Turqi, fillon gjykimi për ngjarjet në Urën e Bosforit gjatë tentativës për grusht shteti

Sot para gjykatës në Turqi do të paraqiten 143 ushtarë të dyshuar, prej të cilëve 135 gjenden në paraburgim, lidhur me ngjarjet në Urën “Dëshmorët e 15 Korrikut” (Ura e Bosforit) gjatë tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO më 15 korrik të vitit të kaluar, ku ranë dëshmorë 34 persona, prej të cilëve dy policë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vazhdën e hetimeve lidhur me ngjarjet mbi urë të cilat filluan kur pjesëtarët e FETO-s e bllokuan me tanke, Kryeprokuroria Publike e Stambollit dhe Byroja për Hetimin e Krimeve Terroriste dhe të Organizuara kishin përgatitur aktakuzën lidhur me 143 të dyshuar, prej të cilëve 135 janë në paraburgim, për të cilët kërkohet burgim i përjetshëm.

Gjatë incidenteve në Urën “Dëshmorët e 15 Korrikut” humbën jetën 34 persona, në mesin e të cilëve ndodheshin dy policë dhe reklamuesi Erol Olçok, dhëndërr i Shkupit dhe i biri i tij, Abdullah Tayyip Olçok.

Të dyshuarit akuzohen për “përpjekje për shkatërrimin e Kuvendit ose për pengimin e punës së tij”, “përpjekje për përmbysjen e qeverisë së Republikës së Turqisë ose për pengimin e punës së saj”, “përpjekje për prishjen e rendit kushtetues” dhe “vrasje me paramendim”.

Organizata terroriste FETO, e udhëhequr nga Fetullah Gylen me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), orkestroi përpjekjen e grushtit të shtetit, në të cilën ranë dëshmorë 250 persona ndërsa rreth 2.200 të tjerë u plagosën./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne