Trampi takon presidentin palestinez në Betlehem

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas janë takuar në qytetin e Bethlehemit të Bregut Perëndimor.

Takimi u mbajt të martën, ditën e fundit të turneut të Trampit në Lindjen e Mesme, dhe pas bisedimeve të tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu në Jeruzalem el-Kuds një ditë më parë.

“Unë jam i vendosur që të përpiqem të arrij një marrëveshje paqeje midis izraelitëve dhe palestinezëve, dhe kam ndërmend të bëj gjithçka që mundem për t’i ndihmuar ata që të arrijnë këtë qëllim”, tha Trampi pas bisedimeve me presidentin palestinez.

Abbas theksoi se palestinezët preferojnë zgjidhjen e konfliktit me Izraelin përmes së ashtuquajturës zgjidhje me dy shtete, dhe se ata e duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm palestinez.

“Problemi ynë është me okupimin, vendbanimet dhe dështimin e Izraelit për të njohur shtetin e Palestinës … Problemi nuk është midis nesh dhe judaizmit, është midis nesh dhe okupimit”, tha ai.

Në shkurt, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë njoftoi një ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme të SHBA-së lidhur me çështjen palestineze, duke sugjeruar se nuk do të këmbëngulte më në ofertën dy shtetërore nën të cilën do të formohej një shtet palestinez.

Abbasi gjithashtu theksoi se “çelësi i paqes” në Lindjen e Mesme ishte pavarësia dhe liria e popullit palestinez.

Ai më tej i bëri thirrje Izraelit që të pajtohet me “kërkesat e drejta dhe njerëzore” të qindra të burgosurve palestinezë që janë në ditën e 37-të të një greve urie të hapur, të quajtur Greva e Lirisë dhe Dinjitetit.

Që nga 17 prilli, më shumë se 1,600 të burgosur palestinezë kanë refuzuar ushqimin për të denoncuar kushtet e ashpra në burgjet izraelite.

Më herët Abbas shprehu shpresën se bisedimet do të ishin “të dobishme dhe të frytshme” dhe do të “sjellin rezultate” për një zgjidhje të mundshme të konfliktit dhjetëravjeçar midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Ka spekullime se presidenti palestinez do t’i bënte lëshime të mëdha palës izraelite në përpjekjet e mundshme për të siguruar një marrëveshje. Një zyrtar pranë Organizatës Palestineze të Çlirimit (PLO) tha së fundmi se gjatë vizitës së Trampit, Abbasi do të propozonte shkëmbimin e 6.5 përqind të territorit palestinez me Izraelin, më shumë se trefishi i shumës së paraqitur në një iniciativë të mëparshme të shkëmbimit të tokës.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Netanjahun të hënën, Trampi mirëpriti atë që ai e quajti “angazhimin e kryeministrit izraelit për të ndjekur paqen”, duke thënë se “ai po punon shumë për të – nuk është e lehtë. Kam dëgjuar se është një nga marrëveshjet më të vështira. Por unë kam një ndjenjë se ne do të shkojmë atje përfundimisht. Shpresoj”.

Kjo ndërsa Netanjahu është i njohur për faktin se ka shpërdoruar seriozisht mundësinë e një marrëveshjeje me palestinezët, ndër të tjera duke ushqyer kërkesat e ekstremistëve të djathtë në koalicionin e tij në pushtet. Një manifestim i kësaj ka qenë zgjerimi i ndërtimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara, të cilat palestinezët i duan si pjesë e një shteti të ardhshëm.

Kjo politikë ka ngritur shqetësime në të gjithë botën, dhe është fajësuar në mënyrë specifike për një dështim në arritjen e një marrëveshjeje. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne