka shkruar se për këtë proces kontributi i partive politike shqiptare u dëshmua si faktor vendimtar.

“Votimi përfundimtar i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti është një demonstrim i qartë i aftësisë politike për të zhbllokuar rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Kontributi i partive politike shqiptare edhe njëherë u dëshmua si faktor vendimtar”, shkruan Bushati.

Ndërkohë për këtë votim ka reaguar edhe kryetari i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Lulzim Basha, duke e konsideruar votimin si hap historik për konsolidimin e rajonit si pjesë e familjes Euroatlantike.

Kujtojmë se me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve apo 81 vota, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar të premten vonë katër amendamentet me të cilat do të ndryshohet emri kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi që Marrëveshja e Prespës të ratifikohet edhe nga pala greke.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne