Tregu i Kosovës i mbushur me mallra serbe, MTI dhe Dogana nuk e dinë se si kanë hyrë në Kosovë

Rreth 7 milionë euro vlerë të mallrave serbe u importuan muajin e fundit në Kosovë. Të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importi nga Serbia shënonte vlerën e 87 milionë eurove.

Kjo, si rezultat i vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia e Bosnja.

Megjithatë, rezultati i gjithë kësaj nuk ishte ai i prituri. Si përfundim, dita ditës po evidentohet sasi jo e zvogëluar e produkteve serbe në treg, ani pse importi ka shënuar rënie drastike.

Por, nga po hyjnë të gjitha këto mallra serbe në Kosovë, si dhe a është rritur kontrabandimi i tyre nga Serbia?

Si përgjigje tjetër ndaj kësaj pyetje, subjekte të ndryshme thonë se kompanitë importuese kanë qenë të furnizuara me stoqe, të cilat ende nuk janë shteruar.

Blerim Nikqi, menaxher në kompaninë “Elkos”, pronar i së cilës është deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, për lajmi.net mohon se kjo kompani ka qenë në dijeni për vendimin e Qeverisë, para vendosjes së taksës.

Thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka pasur aspak impakt në këtë kompani.

“Kompania jone është distributor ekskluziv per Repuiblikën e Kosovës i mbi 70 brendeve më të mëdha botërore. Për sa i përket takses se vendosur nga Qeveria jone ndaj mallrave me origjinë nga Serbia nuk kemi qenë në dijeni deri në momentin e vendosjes”, thuhet në përgjigjen e Nikqit për lajmi.net.

“Për neve ky vendim i Qeverisë nuk ka fare impakt në biznesin tonë, pasi që ne kryesisht furnizohemi nga vendet e BE-së, Turqia, dhe vendet tjera me te cilat kemi bashkepunim”, ka thënë tutje ai.

E lajmi.net ka siguruar sasinë e stoqeve të produkteve serbe në kompaninë tjetër të madhe importuese, “Migros”. Të njëjtat, jo në sasi të madhe janë shitur në kohë rekord tek marketet nga kjo kompani.

FOTO-

Policia e Kosovës që nga vendosja e taksës ka kryer 204 patrullime kundër kontrabandimit me mallra.

Po ashtu, rreth 9 plane operative janë hartuar nga Policia kundër kësaj dukurie. Kjo ka rezultuar me zbulimin e 91 rasteve të kundërvajtjeve doganore.

Nëpër cilat rrugë po hynë këto mallra serbe në Kosovë, nuk është në dijeni as ministria e Tregtisë e udhëhequr nga Endrit Shala i Nismës Socialdemokrate.

Përmes një përgjigje me shkrim nga kjo ministri thonë se kanë bashkëpunim të mirë me Doganat e Kosovës, mirëpo se nuk mund të flasin për një fushë të cilën ata thonë se nuk u takon atyre, ani pse për mbikëqyrjen e mallrave është kompetent inspektoriati i tregut, i cili funksionon në kuadër të ministrisë së Tregtisë.

MTI ka bashkëpunim shumë  të mirë me Doganat e Kosovës, por kontrollin kufitar e kryen Dogana e Kosovës bashke me Policinë e Kosovës. Ne nuk mund të flasim per nje fushë që nuk është në domenin e MTI-së”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Një çështje e tillë është shtruar edhe në Kuvendin e Kosovës, teksa ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se subjektet importuese kanë pasur rezerva të mëdha të mallrave të cilat me gjasë nuk janë shpenzuar.

Sido që të jetë, në dijeni ose jo nga institucionet e vendit, në tregun kosovar po vazhdon qarkullim i madh i mallrave serbe, dhe të njëjtat po shiten me të madhe tek konsumtarët.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në Doganën e Kosovës lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne