Turqi, rritet në 24 numri i të vdekurve nga aksidenti hekurudhor

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Recep Akdağ, bëri të ditur se bilanci i të vdekurve nga aksidenti i mbrëmshëm hekurudhor në Tekirdağ të Turqisë është të paktën 24 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Fatkeqësia ndodhi në momentin kur treni doli nga shinat, ndërsa mëngjesin e sotëm Akdağ vizitoi vendin e ngjarjes ku u tha gazetarëve se aksioni për gjetjen dhe shpëtimin e udhëtarëve ka përfunduar herët në mëngjes.

Ministri turk për Transport, Detari dhe Komunikacion, Ahmet Arslan, tha se kontrolli vjetor i detyrueshëm i shinave hekurudhore ku ka ndodhur fatkeqësia është bërë në prill të këtij viti.

Treni me 362 udhëtarë dhe gjashtë pjesëtarë të stafit kishte udhëtuar në relacion Edrene – Stamboll, ndërsa pesë vagonë të tij dolën nga shinat afër vendit Sarilar në qarkun Çorlu.

Guvernatori i Tekirdağut, Mehmet Ceylan deklaroi se me gjasë, fatkeqësia ka ndodhur nga shkaku i motit të keq të shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm dhe stuhi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dërgoi telegrame ngushëllimi në adresë të familjarëve të cilët i informoi se është nisur një hetim për të zbardhur detajet e fatkeqësisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne