Turku fatal: mes kujtesës dhe interesit

Ligjërata intelektuale laike dhe akademizmi ideologjik shqiptar bën identifikimin e termave turk dhe anadollak, kriminel i zi, pasionant, injorant, njeri me shpatë në dorë. Kjo ligjëratë përfytyron një pavijon grotesk të demonografisë me një hierarki të së keqes, që kulmon me Sulltanin dhe vijon me vezirë…

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Agjencia e Statistikave e Kosovës këtyre ditëve i ka publikuar të dhënat e vitit 2017: “Lindën mbi 23 mijë foshnja, zhduken emrat turko-arabë”. (Illyropian.wordpress) Interpretimi i gjetjeve bëhet në një shkrim të tallave-gazetarisë, që bie ndesh me veten. Tre emrat më të shpeshtë ndër ne janë: Sara, Ajan, Jara. Synohet çorientalizimi apo deislamizimi i kulturës shqiptare, ndërsa e thuhet kundërta?! Të tre emrat janë persianë, të përdorur të gjithë nga myslimanët: i pari ndër mileniume, dy të fundit sot të globalizuar. Pa turkun s’bën, andaj edhe në këtë rast, në këtë lajm, ai është “tjetri” ynë fatal që po zbehet (!).

Faktografia flet se, viteve të fundit, është prodhuar një mori materialesh shkrimore, audio-vizuale, lidhur me Turqinë, pararendësen e saj (shtetin osman), në të shumtën e rasteve me ton subjektiv, pa analiza të mirëfillta dhe objektive, pa gjetje terreni. Marrëdhëniet aktuale shqiptaro-turke mund të rezymohen me një fjali: “turkofili popullore dhe turkofobi elitare dhe një shtresë tjetër, minoritare, që mbetet diku në mes”. Paradigma esenciale dhe reale e marrëdhënieve shqiptaro-turke është ajo e dy popujve miq, të lidhur historikisht, kulturalisht, emocionalisht, politikisht, ekonomikishit dhe në shumë përmasa të tjera të jetës. Kjo vijë e afrisë dhe e kontakteve shkon deri në kohën kur shqiptarët i kanë realizuar kalimet e para në Islam dhe arrin deri në ditët e sotme, kur vrullshëm diskutohet çështja e rishkrimit të historisë shqiptare, në veçanti pjesa që e trajton çështjen e marrëdhënieve shqiptaro-osmane, shqiptaro-turke, kur biznesi turk është në çdo anë të dherave shqiptare, kur edhe gjyshet tona janë bërë një me ekranin dhe po i ndjekin serialet e pafundme “mahnitëse” turke. Sot turku është fenomen, rajonal, universal.

Historia si problem: E kaluara që s’mund të fshihet

E kaluara (e përbashkët) disashekullore ka bërë që shqiptarët t’i perceptojnë turqit si “pjesë e jona”, kurse veten si pjesë e qenies osmane, si “komunitet i integruar në Perandorinë Osmane”, kurse të tjerët, sllavët (dhe shumë të tjerë) t’i identifikojnë ata (shqiptarët) si “dorë e zgjatur e Turqisë”, madje Shqipërinë ta cilësojnë si Turqi e Vogël ose “ishulli islamik i Ballkanit”. Puna shkon deri atje sa shqiptarët myslimanë, edhe nga vetë greqishtfolësit shqiptarë, të cilësohen si turq, siç tregohet në një reportazh lidhur me Himarën. Bashkësia shqiptare e ka shfrytëzuar mundësinë e inkuadrimit në hierarkinë drejtuese të shtetit osman, kështu që shqiptarët kanë dhënë shejhul-islamë, komandantë eminentë, poetë e shkrimtarë të famshëm, sadr-i azemë, vezirë e valinj, madje edhe rektorin e parë të Universitetit të Stambollit (Daru’l-funun), eruditin Hoxhë Hasan Tahsini.

Individët me prejardhje shqiptare janë bërë pjesë pandashme e historisë dhe kulturës turke. Mehmed Akif Pejani, autor i Safahatit (Fletë) dhe i himnit kombëtar turk, dhe Sami Frashëri (Shemseddin Sami), i cili në vitin 1898 ka shkruar një sërë artikujsh lidhur me rindërtimin e turqishtes dhe i cili në vitin 1899 përgatiti fjalorin e parë shpjegues të turqishtes, Kamusu’t-turki, ndërkohë edhe përfaqësues i parë i nacionalizmit turk dhe i lëvizjes osmaniste, janë figura emblematike të turqizmës. Kështu na shfaqet një formë e kulturës mikste, shqiptaro-turke dhe vice versa.

Edhe njeriu i pavarësisë shqiptare, Ismail Bej Qemali, përkundër asaj që tek opinioni më i gjerë njihet si kundërshtar dhe armik i shtetit osman, gjatë tërë jetës së tij i ka shërbyer shteti të madh osman.

Siç dihet, muslimanët e Ballkanit për një shekull jetojnë nën trysni. Ata përbëjnë konceptin kyç të “tjetrit” për kombet e reja ballkanase. Pas 1913 deri më sot shqiptarët kanë jetuar në shtete dhe regjime të ndryshme (serb, bullgar, italian, komunist jugosllav, komunist shqiptar), duke u ballafaquar me sfida madhore për ruajtjen e kodit autentik të identitetit etnik dhe fetar.

Diskutimi i qenies muslimane dhe turke, edhe ndër shqiptarë, në konotacionin negativ, është bërë si rezultat i propagandës orientaliste, katoliko-centriste dhe sllavo-ortodokse, e cila që nga akademia e deri te kisha është munduar që t’ua vë pykën këtyre marrëdhënieve pesëshekullore. Shqiptarët përbëjnë përqindjen më të madhe të popullatës muslimane në këtë gadishull dhe ata janë çështja më me peshë e këtyre trojeve. Për këtë arsye është dashur që ata (shqiptarët) të shkëputen një herë fizikisht e, më pas, edhe emocionalisht nga osmanlliu dhe turku e më pas të getoizohen dhe të kontrollohen më lehtë.

Sot në Turqi jeton një komunitet i madh i shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Sipas disa spekulimeve, kjo shifër arrin diku në pesë milionë turko-shqiptarë. S’ishte e rastësishme që presidenti i Turqisë, Sulejman Demirel, në një takim më përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar u pat shprehur se ai ishte kryetari i numrit më të madh të shqiptarëve.

Turqia ka luajtur rol të rëndësishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në njohjen e pavarësisë së Kosovës (ishte vendi i tretë që njohu Kosovën e pavarur). Ajo ka lidhje të fuqishme tregtare me Shqipërinë dhe Kosovën, bën investimet e shumta në sferën e infrastrukturës, arsimit, kulturës etj. Turqia i quan shqiptarët aleatë të natyrshëm, kurse Shqipërinë si vend, ku është shumë e interesuar për sigurinë e brendshme dhe tërësinë tokësore. Ish ministri i Punëve të Jashtme dhe ish kryeministri i Republikës së Turqisë, Davutogllu në bestsellerin e tij Thellësia strategjike do të shprehet: “Dy objektiva me rëndësi të politikës afatshkurtër dhe afatmesme të Turqisë në Ballkan janë fuqizimi i Bosnjës dhe Shqipërisë brenda një strukture stabile“. Ai më tej do të shtojë se Shqipëria, që ka marrëdhënie mospajtimi edhe me Serbinë, edhe me Greqinë, me një instinkt historik, e sheh fatin e vet të lidhur me peshën e Turqisë në zonë.

Sot, kur Turqia përbën një nga viganët e skenës botërore ekonomike dhe politike, dhe kur përmes investimeve dita-ditës faktorizohet edhe në përmasat e Evropës Juglindore (TAV, TEB, Limak, Halkbank, Cevahir Holding, Turkish Airlines, IBU, Maarif Schools) disa autorë vendas këtë gjendje e kanë përshkruar me perifrazimet “Perandoria Osmane Ante Portas” (2010), “Invazionin turk në Kosovë” (2016), “Erdoganizmi si njehsim i Shqipërisë” (2017) etj.

Antiturkizmi si “vegël”e kombndërtimit

Sipas publicistit dhe poetit të dalluar Ervin Hatibi, periudha postotomane është një faqe historike në të cilën elita intelektuale shqiptare, e indoktrinuar nga politikat pansllaviste, filloi që ta lançojë tezën për kundërtinë shqiptaro-turke, për osmanlliun dhe turkun si tjetri. Pra, divorci “politik” gjeneroi një perceptim të ri, atë të “neve evropianëve” dhe të “atyre aziatikëve”. Një nga figurat më të mëdha të letrave shqipe, Ismail Kadare, është ai që ka (ri)nisur atakun ndaj pjesës osmano-lindore të identitetit shqiptar. Në një nga veprat e tij ai nënvizon “identitetin europian të shqiptarëve”, ku mbron tezën për karakterin perëndimor të kulturës dhe të besimit fetar të shqiptarëve, si dhe tezën se me integrimin në BE realizohet prirja e natyrshme e shqiptarëve, të cilët në mënyrë të dhunshme despotizmi lindor dhe komunizmi (gjithashtu lindor!) i ka shkëputur nga Perëndimi. Përreth Kadaresë është formuar një i ashtuquajtur “grupimi Kadare”, që lufton me të gjitha metodat “hanëmen e vjetër – Turqinë”, e cila – edhe pse anëtare e NATO-s dhe nënshkruese e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim me BE-në – ende shikohet si Perandori Otomane.

I vijës antiturke është edhe pasazhi në vijim i Rexhep Qoses që i bashkëngjitet karvanit të osmanofobëve shqiptarë: “Robëria turke e ka cenuar rëndë zhvillimin natyror të popullit shqiptar: i ka këputur lidhjet që deri atëherë ka vënë me Evropën; i ka ndërruar drejtimin që deri atëherë ka vënë me Evropën; i ka çrregulluar ritmin jetësor që deri atëherë ka krijuar. Duke e shkëputur prej Evropës pothuaj në të gjitha pikëpamjet, robëria turke do ta vonojë zhvillimin e popullit shqiptar, mandej, në të gjitha fushat: materiale, ekonomike, kulturore, qytetëruese, urbane… do ta rrezikojë rëndë identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar, të ndërtuar në njërën anë, mbi kulturën klasike romake dhe mbi krishtërimin”.

Por, më vonë këta dy autorë do të hyjnë në një debat të nxehtë rreth identitetit. Diskursi i Kadaresë, i cili një kohë të gjatë flet për gabimin historik që kanë bërë shqiptarët me pranimin e Islamit (që sipas tij duhet përmirësuar me konvertim kolektiv në fenë e etërve: Krishterim) dhe puro-perëndimëzimin e kulturës shqiptare, pa elemente lindore-osmane, do të kundërshtohet nga vetë Qosja. Antiotomanist dhe antiturkist na del edhe publicisti dhe politikani nga Maqedonia, Arbër Xhaferi, i cili përmes një eseje të titulluar “Akraballëku” afërsinë turko-shqiptare e sheh si rrezik për identitetin shqiptar.

Ligjërata intelektuale laike dhe akademizmi ideologjik shqiptar bën identifikimin e termave turk dhe anadollak, kriminel i zi, pasionant, injorant, njeri me shpatë në dorë. Kjo ligjëratë përfytyron një pavijon grotesk të demonografisë me një hierarki të së keqes, që kulmon me Sulltanin dhe vijon me vezirë… pashallarë – detyrimisht të gjithë turq, si dhe demonë më pak të rëndësishëm, se helbete, ishin shqiptarë, në forma të deformuara dhjamore bejlerësh, agallarësh e qehallarësh, shërbëtorë të të huajit. Fanatizmi antitutk vërehet edhe nëpër romane, poema, filma, ku pashallarët ndërlidhen me seksualitetin, poligaminë, haremin, me erosin turk etj.

Për intelektualët e tjetërsuar/tëhuajësuar shqiptarë, që përdorin ligjëratën lindorientalizuese, ekskluzivitetet eurofetare dhe supremacizmin (pseudo)kristian, matrioshkat klasike të prezantimit të shqiptarëve si turq ose gjysmëturq (Hatibi), periudha otomane është e zeza, simboli i robërisë. Ata i harrojnë edhe momentet më kritike për qenien shqiptare, i harrojnë fazat kur shqiptarët ishin në gjendjen “të rrosh a të mos rrosh”, si periudha mesjetare, kur Perandoria Romake dhe ajo Bizantine e cenuan rëndë shqiptarinë e hershme. Elementi serb në veçanti ishte aktiv në pushtimin e trojeve shqiptare dhe zhdukjen fizike të popullatës së atyre trojeve. Por, ç’e do që edhe ky fakt “margjinalizohet ose edhe fshihet nga historiografia shqiptare”?!

Propaganda antiturke, e instaluar në arsim e në kulturë, duke gjeneruar për dhjetëvjeçarë të tërë armiqësi kundër Turqisë dhe, veçmas, kundër Islamit, i mohon të gjitha anët e mira që i kishte sjellë për shqiptarët ajo bashkëjetesë e gjatë në Perandorinë Otomane. Mbajtja e paragjykimit për Turqinë si pushtuese, kur janë amnistuar pushtuesit më të egër, nuk ka si të shpjegohet ndryshe, veçse në kontekstin e një strategjie antiislame, si ndër vetë shqiptarët, që duan ta mbajnë idenë se identitetit i tyre kombëtar është vetëm i krishterë, si nga të huajt, që e stimulojnë këtë ideologji. Por, kjo prirje po shkakton bllokimin e energjive, çoroditjen e dialogut të brendshëm dhe gjymtimin e identitetit shqiptar.

Sot, e çliruar nga prangat marksiste e enveriste, krijimtaria me temë “antiturke-në-fakt-antiislame” merr frymë lirshëm, lulëzon në kimikatet e skaduara të mashtrimit historik. Kjo armiqësi antisilame dhe antiturke lançohet edhe përmes figurave më të larta politike, siç ishte rasti i ish-presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili më 10 nëntor 2005 në fjalimin me titull “Toleranca ndërfetare në traditën e shiptarëve”, mbajtur në kuadër të Forumit të Oksfordit, u pat shprehur se Islami nuk është fe burimore te shqiptarët, por është një fe e Ardhur nga ushtria osmane, se nuk është fe rezidenciale,… është një Islam artificial, se te çdo musliman i Shqipërisë do të gjeni pesëmbëdhjetë shekuj krishterim”. Në vijën e antiislamizmit radikal janë edhe klerikë si Dom Shan Zefi, Dom Shan Gjergji etj., që hapur kërkojnë zhdukjen e Islamit dhe konvertimin e muslimanëve në katolikë.

Edhe librat shkollore janë skajshmërisht të infektuara me stereotipet antiturke-antiosmane, të shndërruar në paradigmë të apologjisë dhe krenarisë kombëtare, oportunizmit poskomunist dhe proevropianizmit gjithëshqiptar. Për shembull, Historia e Popullit Shqiptar 4 sulltanët osmanë i përshkruan si zaptues të “shteteve shqiptare”, të cilët – për të futur nën garanci nënshtrimin e tyre – i kanë marrë peng fëmijët dhe foshnjat e princërve shqiptarë. Skënderbeu pikturohet si kryehero i kombit dhe si mbrojtës i Evropës karshi turqve. Libri i Letërsisë 1, 2, 3, 4 i përshkruan turqit si shkatërrues, copëtues e plaçkitës të trojeve shqiptare. Edhe në librat shkollorë në Kosovë gjejmë ilustrime tanimë të klisheizuara lidhur me shtetin osman dhe turqit: në to gjejmë qëndrime se ndër faktorët që kanë ndikuar në përhapjen e Islamit nuk është vetëm presioni përmes taksave tokësore që të krishterët është dashur t’ia paguajnë shtetit, por edhe marrja e fëmijëve meshkuj dhe dërgimi i tyre në Stamboll, edukimi i tyre islamik, hakmarrjet e organeve shtetërore ndaj popullatës etj. Pra, nën ndikimin e perceptimeve megalomane nacional-romantike të cekëta bëhet një përshkrim i ngjashëm me librat historikë të Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, ngjashëm si në veprën e Andriqit Ura mbi Drinë. Fëmijët shqiptarë ende i mësojnë armiqtë historikë të shqiptarëve si aleatë të shqiptareve, ndërsa aleatët e vërtetë te shqiptarëve si armiq, kështu që vjen deri te një pamje e deformuar për realitetin historik (M. Krasniqi). Puna shkon aq larg, saqë – sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë – mbiemri osman ose otoman ka kuptim negativ. Fryma antiotomane shprehet edhe nga një diskurs patologjik, që vërehet te Kastriot Myftaraj, Gani Mehmetaj, Anton Kqira, Maks Velo, Piro Misha, Arbana Xharra, Berat Buzhala, ueb-faqja “zemrashqiptare”, por edhe në OJQ si “Illiricum Libertas” nga Tetova. Analisti A. Baleta do të shprehet se antiturqizmi është maskë e antishqiptarizmit të serbo-rusofilisë.

Sot ka ardhur koha kur shqiptarët duhet ta mësojnë historinë [pa] mite … dhe pa idetë fyese ndaj periudhave të caktuara dhe kundër kombeve të caktuar. Në këtë drejtim ishte edhe deklarata e ministrit turk të Arsimit Omer Dinçer më 19 gusht 2011 për ndryshimin e historisë në kontekst të objektivizmit të saj, që u pasua nga vizita e Davutogllut, i cili potencoi se historia duhet të shkruhet jashtë vijës enveriane dhe titiste ideologjike, se duhet të shkruhet nën perspektivën shkencore. Më pas ministri kosovar i Arsimit dhe Shkencës, E. Hoxhaj, do të pohojë se historinë duhet ta shkruajnë akademikët e jo politikanët dhe qeveritë. Ndërkaq ish kyeministri shqiptar, Pandeli Majko, duke kapërcyer pikëpamjet otomanofobe dhe islamofobe, do të shprehet se kërkesa turke për rishkrim të historisë nuk është diçka fatale.

Si përmbledhje mund të themi se shqiptarët po sillen mes historisë së importuar nga jashtë (kultura serbe) dhe tendencave për ta bërë vetë atë, në bazë të fakteve, arkivave dhe hulumtuesve të mirëfilltë, që i njohin gjuhët botërore dhe ato orientale. Nga ana tjetër, ata janë të detyruar të notojnë në epokën e planetarizmit, kur çdo komb duhet të krijojë sa më tepër miq, pa ngërçe dhe skema paragjykimesh, sepse interesat dhe gjeostrategjia i determinojnë relacionet edhe me botën tonë historike, me “tjetrin tonë fatal” e “të afërt”, me turkun fat(al), edhe me “të tjerët e largët”./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne