Trump dhe retorika e tij e ashpër: Kërcënim për botën apo për vetë Amerikën?

Që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet presidenciale të SHBA vitin e kaluar, presidenti aktual i SHBA, në atë kohë kandidat i partisë republikane për president, Donald Trump, ka përdorur një retorikë e cila nga shumë analistë politikë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, është konsideruar e rrezikshme për popullin amerikan.

Duke pasur parasysh se SHBA nën administrimin e ish presidentit Barak Obama, edhe përkundër shumë gabimeve në politikën e jashtme, në fund të mandatit të tij ishte nënshkruar një marrëveshje historike botërore e negociuar me dekada, marrëveshja bërthamore me Iranin. Pra, lirisht mund të thuhet se retorika e ashpër e Donald Trump, president i SHBA, ka filluar nga këtu, duke vazhduar pastaj me çështjen e emigrantëve, problemin e murit me Meksikën, çështja e njohur si Obamacare dhe së fundi një konflikt i ashpër verbal i tij përballë Koresë së Veriut. Padyshim se një nga kërcënimet më serioze për vetë popullin amerikan, është rasti i fundit me shtetin komunist i cili konsiderohet një fuqi bërthamore. Duke u gjetur përballë gjithë këtyre problemeve, Trump kohëve të fundit ka filluar ”reformimin” e Shtëpisë së Bardhë, për të vënë nëpër pozicione njerëz të cilët mund t’i kontrollojë më lehtë. Për të nuk kishte mjaftuar dhënia e posteve kyçe për familjarët e tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai pos vajzës së tij, ka angazhuar në poste të larta edhe dhëndrin e tij, i cili kohëve të fundit po akuzohet për lidhje të ngushta dhe kontakte me zyrtarë rusë gjatë fushatës së Trump. Në historinë e SHBA, nuk ka ndodhur asnjëherë që një president i këtij vendi të gëzojë kaq pak autoritet, duke pasur parasysh këtu edhe kundërshtimet publike të kundërshtarëve të tij por edhe të anëtarëve të partisë nga e cila vjen vetë Trump.

Presidenti amerikan i cili njihet për deklaratat e tij pompoze përmes rrjetit social Twiter, nuk ka hezituar në shumë raste të kërcënojë disa shtete me përdorim të sulmeve ushtarake, por për çudi ai, sa i përket trendit politik amerikan karshi Rusisë që gjithmonë kanë qenë rival të përbetuar, ka qenë më i qetë, bile asnjëherë nuk ka dalur publikisht të akuzojë Rusinë apo homologun e tij rus, por gjithmonë ka qenë i rezervuar ndaj tij. Rasti më eklatant i cili e bën presidentin amerikan të rrezikshëm për vetë qytetarët amerikanë, janë kërcënimet e tij me sulme ushtarake kundër Koresë së Veriut. Edhe kjo e fundit nuk ka kursyer aspak retorikën e saj për të kërcënuar jo vetëm ushtrinë amerikane, por edhe vetë qytetarët amerikanë si dhe aleatët e SHBA në rajon. Nuk ka dyshim se një konflikt i mundshëm ushtarak midis SHBA dhe Koresë Veriore nuk do të përbënte kërcënim vetëm për Amerikën dhe amerikanët, por do të ishte fatal për mbarë njerëzimin, duke pasur parasysh se të dy vendet posedojnë armë të shkatërrimin në masë, e që njëri prej tyre gjatë historisë i ka përdorur ato./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne