Tirana të marrë shembull nga Teherani për luftën antikorrupsin

Pavarësisht nga zhurma e rrëmeti për reformën në drejtësi, për luftën kundra korrupsionit për… rezultatet janë zhgënjyese.  Këshillat euro-amerikane për këto tema të nxehta janë të tipit: merre me lëng, se mishi mbaroi! Mburrjet e ambasadorit Lu për kapjen e peshqve të mëdhenj u katandisën në kapjen e ca cironkave, përjashtim bën këtu familja biologjike e ish deputetit bandito-rilindas në Lezhë, që më shumë se luftë antikrim është ekpseditë ndëshkuese e Ilir Metës, kundra Franëve dhe Ndocëve, që guxuan ta sfidojnë atë. Përrallat e Sorecca-s së BE-së për luftën antikorrupsion në thelb nuk ndryshojnë nga llafollogjija e paraardhëses së tij Vllahutin, që e konkretizoi luftën antikorrupsion në Shqipëri duke blerë me tre fishin e vlerës së tregut një vilë në të ashtuquajturin “Fshati i hajdutëve”. Kjo vilë për turp të Zotit u ble me paratë e taksapaguesve evropianë. Përgjërimet për luftë antikorrupsion të zonjës Lajla zv/shefe misioni dhe ambasadore në detyrë e SHBA-së në Tiranë janë po aq false e mashtruese sa deklaratat e saja me shkrim në verën e v. 2018 për gjoja hapjen e bisedimeve për anëtarësim të BE-së me Shqipërinë. Sot këto bisedime u rishtynë për në vjeshtën e v. 2019, duke ia nxjerrë bojën gënjeshtrave aspak diplomatike të nr. 2 të Ambasadës Amerikane në Tiranë!

TEHERANI

A  ka shprësë për zhvillime pozitive në luftën kundra korrupsionit galopant në Shqipëri??? Sigurisht që po. Tirana mjafton të ketë guxim e të ndjekë shembullin e Teheranit dhe padyshim do të arrijë suksese spektakolare në këtë drejtim. Në një shkrim të kësaj të shtune në Washington Post (marrë nga Associated Press)trajtohet procedimi penal dhe dënimi me burg për korrupsion e shpërdorim fondesh shtetërore të Hossein Fereidoun-it, që është vëllai i Presidentit të Iranit, Sh.T. Hassan Rouhani. Vëllai i presidentit iranian po hetohet (dhe u dënua me burg në Gjykatën e Faktit në Teheran) për abuzime të kryera në vitin 2016.

TIRANA

Nëse gjyqësori shqiptar, prokuroria shqiptare do të duan të fitojnë besimin e publikut, le të guxojnë të hetojnë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edvin Rama për një sërë akuzash nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te trafikimi i narkotikëve, nga shkelja e barazisë së shtetasve në tendera te famëkeqet partneritete publik-private. Publikisht sfidoj Prela-Markat e prokurorisë të nisin hetimet për z. Olsi Rama duke marrë shembull nga lufta antikorrupsion në Teheran.

Është turp i madh, që dy vende anëtare të NATO-s, dy vende aspirante për t’u anëtarësuar në BE përkatësisht Shqipëria dhe Mali i Zi ta kenë zili Iranin përsa i përket luftës antikorrupsion. Në Podgoricë, Aco Gjukanovici vëllai i Millo Gjukanovicit, “Gospodarit” të Malit të Zi gëzon imunitet total nga ligji, prokuroria dhe gjykatat. Në Tiranë, Olsi vëllai i Edvinit kryeministër është mbi ligjin shqiptar sipas parimit të Fermës së Kafshëve të Xhorxh Oruellit: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë (Olsi) janë më të barabarta se të tjerat. Në Teheran Hosseini vëllai i Presidentit të Iranit dënohet me burg për korrupsion! Faktet janë kokëfortë dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se në cfarë derexheje është katandisur Atdheu ynë i dashur nën udhëheqjen e Skënderbeut të ministres Spiropali.

P.S.

Lexuesi është i lirë ta klasifikojë këtë shkrim, qoftë si satirë, qoftë si një realitet, që të ngjeth mishtë.

/GJERGJI THANASI/GAZETA IMPAKT

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne