Turqia: Bisedimet në Moskë për marrëdhëniet tregtare ishin pozitive dhe të frytshme

Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Simsek, deklaroi të mërkurën se bisedimet ndërmjet delegacioneve për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë dhe heqjen e kufizimeve në këtë fushë u realizuan në një atmosferë pozitive dhe rezultuan të frytshme.

“Javën e ardhshme, një delegacion teknik rus do të vijë në Turqi. Ndërsa më 6-7 maj, në Turqi do të vijë edhe zv/kryeministri i Rusisë, Arkady Dvorkovich, me të cilin do të zhvillojmë negociatat përfundimtare”, tha ai.

Përpara se të nisej drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në mbledhjet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), Mehmet Simsek bëri vlerësime në lidhje me kontaktet e tij të ditës së martë në Rusi.
Simsek rikujtoi se të martën qëndroi në Moskë, në krye të një delegacioni teknik ku bënte pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekçi, për të biseduar në lidhje me raportet tregtare ndërmjet dy vendeve dhe sanksionet ekonomike të zbatuara nga Rusia.

Në këtë kontekst – vijoi zv/kryeministri turk – u takova me homologun Dvorkovich dhe morën në shqyrtim të gjitha problemet, me në krye heqjen e kufizimeve për importin e fruta-perimeve të freskëta.

Sipas tij, në bisedime është vlerësuar gjithashtu rikthimi në praktikat e mëparshme për punësimin e turqve në sektorin e ndërtimit dhe në aktivitetet e tjera të firmave kontraktuese turke në Rusi, për heqjen e pengesave në transportin rrugor dhe për sistemin e vizave.

“Bisedimet tona në Moskë u realizuan në një atmosferë miqësore, pozitive dhe rezultuan të frytshme”, përfundoi zv/kryeministri Simsek./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne