Turku ia ka çuar mirditorit flamurin sa here ka dashur, dhe mirditoret i kane thene amin

Nga GJERGJ THANASI

Deputeti Pjerin Ndreu doli në mbrojtje të grupit të burrave mirditorë, që prishën flamurin turk në formë mozaiku në ekranin e digës së një hidrocentrali të ndërtuar nga një kompani turke me koncesion në territorin e Mirditës, në zonë e Qafë Mollës. Ligjëvënësi Ndreu në mbrojtje të grupit të mirditorëve nuk përdori argumenta juridikë si fjala vjen shkeljen e disa ligjeve dhe akteve nënligjore shqiptare nga kompania turke përsa i përket përdorimit në publik në Shqipëri të simboleve kombëtare të një shteti tjetër, por një argument pseudo historik, plotësisht të gënjeshtërt. Deputeti Ndreu u shpreh teksualisht:  “e hoqën atë flamur, që nuk është vendosur dot as nën sundimin e Perandorisë Osmane 500 vjet në atë tokë” .

Ky është një argument i rrejshëm, populist i deputetit Ndreu, sepse në periudhën 1472-1912 disa herë flamuri osman është vendosur në Mirditë përfshirë këtu edhe në oborrin e Kishës së Shën Lleshdrit në Orosh (Abacia benediktine) në zemër të Mirditës. Për të mbrojtur këtë tezën tonë do të bëjmë një shtjellim pak të gjatë historik dhe do ofrojmë disa foto ilustruese.

Në foton e parë e vitit 1910 shikohen qartë ushtarë dhe oficerë turq, të cilët i përksan bylykut (skuadronit) të kavalerisë të Divizionit të këmbësorisë rediff (rezervist) të Samsunit. Këta turq janë mu në oborrin e Abacisë së Oroshit. Në oborr është ngritur edhe flamuri turk i divizionit në fjalë. Në shkallët e kishës (abacisë) është ulur një prift katolik, i rendit shekullar. Në këmbë me “allti” (revolver Mosin Nagant) në brez është një kushëri i familjes së kapidanit Preng Bib Dod Pasha. Afër flamurit turk janë ulur disa mirditorë madje shikohet edhe nëj karrike allafrënga! Fotoja tregon se turqit e kanë ngritur flamurin në oborrin e abacisë rehat-rehat, pa cak e pa bam. Që turqit pa shkrepur një fishek kanë ngritur flamurin otoman në zemër të Mirditës provohet më qartë nga fotoja e dytë.

Në foton e dytë komandanti i trupekspeditës ndëshkuese turke Shefqet Turgut Pasha me gradën “Mirliva” d.m.th. gjeneral major është duke udhëtuar drejt Oroshit në kalin e dytë, i veshur me uniformën tipike të oficerit turk me pelerinën karakteristike. Pashait turk i prin në kalin e bardhë vetë Abat Doci. Kryeprifti i Mirditës i prin kryegjeneralit turk drejt Oroshit, zemrës së Mirditës. Kjo foto nuk ka nevojë për komente. Si 106 vjet më parë si sot turqit kanë hyrë pa luftë në zemër të Mirditës. Si dje, si sot kanë ngritur flamurin e tyre, perandorak osmanlli ose republikan turk. Dje kanë pasur për kallauz vetë Abat Docin! Sot kanë për kallauzë të gjithë ata zyrtarë të shtetit shqiptar, që firmosën koncesionin e hidrocentralit në Qafë Mollë për firmën turke. Ka mundësi madje t’i kenë firmosur edhe nja 3 koncesione të tjera hidrocentralesh turqve po në Mirditë. Deputeti Pjerin, në vend që të bëjë avokatinë e burrave të Mirditës me argumente populiste komplet të gënjeshtra, bën mirë t’i tregojë mirditorëve, se kush është Abat Doci i shek. XXI, që u prin koncesioneve turke në zemër të Mirditës.

Fotoja e tretë do na shërbejë si kontrast për të treguar se jo kudo në trojet shqiptare trupat ndëshkimore të Turgut Pashës u pritën paqësisht. Në foto janë dy krerë të fiseve dibrane, që janë varur pasi janë dënuar me vdekje nga gjykata ushtarake e Shefqet Turgut Pashës. Kjo foto tregon se për shqiptarët feja e përbashkët myslymane me turqit kishte pak rëndësi. Dibranët myslymanë luftuan trimërisht njëlloj si myslymanët dhe katolikët e pakët të Kosovës apo si myslymanët e katolikët e Mbishkodrës (Kelmendi, Hoti, Gruda, Kastrati, Kopliku e me rradhë). Që lexuesi mos ketë asnjë keqkuptim fetar, theksoj se me urdhër personalisht të Shefqet Turgut Pashës u shtrua në “fellaka” (rrahje me thupër e shputave të këmbëeve) Hafëz Ibrahim Dalliu, hoxha patriot e shqiptar i pastër i Tiranës. Faji i vetëm politik i hoxhës patriot ishte se u kishte mësuar shqip djemve të Tiranas jo me abetare me “harfa” (shkronja) arabe, por me shkronja latine të caktuara si alfabet i shqipes në Kongresin e Manastirit.

Në 1910 mirditorët, ndonëse jashtëzakonisht trima, kishin mbi 50 vjet, që kishin ngelur mbrapa në fushën ushtarake qoftë si armatim, qoftë si taktika luftimi. Në foton e katërt kemi një grup mirditorësh të armatosur. Po të shikohet me vëmendje shumica  e tyre kanë pushkë të markës “Martin Henry”, që në vitin 1910 ishin 40 vjecare! Me të tilla pushkë ishin armatosur fatkeqësisht edhe katolikët e myslymanët e Malësive të Mbishkodrës me pak përjashtime pushkësh moderne (për kohën) prodhim austro-hungarez “Mannlicher M 1895” sjellë kontrabandë nga Triesteja. Fatkeqësisht edhe shqiptarët në vilajetet e Shkupit dhe të Manastirit ishin të armatosur me të tilla pushkë e rrallë shumë rrallë me pushkë moderne me shul të markave “Mannlicher M 1895” apo “Mosin Nagant M 1891”.

Sado trima të tregoheshin shqiptarët myslymanë e katolikë në Kosovë, Dibër apo në Malësinë e mbi Shkodrës nuk kishin shans t’i rezistonin sulmit të redifëve (rezervistëve) të Divizionit Samsun të parapërgatitur me artileri me topa me qitje të shpejtë “Krupp” 77mm si edhe të mbështetur nga mitralozë të markës “Maxim Hiram” sic duket edhe në foton e pestë. Ushtarët turq të armatosur me pushkë moderne gjermane të markës “Mauser karabiner 98K” me temp qitje minimum 25 të shtëna në minutë, kishin avantazh teknologjik në fuqi zjarri ndaj shqiptarëve me pushkë “Martin Henry” me temp qitje maksimumi 12 të shtëna në minutë. Në betejën e Grykës së Caralevës artileria dhe mitrolozët turq hapnin zjarr përtej rrezes së pushkëve të kryengritësve të komanduar nga Idriz Seferi, Isa Boletini e Jakup Ferri d.m.th. mund t’i vrisnin kryengritësit shqiptarë pa pasur frikë se mund të goditeshin nga plumbat e tyre.

Turqit ngrenë flamurin ottoman në Mirditën e prapambetur ushtarakisht në vitin 1881

Në Luftën e Krimesë trupat mirditore në sajë të pushkëve frnaceze ultrmoderne me viaska të markës “Minie” si edhe të pagesës në flori nga ana e gjeneralit francez Bazaine bënë mrekullira. Këmbësorët mirditorë u rezistuan sulmeve në fushë të hapur të kavalerisë rusë të kazakëve të Terekut dhe Kubanit si edhe të Hulanëve të Radomit. Mirditorët me armë moderne, me xhepat plot flori thyen ajkën e kavalerisë ruse, që nuk e thyen dot as “Dragonët” e kavalerisë franceze.

Në vitin 1881 mirditorët nën udhëheqjen e Preng Bib Dodë Pashës i pritën me pushkë trupat e Dervish Pashës, që pasi i kishte thyer shqiptarët në Ulqin dhe kudo në Kosovë, do të shtronte me plumb e dajak edhe Mirditën. Megjithëse mirditorët luftuan trimërisht, ato nuk kishin shans t’u bënin ballë trupave turke të amratosura me pushkë ultrmoderne për kohën. Mirditorët kryesisht kishin pushkë prodhime artizanale shqiptare, që mbusheshin nga tyta të quajtura “Karajfile” me gryka të prodhuara nga firma italiane “Carlo & Figli”.  Pushkët “Karajfile” kishin  një temp qitje prej maksimumi 6-7 të shtënash në minutë me rreze maksimumi 500 metra. Shumë prej mirditorëve  kishin si armë brezi edhe pisqolla artizanale, që mbusheshin po nga gryka. Trupat turke ishin të armatosur me pushkë ultramoderne amerikane të markës “Peabody Martini”  që mbusheshin nga mbrapa me temp qitje deri 17 të shtëna në minutë me rreze deri në 1 000 metra. Shumë prej ushtarëve turq kishin edhe karabina amerikane të markës “Ëinchester Model 1866” me qitje të shpejtë me karikator me 15 fishekë me rreze deri në 200 metra. Mirditorët edhe në mbrojtje nuk mund t’i rrezistonin zjarrit të pushkëve “Peabody Martini” edhe në sulm griheshin nga tempi i lartë i qitjes së karabinave “Ëinchester”. Rezultate ishte: shkelja e Mirditës nga turku,djegia e kullave dhe grabitja e bagëtive të mirditorëve apo edhe vrasja e pleqve e fëmijve e përdhunimi i grave, që nuk arritën të fshiheshin maleve e shpellave si psh. në fshatrat Simon, Gurth etj. Flamuri turk u ngrit në cdo cep të Mirditës, që nga kalaja në Mëhallën e Vilës në malin e Shenjtit mbi Orosh, në oborrin e Kishës së Madonës së Kuqe (Zojës së Bekueme) dhe deri në bajraqet me popullsi të përzjerë katolike e myslymane të Lurës! Preng Bib Dode Pasha u detyrua të shkonte në Stamboll si mysafit (peng) i Sulltanit, ku dhe qëdroi pa të drejtë kthimi në Mirditë deri në vitin 1908.

Si përfundim mund të themi se përrallat nacionaliste-krahinariste për 500 vjet pa flamur turk në Mirditë apo edhe në Himarë nuk kanë vlerë. Para progresit teknologjik dhe taktik ushtarak nuk të bën fajde asnjë lloj trimërie! Luftëtarëve  të fiseve Zulu fuqia e zjarrit dhe progresi teknologjik e taktik në fushëbetejë u dha një mësim të përgjakshëm në Betejën e Rorke’s Drift-it, ndërsa mirditorët këtë mësim gjaku e vdekje e morën në vitin 1881. Kjo e vërtetë e madhe nuk vlen vetëm për shqiptarët në vitet 1881-1912, por edhe për malazezët në Rrethimin e Shkodrës (1912-1913) edhe për elitën e ushtrisë së Kaizerit “Husarët e Gardës me Koka të Vdekurish” (Death Head Hussars), që u grinë me mijëra nga pak qindra pushkatarë anglezë të mbështetur nga 6 mitrolozë “Maxim” në ditët e para të shtatorit 1914. Ka ardhur koha, që mirditorët e gjithë shqiptarët në Ballkan e në diapsorë të mos e gënjejnë veten me përralla gjoja patriotike ashtu si edhe mos jenë kaq të zellshëm në ngritje flamuresh të huaj në vendin e tyre!/City news

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne