Dobësimi i lidhjeve emocionale, farefisnore, historike e fetare me Turqinë, u zëvendësua me forcimin e ekstremizmit ndër shqiptarë, në Kosovë, në Maqedoni e në Shqipëri, i cili u importua nga disa vende arabe. Vendet arabe, edhe kur janë formalisht aleatë të SHBA-ve, esencialisht janë oksidentaliste. Turqia nuk ka qenë dhe nuk është oksidentaliste, pavarësisht turbulencave politike që ka me Perëndimin

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Në kuadër të temës boshte të këtij numri të revistës “Shenja”, pra të trajtimit të së djathtës esktreme dhe rritjes së populizmit në Evropë, dëshiroj ta trajtoj qëndrimin e çoroditur turqifobik (dhe islamofobik) ndër shqiptarë, i cili nuk buron nga doktrina e së djathtës ekstreme, po buron nga pansllavizmi, që është i maskuar si gjoja qëndrim evropeist. Edhe pse turqifobia dhe islamofobia ndër shqiptarë nuk e kanë burimin tek e djathta ekstreme, ato puqen me të në një mënyrë absurde, mazohiste. Turqifobët dhe islamofobët shqipfolës e kanë Turqinë si një tabelë qitjeje, edhe pse nuk e kanë ideologji ksenofobike, siç e kanë Vildersi, Hajnc Kristian Shtrahe, Marin le Peni, Aleksander Gaulandi, Norbert Hoferi e Viktor Orbani. Bile, për dallim prej tyre, islamofobët tanë lokalë, shumica prej tyre, u përkasin familjeve muslimane dhe, nga ana tjetër, e mbajnë veten edhe si pjesëtarë të shoqërisë civile ose të medieve liberale! Ky është absurditet i llojit të vet! Këta deklarohen liberalë, ndërsa sillen si ekstremistë të djathtë! Si kështu? Islamofobët tanë lokalë nuk i kanë idetë ismalofobike si prodhim autentik, pra nga realiteti ynë. Ata i kanë idetë islamofobike të shartuara në kokat e tyre, nga qarqe të jashtme, që e shohin realitetin tonë me dioptri tjetër prej tonës. Ata e kanë pranuar mekanikisht idenë se, nëse e sulmojnë Turqinë, atëherë e sulmojnë dhe e dëmtojnë edhe fenë islame ndër shqiptarë. Në këtë çështje këto personazhe nga liberalë shndërrohen në ekstremistë të djathtë, sado që duken si aktoret femra, kur luajnë rolet e meshkujve, në shfaqje amatore.

Tabela e gabuar e qitjes

Nuk ka asnjë arsye tjetër për gjithë atë kujdestari që bëjnë turqifobët dhe islamofobët tanë për politikën dhe ekonominë e Turqisë, bile edhe për deklaratat më të kota të ndonjë personaliteti turk. Thjesht janë në role e kostume të huaja. Nuk e kanë një kësi obsesioni me Pakistanin, me Iranin, me Arabinë Saudite, as me Egjiptin, që të gjitha shtete muslimane, po me regjime autoritare dhe ku shkelen brutalisht të drejtat e njeriut. Fjala vjen, Pakistani ka qenë dhe është shtet ku talebanët kanë logjistikë të fuqishme. Irani realizon ndërhyrje në rajon dhe zhvillon politika të fuqishme antiamerikane. Arabia Saudite po zhvillon ndërhyrje në Jemen dhe ka organizuar bllokimin e Katarit, krahas eksportimit të doktrinës dhe praktikës terroriste të Al Kaidës, ndërsa në Egjipt sundon një gjeneral, që ka ardhur në pushtet me anën e grusht-shtetit. E pra, këto shtete dhe liderët e tyre pothuajse kurrë nuk tematizohen në mediet tona dhe nuk përmenden as nga politikanët tanë, ndërsa e vërteta është se këto katër shtete janë epiqendra nga ku është përhapur fanatizmi, antiamerikanizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi në deceniet e fundit. Por, këto shtete problematike dhe liderët e tyre, thjesht, janë të amnistuar nga islamofobët tanë lokalë. Si duket, ashtu u janë ndarë rolet. Aq më pak merren me Rusinë e me Kinën, që jo vetëm kanë regjime autoritare dhe ku të drejtat e njeriut dhe liritë elementare fetare shkilen brutalisht, po kanë politika agresive shtetërore kundër Kosovës. Prapë, shtiren sikur kjo nuk ndodhë, sikur bllokimi i Kosovës në OKB dhe në organizata të shumta ndërkombëtare nuk vjen si pasojë e politikave të këtyre dy shteteve. Sillen nga sillen islamofobët tanë lokalë, siç silleshin këtynehere kuajt gjatë shirjes në lëmë, e merren vetëm me Turqinë, deri edhe me mustaqet e Erdoganit.

Përkundër atij obsesioni që mezi e përmbajnë të mos u shndërrohet në amok, rezultati i deritashëm i tyre në demonizimin e Turqisë në sytë e shqiptarëve është kurrfarë. As nuk kanë arritur ta zbehin prestigjin e shtetit turk në sytë e shumicës së shqiptarëve, as nuk kanë arritur ta dobësojnë besimin islam ndër shqiptarë. Pse kështu? Sepse tabela e qitjes ku ata godasin, thjesht, është e gabuar. Ata nuk e kuptojnë se, krahas faktit që Turqia e sotme është një shtet shumë miqësor ndaj shqiptarëve, arsyeja e thellë e afërsisë së shqiptarëve me Turqinë janë në lidhjet e shumta farefisnore që kanë me mijëra familje tonat, të cilat edhe në rrethanat e vështira në ish Jugosllavi, kanë arritur t’i ruajnë ato lidhje familjare. Në fakt, ende është e gjallë gjenerata e njerëzve që e mbajnë mend shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve drejt Turqisë në vitet e pesëdhjeta e të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Pra, ende janë aktive kujtimet e përbashkëta, të cilat formojnë atë lidhje emocionale që e kanë njerëzit me të vetët, që janë shpërngulur nga presionet rankoviqiste-titiste në Turqi. Ky ndikim i kujtimeve të përbashkëta, të cilat Antony Smith-i i konsideron si elemente të identitetit kombëtar, më saktë të nacionalizmit, ka të bëjë edhe për kohën e mëhershme, të Perandorisë Osmane. Në këtë mes po sjellë shembullin dhe përvojën time: unë nuk mund ta zhbëj faktin që im atë ka lindur në Perandorinë Osmane dhe dokumentet e para i ka pasur të atij shteti. Edhe tapitë e pronave familja jonë i ka pasur të atij shteti. Bile, kur shteti serb ua kishte marrë tokat në vitet e njëzeta, ata ende i mbanin si argument tapitë osmane dhe shpresonin se një ditë do t’i rimerrnin pronat, duke i treguar në gjykata ato tapi.

Po ashtu im atë ka pasur një motër të shpërngulur në Stamboll dhe një kushërirë të parë në Arifi të Adapazarit, që në vitin 1912 dhe disa kushërinj po në Adapazar. Unë jam rritur me tregimin në familje se si dada Hyrë, e humbur në atë mërgim, në festat e Bajramit, e kishte pasur zakon të bënte rend tre gurë e të bënte Bajram me ta, pra sikur po përqafonte Bajramin, Çunin e babën tim, Hasanin! Dada Hyrë ka shkuar në Turqi në vitin 1912 e është kthyer për vizitë në familjen e vet në vitin 1953. Rrëfimin për ardhjen e saj pas aq vitesh, mënyrën se si e ka shprehur mallin, e kam dëgjuar me qindra herë në fëmijëri. Sapo jam rritur dhe kam pasur mundësi, kam shkuar në vizitë te nipat e te kushërinjtë. Pse? E si mund të shkulet gjithë ajo dhembje nga zemra? Si mund të shkulet ajo dhimbje nga kujtesa? Si mund të harrohet njerëzit e gjakut tanë? Kur kam shkuar në vizitë, afërsia dhe dashuria familjare ishte më e madhe se me të gjithë familjarët në vend. Ishte një mall i tejkohshëm. Djali i tretë i dadës Hyrë, Alia, më pati treguar se si me dhjetëra herë e kishte nda mendjen me ardhur te dajallarët në Kosovë, ndonëse kurrë nuk ka ardhur. Më tregonte se si e kishte bërë zakon të bënte gati valixhen për udhëtim në mbrëmje, se si e mbushte një shportë të vogël me fiq të freskët nga kopshti i vet dhe gjithë natën shihte ëndrra se si po shkonte te dajallarët. Të nesërmen, gjithmonë, diçka e pengonte që të nisej! Por, a nuk vlen shumë ai pasion i Alisë, për të vizituar dajallarët e vet në Kosovë, në memleqet, si thoshte ai? Prandaj unë e dua shumë Arifinë, Adapazarin e Stambollin, sepse atje jetojnë njerëzit e mi. Janë të vetmit nga e gjithë familja e gjerë, me të cilët edhe përqafimet janë disi fëmijërore. Unë shpesh ëndërroj se do të nisem që nesër për në Arifi, në Adapazar e Stamboll, te nipat dhe kushërinjtë e mi. Fjala e urtë shqipe, që thotë “Gjaku nuk bëhet ujë”, me siguri që është frymëzuar nga malli për farefisin e tretur.

Atdheu i dytë i rilindësve

Në rastin tonë nuk është vetëm kjo afërsia familjare, farefisnore. Edhe po ta shikosh në plan më “abstrakt”, fjala vjen të ideologjisë kombëtare, fakti që shumica e rilindësve kanë jetuar dhe e kanë hartuar projektin e ndërtimit të kombit e të shtetit tonë kombëtar në Stamboll, nuk mund të jetë pa një ndikim emocional. Nëpër rrugët e Stambollit kanë ecur Hoxha Tahsini, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Mid’had Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, etj., pra ideologët e formimit të kombit tonë shqiptar dhe përmbaruesit e ndërtimit të shtetit shqiptar. Natyrisht, në kujtimet tona të përbashkëta, e kanë vendin e vet edhe mosmarrëveshjet dhe konfliktet e armatosura shqiptaro-osmane, si dhe figurat konkrete të administratës osmane, që mbahen mend si figura të urryera. Por, ngjarje të hidhura e figura të urryera kombet kanë edhe në gjirin e vet, gjë që paraqet një lloj anestetiku në këtë plan, jo vetëm lidhur me sundimin osman, po edhe me sundimet e tjera.

Natyrisht, edhe përkatësia e njëjtë fetare e shumicës së shqiptarëve me turqit e ka një ndikim, por jo aq të madh sa mendohet zakonisht. (Një afërsi të ngjashme, të motivuar fetarisht, e kanë pasur dhe e kanë edhe katolikët shqiptarë me Italinë, por neve nuk ka penguar e nuk na pengon ajo afërsi e tyre.) Të njëjtën fe ne e kemi edhe me Pakistanin, me Iranin, me Arabinë Saudite e me Egjiptin, por me ta nuk ndjejmë të njëjtën afërsi si me Turqinë. Po të ishte përkatësia fetare dominuese në këtë lidhje, atëherë edhe lidhjet e shqiptarëve me popuj të tjerë myslimanë do të ishin intensive dhe emocionale, si me turqit. Por, nuk janë. Në fakt, edhe përjetimi i Islamit nga ana e shqiptarëve, më të shumtën, është familjar, farefisnor e nacional e fare pak universal, kjo për shkak të ndikimit të fuqishëm të kulturës kombëtare edhe mbi botëkuptimin fetar. Pra, lidhjet farefisnore dhe kujtimet e përbashkëta, instinktivisht, e prodhojnë atë lloj familjariteti me turqit, ndërsa janë tërësisht indiferente ndaj popujve të tjerë myslimanë, si ujgurët e robinjat, por edhe të gjithë të tjerët. Bile, edhe arabët. Madje, edhe me boshnjakët, me të cilët kemi jetuar me shekuj në shtete të përbashkëta, por pa pasur lidhje signifikante farefisnore, as kujtime të përbashkëta nga koha e kombformimit.

Dobësimi i lidhjeve e Turqinë, e forcoi ekstremizmin

Pikërisht dobësimi i lidhjeve emocionale, farefisnore, historike e fetare me Turqinë pas vitit 1999, u zëvendësua me forcimin e ekstremizmit ndër shqiptarë, në Kosovë, në Maqedoni e në Shqipëri, i cili u importua nga disa vende arabe. Vendet arabe, edhe kur janë formalisht aleate të SHBA-ve, esencialisht janë oksidentaliste. Turqia nuk ka qenë dhe nuk është oksidentaliste, pavarësisht turbulencave politike që ka me Perëndimin. Turqia është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtare në Bashkimin Evropian. Në rastin e rritjes së indoktrinimit vehabist, kujtoj se ai akseptim i beftë ka qenë më pak me motivim fetar e shumë më shumë një indoktrinim ideologjik nga pozitat e oksidentalizmit primitiv vehabist. Pra, motivi kryesor ka qenë urrejtja ndaj Perëndimit, e injektuar nga ligjërata të ndryshme dhe nga platformat e ndryshme në internet. Ndonëse në Siri e në Irak po zhvilloheshin luftëra bizare e barbare ndërmjet vetë myslimanëve, ajo propagandë kishte arritur të impononte versioninm sipas të cilit e gjitha ishte skenar i Perëndimit. Pra, mund të thuhet se ka qenë fjala për indoktrinim ideologik antiperëndimor, e jo për një platformë islame. Islami, si fe, nuk ka dhe nuk mund të ketë platformë të luftës kundër qytetërimeve dhe kundër feve të tjera. Universalizmi islam është integrues, që nga shfaqja e tij, e jo eliminues, siç është ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi.

Fatkeqësisht, ato kontingjente ekstremistësh nga Kosova, që kanë përfunduar atje, në ato luftëra tragjike, paraprakisht kanë kaluar nëpër një shpëlarje truri, përmes së cilës kanë përjetuar një tjetërsim të identitetit kombëtar e, bile, edhe fetar (konceptin fetar e kanë këmbyer me atë sektar). Heqja dorë nga identitet shqiptar, fjala vjen, duke djegur pasaportat, është tregues i atij tjetërsimi. Pikërisht këtu shpërfaqet absurditeti: mesazhi i pasaportës së djegur dhe i kërcënimeve hakmarrëse ndaj bashkëkombësve është se për të qenë myslimanë duhet të hiqni dorë nga identiteti kombëtar dhe nga të qenët evropianë e miq të Perëndimit. Ndërkaq kjo tentativë e dhunshme unifikuese nuk ka bazë aspak në Shpallje. Dhe, nuk është aspak traditë kombëtare e as shtetërore e Turqisë, ku në fakt dominon identiteti i fortë kombëtar dhe nacionalizmi. Gjithsesi mbetet të hulumtohet në të ardhmen se si ka ndodhur që të fuqizohej deri në atë masë indoktrinimi antiperëndimor i atij kontingjenti ekstremistësh shqiptarë, duke e paketuar indoktrinimin antiperëndimor si gjoja mobilizim fetar. Hulumtimi ka gjasë të shpjerë në drejtimin e ideologjisë bazike të Al Kaides. Ndërkaq, derivimet e tjera pastaj janë imponuar edhe nga zhvillimet në terren, në vatrat e krizave të botës arabe. Por, konstantë mbetet që zbehja e lidhjeve farefisnore, historike e fetare me Turqinë, na ekspozon ndaj ekstremizmit shumë më shumë.

Islamofobët tanë nuk e kuptojnë këtë gjë. Në mungesë të analizave, ata e kanë “zbuluar” armikun lehtësisht, e kanë bërë tabelë qitjeje, por pa qëlluar kurrë tamam në shenjë. Prandaj, ata nuk mund të kontribuojnë për zgjidhjen e problemit. Problemi zgjidhet nëse i emërton saktësisht të gjithë aktorët, të gjitha prirjet, të gjitha veprimet. Ajo që vërtet u kuptua edhe nga këto zhvillime, është se turqifobia dhe as islamofobia nuk ofrojnë zgjidhje në rastin e shqiptarëve. Është vetëm ana tjetër e medaljes së ekstremizmit. Pak a shumë e njëjta gjë vlen edhe për populizmin islamofob në Evropë, sepse as ai nuk ofron asnjë zgjidhje. Ai vetëm sa i komplikon gjërat edhe më shumë. Qytetarët e Evropës (Holandë, Francë, Gjermani) e kuptuan se populizmi turqifobik dhe islamofobik nuk ofronte zgjidhje. Ndonëse e kuptuan vetëm në momentin e fundit. Por, turqifobët dhe islamofobët shqipfolës nuk e kanë kuptuar ende. Ata po e vazhdojnë betejën, ndonëse pa asnjë gjasë për sukses./ shenja

84