Turqi – Përfundon 50% e murit të sigurisë në kufirin me Iranin

Ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu tha se brenda 8 muajve është përfunduar 50% e punimeve për ndërtimin e murit të sigurisë në kufirin me Iranin.

Bashkë me Komandantin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë, gjeneralarmate Arif Çetin, ministri i Punëve të Brendshme vizitoi provincat lindore Arë dhe Ëdër, ku inspektoi punimet për ndërtimin modular të mureve të sigurisë kufitare në kufirin Turqi-Iran. Me këtë rast ministri vizitoi edhe disa posta kufitare.

Fillimisht ministri Sojllu vizitoi Postën Kufitare “Rreshteri Dëshmor i Këmbësorisë Bekir Kurt”, që ndodhet në kufirin Turqi-Iran.

Sulejman Sojllu u ngjit në kullën e vrojtimit dhe vëzhgoi vijën e kufirit, pastaj vizitoi me helikopter Komandën e Batalionit të 4-t të Kufirit dhe Postën Kufitare Sultantop.

Pas inspektimit dhe vizitave, ministri Sojllu tha: “Për 8 muaj kemi përfunduar 50% të mureve të sigurisë, që vazhdojnë të ndërtohen në provincat Arë dhe Ëdër”.

Muret modulare të sigurisë kufitare, të cilët ndërtohen nga TOKI (Administrata për Zhvillimin e Strehimit në Turqi) në koordinim me Shtatmadhorinë dhe ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, do të pengojnë në masë të madhe infiltrimet e terroristëve nga kufiri,- tha ministri i Brendshëm Sojllu dhe shtoi:

“Lindi nevoja për ndërtimin e një muri kufitar me gjatësi 144 km. Arsyeja e kësaj ishte lufta kundër terrorit, kontrabandës dhe emigracionit të parregullt. Për 8 muaj kemi realizuar 50 për qind të murit, me përfundimin e të cilit do të evitojmë jo vetëm migracionin e parregullt, por edhe depërtimin e terroristëve në Turqi nga kufiri iranian. Këtu duhet t’i japim hakun edhe Iranit, i cili mbajti një qëndrim dhe hodhi hapa në drejtim të lehtësimit të punës tonë. Në muajin korrik ose gusht muri do të ketë përfunduar i tëri. Do të bëjmë përpjekje që këtë ta realizojmë me metoda të tjera edhe në provincën Ardahan, në kufirin me Gjeorgjinë dhe Armeninë. Brenda 1-2 muajve do të marrim masa edhe në këtë drejtim, po punojmë mbi një model të ri, që praktikon sistemin elektronik”.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne