Trump po i dërgon SHBA-të drejt tiranisë

Nga Paul Krugman, The New York Times

Fill pas shembjes së Murit të Berlinit, një miku im – ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare – bëri një shaka: “Tani që Evropa Lindore është e lirë nga ideologjia e huaj e komunizmit, ajo mund t’i kthehet rrugës së saj të vërtetë historike – fashizmit”. Edhe në atë kohë, ajo batutë kishte shumë të vërteta brenda.

Ndërsa sot në vitin 2018, vështirë se mund të quhet fare një shaka. Ajo që “Freedom House” e quan joliberalizëm, është në rritje në të gjithë Evropën Lindore. Kjo përfshin Poloninë dhe Hungarinë, të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian, në të cilat demokracia siç e kuptojmë zakonisht, tashmë ka vdekur.

Në të dyja vendet, partitë në pushtet – Ligji dhe Drejtësi në Poloni, dhe Fidesz në Hungari – kanë krijuar regjime që ruajnë format e zgjedhjeve popullore, por kanë shkatërruar pavarësinë e gjyqësorit, shtypur lirinë e shtypit, institucionalizuar korrupsionin në shkallë të gjerë, dhe kanë delegjitimuar efektivisht çdo lloj kundërshtimi.

Rezultati duket të jetë sundimi i një partie, për të ardhmen e parashikueshme. Dhe mund të ndodhë shumë lehtë edhe në SHBA. Kishte një kohë, jo shumë kohë më parë, kur njerëzit thoshin se normat demokratike amerikane, historia krenare e lirisë, do t’i mbronte amerikanët nga një rrëshqitje drejt tiranisë. Në fakt, disa njerëz e thonë ende këtë.

Por, të besuarit e një gjëje të tillë sot, kërkon një verbëri të qëllimshme. Fakt është se Partia Republikane është e gatshme, madje edhe e etur, të bëhet një version amerikan i Partisë Ligj dhe Drejtësië ose i Fidesz, duke shfrytëzuar fuqinë aktuale politike, për t’u çimentuar në një sundim të përhershëm. Mjafton të shikoni, se çfarë po ndodh në nivel shtetëror.

Në Karolinën e Veriut, pasi guvernator u zgjodh një demokrat, republikanët i shfrytëzuan ditët e fundit në detyrë për të miratuar një ligj, që i heq guvernatorit shumicën e kompetencave.

Në Xhorxhia, republikanët u përpoqën të përdorin në mënyrë transparente shqetësimet e gënjeshtërta lidhur me aksesin e votuesve me aftësi të kufizuara, për të mbyllur shumicën e qendrave të votimit, në një zonë të banuar kryesisht nga zezakët.

Në Virxhinian Perëndimore, ligjvënësit republikanë shfrytëzuan ankesat për shpenzimet e tepruara për të fajësuar të gjithë Gjykatën Supreme të Shtetit, dhe për ta zëvendësuar atë me militantë partiake. Dhe këto janë vetëm rastet që kanë marrë një vëmendje kombëtare. Ka me siguri dhjetëra, në mos qindra histori të ngjashme në mbarë vendin.

Dhe ajo që reflektojnë të gjitha ato, është realiteti se Partia Republikane moderne nuk ndjen asnjë besnikëri ndaj idealeve demokratike; ajo do të bëjë çfarëdolloj gjëje që mendon se mund të përforcojë pushtetin e saj. Po zhvillimet në nivel kombëtar? Pikërisht këtu, gjërat bëhen vërtet të frikshme.

Amerika po ecën në mesin e tehut të nje thike. Nëse rrëzohet në drejtimin e gabuar – në mënyrë specifike, nëse republikanët ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në nëntor – vendi do të bëhet një Poloni ose Hungari, më shpejt se sa mund të imagjinohet.

Shumë kritikë të Trump, festuan zhvillimet ligjore të javës së kaluar, duke e konsideruar dënimin e Paul Manafort dhe pranimin e fajit nga Michael Cohen, si shenja se hetimet më në fund mund të mbyllen, dhe mos rrezikojnë të prekin Trump.

Por unë pata një ndjenjë tmerri, teksa pashë reagimin e republikanëve:Të ballafaquar me prova të pamohueshme të trashëgimisë së Trump, partia shtrëngoi radhët rreth tij, më fort se kurrë më parë.

Një vit më parë, dukej e mundur që mund të kishte kufizime për pjesëmarrjen e partisë në këtë avokati, se do të vinte një moment, ku të paktën disa përfaqësues apo senatorë do të thoshin:Mjaft. Tanimë është e qartë se nuk ka kufizime:Ata do të bëjnë gjithçka që duhet për të mbrojtur Trump, dhe për të konsoliduar pushtetin.

Kjo vlen edhe për politikanët që dikur i kishin ca parime. Senatorja Susan Collins, ishte një zë i pavarur në debatin mbi kujdesin shëndetësor. Tani ajo nuk sheh asnjë problem, me një president që është një bashkë-komplotues i padëshiruar, për të caktuar në Gjykatën e Lartë, ata që besojnë se presidentët janë imunë ndaj ndjekjes penale.

Senatorja Lindsey Graham, e denoncoi Trumpin në vitin 2016, dhe deri kohët e fundit dukej se ishte duke kundërshtuar idesë e shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm, për të sabotuar hetimin e Robert Myler. Tani ajo ka sinjalizuar se është në rregull me një shkarkim të tillë.

Por pse Amerika, vendi i lindjes së demokracisë, është aq pranë ndjekjes së udhëheqjes së vendeve të tjera, që e kanë shkatërruar atë kohët e fundit?

Mos më thoni se kjo po ndodh për shkak të “ankthit ekonomik”. Kjo nuk është ajo që ndodhi në Poloni, e cila u rrit në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht krizës financiare dhe pasojave të saj. Dhe nuk është ajo që ndodhi as në SHBA në vitin 2016.

Studime të shumta, kanë zbuluar se pakënaqësia racore, dhe jo shqetësimi ekonomik, kanë ndikuar votuesit e Trump. Çështja është se Amerika po vuan nga e njëjta sëmundje – nacionalizmi i bardhë që sundon egërsisht – që tashmë ka vrarë në mënyrë efektive demokracinë në disa vende të tjera perëndimore. Dhe Amerika është shumë, shumë pranë pikës së moskthimit.

Shënim: Paul Krugman, është një ekonomist fitues i çmimit Nobel, dhe profesor në Universitetin e Nju Jorkut.

/Tirana Today

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne