Turistët e huaj mahniten nga monumentet e kulturës në Berat

Monumentet dhe objektet e trashëgimisë kulturore ngjallin ç’do ditë e më shumë kureshtje dhe interes tek turistët vendas dhe të huaj.

Këto vende atraksioni vizitohen nga shumë turistë, pasi në vetvete ato përmbajnë histori dhe vlera kulturore të cilat tregojnë rrënjët dhe të kaluarën e Shqipërisë.

Qendra Kombëtare e Muzeve – Berat në Muzeun Kombëtar Ikonografik Onufri dhe në Muzeun Etnografik vazhdon të ketë vizitueshmëri të admirueshme në këtë fillim viti. Edhe pse janë dy muajt e parë të vitit, kur zakonisht fluksi i vizitorëvë është i ulët, gjithashtu me një mot jo të favorshëm, fluksi në këto monumente është rritur më shumë se 20% në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Ky është një sinjal kuptimplotë që në muajt në vazhdim do të ketë një fluks shumë më të madh vizitorësh, veçanërisht të vizitorëve të huaj.

Muzeu Kombëtar Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati perdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemere në arkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj., të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Këtu ka gjithashtu shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1.200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën-Mërisë”, në kalanë e Beratit që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”. Ajo ka qenë katedralja e qytetit, e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës postbizantine në Berat.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1.500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, të cilat mbajnë firmën e piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla – biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i Riu), si dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë. Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhëndur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit XIX. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne