Trafikonin klandestinë drejt Malit të Zi, goditet grupi kriminal në Shkodër

Goditet një rast i trafikimit të qënieve njerëzore. Operacioni policor i koduar “Gre-Hot” çoi në pranga pesë persona, ndërsa një i gjashtë është shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë

Ndue Ulaj, 33 vjeç, banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe

Sajmir Karaj, 34 vjeç, banues në Tiranë

Florind Tole, 26 vjeç, banues në Tiranë

Griseld Dekovi, 24 vjeç, banues në lagjen Dobraç, Shkodër

Gjokë Murçaj, 33 vjeç, banues në lagjen Partizani, Shkodër

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. P.

Policia thotë se “arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë hetimeve të zhvilluara nga ana e strukturave të Policisë, këto shtetas siguronin pritjen, transportimin dhe ambientet e akomodimit si hotele dhe shtëpi banimi për shtetasit e huaj të vendeve të treta, kryesisht sirianë, dhe bënin të mundur trafikimin e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Malit të Zi me destinacion përfundimtar vendet e BE-së”.

Ky grup i strukturuar kriminal në trafikimin e qenieve njerëzore ushtronte aktivitetin nga shteti i Greqisë në qytetet Korçë- Elbasan- Tiranë- Lezhë- Shkodër- Malësi e Madhe dhe më pas kalimi në Malin e Zi.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 automjete të cilat përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj, një sasi eurosh që iu gjetën personave të arrestuar dhe dhjetëra  telefona celularë dhe karta SIM.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne