Ushtarët qeveritarë sirianë, të mbështetur nga luftëtarët vullnetarë nga grupet e mbrojtjes popullore, për herë të parë në vite janë takuar me trupat e ushtrisë irakiane pasi ata morën kontrollin e një territori të gjerë në rajonin juglindor al-Badia të Sirisë.

Rrjeti televiziv al-Manar raportoi të dielën se njësitë e ushtrisë siriane në bashkëpunim me aleatët kishin arritur të çlirojnë 25,000 kilometra katrorë gjatë një fushate në rajonin kufitar javët e fundit. “Kjo është shenja e bashkëpunimit midis ushtrive vëllazërore të Irakut dhe Sirisë për të siguruar kufijtë e përbashkët”, tha një gjeneral i ushtrisë siriane, duke folur në kushte anonimiteti. Gjenerali tha se pika e takimit për forcat irakiane dhe siriane është në verilindje të bazës Tanef, ku ushtria amerikane po stërvit militantët anti-qeveritarë takfiristë, kundërshtarë të qeverisë së Damaskut. Zyrtari ushtarak sirian vuri në dukje më tej se pika e re e takimit është vetëm 20 kilometra nga zona al-Mejadin, ku terroristët e ISIS kanë zhvendosur kohët e fundit pjesën më të madhe të udhëheqjes së tyre. Zhvillimi erdhi vetëm një ditë pasi forcat irakiane çliruan pikën e kalimit kufitar al-Valid në rajonin Ar-Rutba të provincës perëndimore të Anbar nga pushtimi i terroristëve të ISIS. Ndërkohë, i ashtuquajturi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se forcat irakiane kishin lëvizur në verilindje të rajonit Al-Valid, duke u takuar me trupat siriane për herë të parë që nga viti 2015. Kreu i grupit të monitorimit të bazuar në Britani, Rami Abdurrahman, tha se lidhja midis forcave të Irakut dhe Sirisë do të lejojë forcat e ushtrisë irakiane dhe luftëtarët vullnetarë nga Njësitë e Mobilizimit Popullor, të njohur si Hashd al-Sha’abi, të lëvizin brenda Sirisë dhe të ndihmojnë fushatën e qeverisë siriane kundër ISIS në krahinën lindore Deir al-Zur./ PT

18