Të hënën Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) shkoi në Moskë për të marrë pjesë në sesionin e 8-të të Mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi. Në pallatin e Kremlinit Presidenti Erdoan u takua me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në deklaratën që bëri para takimit kokë më kokë Erdoani tha se hapat që ndërmarrin dhe do të ndërmarrin në Siri, në veçanti hapat që do të ndërmarrin me Rusinë, janë të një rëndësie të madhe.

“Një hap tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me hapat që ne vazhdojmë të hedhim së bashku në solidaritet kundër akteve terroriste në rajon”,- nënvizoi Erdoan.

Kreu i shtetit turk tha se gjatë takimeve do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të bashkëpunimit dypalësh, duke shtuar se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve është rritur me 15%, por objektivi vazhdon të jetë 100 miliardë dollarë.

Kurse Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin shprehu nga ana e tij kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, në veçanti ato në fushën ekonomike.

Shkëmbimet tregtare ndërmjet Turqisë dhe Rusisë kanë arritur në 35 miliardë dollarë, u shpreh Putin dhe shtoi: “Me Turqinë kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe lidhur me çështjet globale”.

Pastaj të dy liderët kaluan në sallën ku do të mbahet sesioni i 8-të i Mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë./ trt

16