Turqia dënon vendimin e ShBA-së për Lartësitë e Golanit

Përmes një komunikate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Turqia ka dënuar me forcë vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump për të njohur sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit.

Na vjen keq dhe e dënojmë me forcë vendimin e administratës amerikane për të njohur sovranitetin izraelit mbi Lartësitë e Golanit, që mbahen të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ky vendim fatkeq, i cili përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të rezolutës nr.497 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1981), tregon se administrata amerikane vazhdon qasjen e saj për të qenë pjesë e problemit, e jo pjesë e zgjidhjes në Lindjen e Mesme, vijon komunikata.

“Ky vendim është krejtësisht i pavlefshëm për Turqinë dhe për anëtarët e përgjegjshëm të bashkësisë ndërkombëtare që i kushtojnë rëndësi integritetit territorial të Sirisë dhe të të gjitha vendeve të rajonit. Në vend që të destabilizojnë më tej rajonin me përpjekje të kota për të justifikuar veprimet e Izraelit kundër të drejtës ndërkombëtare, është një përgjegjësi esenciale e të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare që të respektojnë parimet themelore të Kartës së OKB-së dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, përfundon komunikata.

Të hënën presidenti amerikan Trump kishte firmosur dekretin që shpall se “ShBA-ja ka njohur zyrtarisht sovranitetin e Izraelit mbi Lartësitë e Golanit”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne