Trump i shkruan Hashim Thaçit për marrëveshje me Serbinë

Presidenti i SHBA-së u kërkon udhëheqësve kosovarë të angazhohen për një marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë. Ata thonë se është detyrim i Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht SHBA-së.    

Presidenti i SHBA-së Donald Trump i ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në të ai i nxit udhëheqësit politikë të Kosovës që të arrijnë marrëveshje paqësore me Serbinë. Letra e Presidentit amerikan që mban datën (14.12) u publikua nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe menjëherë u mbështet edhe nga dy udhëheqësit tjerë të institucioneve më të larta, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri.

Në letër Presidenti Trump shkruan duke ju drejtuar Presidentit të Kosovës: “Ishte kënaqësi të flisja me Ju në Paris gjatë shënimit të Ditës së Armëpushimit. Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe stabilitetin për të gjithë Evropën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, shkruan në letër Donald Trump, i cili nxit më tej liderët kosovarë që të flasin me një zë.

“Unë ju nxis Ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi Juaj të vazhdojë të zhvillohet”, thuhet në letrën e Trump-it, i cili konfirmon gatishmërinë e SHBA-së që të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Ne jemi të gatshëm që t’Ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksander Vuçiç, për të festuar atë që do jetë një marrëveshje historike”, thuhet në letrën e presidentit të SHBA-së Donald Trump dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi: Kosova e ka detyrim t’i përgjigjet pozitivisht SHBA

Ky i fundit, i cili gjatë gjithë fazës së dialogut me Serbinë vazhdimisht ka theksuar nevojën e përfshirjes së SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, thotë se “është detyrim që Kosova t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA-së”, sepse sipas tij, realizimi i synimeve të Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe OKB, është i pamundur pa përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.

“Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan. Bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke. Mirëpo ne duhet të dimë ta ruajmë dhe forcojmë këtë partneritet që kemi. Respekti dhe ndihma duhet të jenë reciproke dhe jo të njëanshme. Prandaj, është detyrim yni që t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjeve dhe kërkesave miqësore, që vinë nga SHBA-të”, thotë Presidenti Hashim Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nga ana e tij thotë se letra e Presidentit amerikan Donald Trump, “është një mesazh i qartë përkrahës për Kosovën dhe shtetësinë e saj”.

“Dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemeve dhe thirrja e Presidentit të SHBA-ve është thirrje për të gjithë aktorët në politikë që t’i bashkohen rrugëtimit tonë në dialog për njohje të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, shkruan Kadri Veseli, i cili u bën thirrje dy partive politike opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes që t’i bashkohen ekipit negociator për dialog me Serbinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se e mbështet angazhimin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

“Si kryeministër i Qeverisë së Kosovës mbështes fuqishëm çdo përpjekje për unifikim të qëndrimeve të spektrit politik dhe përgatitjeve të shpejta për përmbylljen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obligative ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, shkruan kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj gjatë një takimi jo të lehtë që pati në Bruksel me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, kërkoi që në këtë proces të jetë e përfshirë drejtpërdrejt edhe SHBA.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne