Tjetërsimi i Islamit dhe i muslimanëve në Amerikë

HATEM BAZIAN

Tjetërsimi i muslimanëve dhe Islamit nga Trampi dhe administrata e tij ka zgjuar nga gjumi një shoqëri civile gjigande, një mirësjellje njerëzore e udhëhequr nga imperativat universale etike dhe morale që së shpejti do të sjellin kundër-tregimin e kësaj çështjeje

Që nga themelimi i saj, SHBA është përpjekur vazhdimisht për të përcaktuar identitetin e saj dhe për të klasifikuar ata që i përkasin dhe ata që janë të izoluar. Që nga ditët e para të republikës, afrikano-amerikanët dhe amerikanët vendas nuk ishin pjesë e “Ne Populli”, dhe iu mohua anëtarësimi i plotë në shoqërinë e sapo formuar, ndërsa grave të bardha, edhe pse përfshihen si anëtare në kategorinë racore, iu mohuan të drejtat e barabarta dhe e drejta e votimit sipas Kushtetutës amerikane.

Përjashtimi strukturor dhe tjetërsimi është shkruar në ADN-në e vendit gjatë themelimit të tij, dhe vazhdon të jetë teknika e përdorur rregullisht për të drejtuar dhe për të ndërtuar një identitet kombëtar. Ndjekja e historisë së SHBA-së na çon nëpër një rrugë të gjatë, një rrugë e egër dhe torturuese tjetërsimi, dhune dhe përjashtimi që ka prekur çdo grup që ka shkuar në brigjet e vendit: nga italianët, hebrenjtë, anglezët, rusët, kinezët, vietnamezët, japonezët, koreanët, meksikanët, kubanezët, salvadorianët, deri në ditët e sotme te sirianët, afganët, somalezët, nigerianët, jemenasit, arabët, emigrantët e tjerë muslimanë dhe refugjatët.

Si pasojë, tjetërsimi në SHBA-në e vjetër të mirë është aq amerikan sa byreku me mollë!

Kuptimi i tjetërsimit të muslimanëve

Çfarë nënkuptojmë kur ngrejmë çështjen e tjetërsimit të Islamit dhe muslimanëve në Amerikën e sotme? Tjetërsimi është një fenomen multidimensional që përfshin shënjestrimin e sanksionuar shtetëror të individëve dhe komuniteteve, mbikëqyrjen intensive dhe sigurimin, format e përshtatura të kufizimeve ligjore, mënyrat e përjashtimit të shoqërisë civile, kufizimin e rritur të lëvizjes dhe një breshëri negative mediatike, e detyruar nga elita dhe korporatat. Në thelb, një grup tjetërsimi është ndërtuar që të jetë diçka e huaj për trupin nacional të përcaktuar, kështu që është konceptuar dhe trajtuar si një armik i brendshëm që nuk i përket kombit.

Muslimanët dhe Islami janë një kategori e tjetërsuar në SHBA me nivele multidimensionale përjashtimi dhe me forma diskriminimi racor ndaj individëve dhe grupeve. Proçesi i tjetërsimit drejtuar muslimanëve u nis ​​nga elitat politike të krahut të djathtë që dëshironin të krijonin një strategji për të kundërshtuar pushtetin në një epokë pas Luftës së Ftohtë. Pasi perandorisë së kuqe të keqe i erdhi fundi, mori formë makineria për përpilimin e një kërcënimi të gjelbër, dhe teza e përplasjes së qytetërimit të Hantingtonit siguroi ndryshimin e nevojshëm dhe shfrytëzimin e racizmit kulturor si bazë për diferencimin dhe armiqësinë. Racizmi kulturor, baza për tezën e përplasjes së qytetërimit, është ripërtëritja e racizmit biologjik të periudhës para Luftës së Dytë Botërore, dhe në periudhën e tanishme vepron si një shtyllë drejtuese për të njëjtat grupe me qëndrime raciste dhe perspektiva që janë vendosur që në versionin biologjik.

Në këtë kontekst, tjetërsimi ka të bëjë më pak me Islamin apo me vetë muslimanët dhe jetën dhe shpresat e tyre në Amerikë, dhe më shumë ka lidhje me pasigurinë e shoqërisë si një e tërë. Projekti i tjetërsimit është duke u përpjekur të përcaktojë politikën, kulturën, ekonominë, fenë dhe identitetin, duke zmadhuar dallimet nga Islami dhe muslimanët, dhe më pas duke i transformuar ata në një kërcënim ekzistencial në mendjen e publikut amerikan në mënyrë që të krijojnë një ndjenjë fiktive të unitetit patriotik. Këtu, SHBA-ja është më pak e sigurt dhe konfidente për të sotmen dhe të ardhmen e saj, duke marrë parasysh të gjitha ndryshimet globale politike, ekonomike dhe sociale që po ndodhin. Tjetërsimi i brendshëm i Islamit dhe i muslimanëve është argëtimi i përsosur për populistët, që e përdorin atë për të rrëshqitur në rrugën e tyre drejt vendeve të pushtetit me retorika helmuese që premtojnë restaurim dhe madhështi.

“Bëje Amerikën të madhe përsëri” është pikërisht thirrje për një restaurim të një të shkuare të idealizuar dhe të lavdëruar, ku rendi politik, shoqëror dhe fetar ishte vendosur rreth një identiteti të vetëm që përjashtonte të tjerët. Çka shkaktoi dobësimin e Amerikës, sipas populistëve të krahut të djathtë, ishin multi-kulturalizmi i gabuar, korrektësia politike, politikat e identitetit, refugjatët, emigracioni i paligjshëm dhe rregulloret e rënda. Shtuar në këtë listë është edhe faji konstant i hedhur ndaj Meksikës, Kinës, Japonisë dhe Evropës për mashtrim të Amerikës në marrëveshjet e tregtisë apo për mungesën e drejtësisë në treg. Vini re se të gjitha këto pika theksojnë dikë apo diçka ndryshe nga elita e vendit, e cila ka plaçkitur SHBA-në, ka shkatërruar tokën e burimeve të saj, ka kryer luftëra të pafundme ndërhyrëse dhe ka konsumuar paratë e fituara me vështirësi nga njerëzit punëtorë të këtij vendi të madh. Populistët mobilizojnë një fanatizëm injorant për të turbulluar shkaqet reale për rrethanat e vendit.

Pasi republikanët humbën Shtëpinë e Bardhë, Kongresin dhe Senatin përballë  Barak Obamës në zgjedhjet e vitit 2008, strategjia populiste e tjetërsimit u pozicionua duke përdorur Islamin dhe muslimanët si mburojë për të përzënë zemërimin e krahut të djathtë për një humbje të supozuar të vendit. Ish-presidenti Obama ishte objektivi ideal për një strategji tjetërsimi të krahut të djathtë duke pasur parasysh kompleksitetin e identitetit të tij, të kaluarën dhe lidhjen e dokumentuar me Islamin përmes babait të tij. Motoja “duke e kthyer vendin tonë pas” ka lindur menjëherë pas zgjedhjes së Obamës dhe fokusonte Islamin dhe muslimanët si fajtorë. Në mënyrë të përshtatshme, sulmet e krahut të djathtë ndaj Obamës si një fekale muslimane u pasqyruan me një kërkesë për të përkufizuar saktësisht luftën kundër terrorizmit si një luftë kundër islamit radikal, dhe disa madje kërkuan një luftë të vetë Islamit. Ditët “Islami është paqe” të Presidentit Bush kishin shkuar me kohë dhe ishin zëvendësuar nga një gjullurdi për të tjetërsuar Islamin dhe muslimanët, ndërsa ngatërronin gjithë axhendën e Obamës. Dukshmëria në rritje e Islamit dhe e muslimanëve në peisazhin e Amerikës dha një tjetër mundësi për të bërë dallimin mes të shkuarës ideale dhe të tashmes problematike dhe të ndryshme të përfaqësuar nga administrata Obama.

Amerikanët muslimanë janë nën rrethim nga administrata aktuale dhe kasti i karaktereve në Shtëpinë e Bardhë dhe dega ekzekutive janë një arsye e mirë për të qenë dyfish i shqetësuar në ditët dhe muajt që do vijnë. Urdhri ekzekutiv që themeloi ndalimin e dytë të udhëtimit është ende në sfidë nëpër gjykata, por ndikimi më i madh është institucionalizimi i tjetërsimit të Islamit dhe muslimanëve nga administrata e Trampit.

Edhe pa ndalimin, Agjensia e Kontrollit Kufitar dhe të Doganave në SHBA sidoqoftë drejtohet ideologjikisht, duke treguar një fokus më të madh për të gjithë muslimanët që vijnë dhe ikin nga të gjitha portet e hyrjes. Historitë e “skanimit të dytë rastësor”, pyetjet në lidhje me sfondin fetar si dhe kërkesat për të ndërhyrë në pajisjet elektronike të udhëtarëve amerikanë muslimanë janë në rritje. Në mesin e një sektori të caktuar të krahut të djathtë, një qëndrim i hapur armiqësor dhe i dhunshëm është bërë popullor që nga fitorja e Trampit, dhe shpesh i drejtohet amerikanëve muslimanë pasi ata kanë qenë në krye të sezonit negativ të fushatës. Fitorja e Trampit është parë si një miratim i racizmit, fanatizmit dhe tjetërsimit të muslimanëve, dhe administrata e tij nuk e ka me nxitim që të ndryshojë diskursin kombëtar apo disponimin e vendit për këtë çështje.

Nëpër disa shtete dhe qarqe të kuqe, projektet e xhamive po përballen me një rinovim rezistence në formën e klauzolave ​​jo bindëse të përdorura për të mohuar ndërtimin apo zgjerimin e lejeve. Disa nga këto raste do të përfundojnë në gjykatë me siguri, por muslimanët amerikanë nuk presin që Departamenti i Drejtësisë t’u vijë në ndihmë në bazë të lirisë fetare, duke pasur parasysh sfondin e administratës aktuale. Unë vërtetë e qortova ish-Presidentin Obama për përdorimin e droneve dhe për çështje të tjera, megjithatë, nën administrimin e tij, Departamenti i Drejtësisë mbrojti të drejtat e komuniteteve amerikane muslimane për të ndërtuar xhami në baza kushtetuese.

Menjëherë pas zgjedhjeve më 8 nëntor, Qendra Ligjore e Varfërisë Jugore dokumentoi rreth 600 raste të krimeve të urrejtjes në gjithë vendin dhe një numër të madh të tyre që u janë drejtuar muslimanëve amerikanë, siksëve dhe emigrantëve latinë. Për shkak të veshjeve të tyre të dukshme dhe hixhabit, gratë muslimane amerikane kanë qenë në shënjestër në mënyrë disproporcionale nga racistët dhe fanatikët pas zgjedhjeve. Më alarmante, pas ardhjes së Trampit në pushtet në vitin 2017, komuniteti musliman amerikan ka dëshmuar sulme ndaj 23 xhamive dhe qendrave islame, disa prej të cilave janë djegur komplet. Në të gjitha këto incidente të regjistruara, President Tramp, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer dhe figurat e larta të administratës nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme në mbrojtje të muslimanëve amerikanë. Në të vërtetë, në Amerikën e sotme, fanatikët gjejnë më shumë ngushëllim dhe mbështetje nga banuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe udhëheqësit në administratën e tij. Islamofobia dhe racizmi kulturor i përplasjes së civilizimeve janë shëndoshë e mirë në Shtëpinë e Bardhë me Steve Bannon, Frank Gaffney, dhe Sebastian Gorka në krye, dhe amerikanët muslimanë janë ideologjikisht, sistematikisht dhe strukturialisht në shënjestër nga kjo administratë.

Këndvështrimi i ekipit të Trampit mbi Islamin

Shtuar në përzierjen e mësipërme toksike është edhe përcaktimi i Vëllazërisë Muslimane (MB) si një organizatë terroriste, dhe pastaj përdorimi i kësaj për të shënjestruar organizatat muslimane amerikane mbi pretendimet e shoqërimit me MB dhe / ose sigurimin e mbështetjes materiale për të. Qëllimi i industrisë islamofobike është që t’i presë kokën infrastrukturës organizative Muslimano-Amerikane dhe lidershipit të saj, në mënyrë që të zbrazë terrenin për botëkuptimin e tyre të shtrembëruar, konspirativ dhe millenarian. Administrata e Trampit i sheh muslimanët dhe Islamin nëpërmjet lentes së një historie Kryqtare me emigrantë dhe refugjatë, duke presupozar një strategji të madhe politike dhe një pushtim demografik i Perëndimit me kalin Trojan islamik. Kështu, muslimanët dhe Islami përdoren si kërcënimi trans-historik që ka nevojë për një bashkim të brendshëm rreth një identiteti të krishterë ose, më saktë, një identitet i bardhë i krishterë. Për më tepër, pavarësisht përfshirjes dhe strehimit të bërë për sionizmin, Izraelin dhe si konkluzion për hebrenjtë në administratën e tanishme, botëkuptimi konspirativ që nget këtë tren të së djathës është thellësisht anti-semit dhe armiqësor ndaj hebrenjve deri në palcë. Dyshimi për një hebre amerikan do të jetë nëse mbështetja dhe mbrojtja e Izraelit është i vetmi shkop matës për administrimin, apo nëse një kritikë e thellë do të dalë në ditët dhe muajt që do të vijnë, si edhe nëse do të ndodhë apo jo një aleancë e vërtetë me muslimanët kundër ngritjes së valës së fashizmit në vend.

Së fundi, në një shënim më pozitiv, batica politike, sociale, kulturore dhe fetare në pjesë të vendit është vërsulur në drejtim të amerikanëve muslimanë në mënyra shumë vendimtare dhe të pakthyeshme. Segmentet kryesore të shoqërisë civile në të gjithë vendin janë bashkuar rreth komunitetit të tjetërsuar musliman amerikan dhe kanë filluar të ndërmarrin hapa të dukshme dhe të matshme drejt akteve sfiduese të solidaritetit. Asnjë nuk mund ta nënvlerësojë jehonën e të gjitha këtyre përpjekjeve të shoqërisë civile që filluan gjatë fushatës së vitit 2016 dhe që, në vlerësimin tim, do të arrijnë kulmin në zgjedhjet afatmesme të vitit 2018. Tjetërsimi i muslimanëve dhe Islamit nga Trampi dhe administrata e tij ka zgjuar nga gjumi një shoqëri civile gjigande, një mirësjellje njerëzore e udhëhequr nga imperativat universale etike dhe morale që së shpejti do të sjellin në krye një kundër-tregim. Është kjo pjesë e shoqërisë që do të ketë fjalët e fundit në diferencën midis fakteve dhe fanatizmit! / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne