GJENEVË – Konferenca ndërkombëtare e donatorëve në Gjenevë, që ka për qëllim të ndihmojë muslimanët Rohingya të cilët u larguan nga dhuna në Mianmar, filloi me Turqinë e cila premtoi se do të sigurojë mbi 50 milionë dollarë në mbështetje të refugjatëve Rohingya, raporton Anadolu Agency.

Ambasadori i Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, Naci Koru, në konferencë bëri të ditur se në kuadër të ndihmës humanitare, Turqia planifikon të ndërtojë njësi strehimi afatmesëm për 100 mijë persona në një sipërfaqe prej tre milionë metra katrorë, dy spitale në terren, dhjetë qendra shëndetësore, si dhe puse të ujit të pijshëm dhe ushqim të freskët.

“Së bashku me projektet dhe dërgesat e planifikuara, shuma e përgjithshme e ndihmës humanitare të siguruar nga Turqia do të kalojë 50 milionë dollarë”, theksoi Koru.

Duke vënë në dukje se kriza e muslimanëve Rohingya do të ketë nevojë për veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar, Koru tha se, “Nga ana jonë, ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë mbështetjen tonë ndaj muslimanëve Rohingya në koordinim të ngushtë me autoritetet në Bangladesh”.

“Të hënën Gjysmëhëna e Kuqe Turke ka grumbulluar më shumë se 5.4 milionë dollarë”, konfirmoi për AA, Mehmet Güllüoğlum, kreu i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

Vetëm AFAD ka grumbulluar 16.2 milionë dollarë që nga viti 2012, ndërsa grupet e tjera të ndihmës turke, si IHH, Fondacioni Humanitar për Ndihmë, gjithashtu kanë qenë aktive në ndihmë të refugjatëve Rohingya.

Ndërkohë, bashkë-pritësi, Bashkimi Evropian (BE), premtoi ndihmë shtesë prej rreth 35 milionë dollarë.

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinator i Ndihmës Emergjente, Mark Lowcock, theksoi se dy pika janë të qarta.

Sipas tij, pika e parë është ajo se jemi duke u përballur me një krizë masive të refugjatëve që kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse bazuar në standardet globale të reagimit ndaj refugjatëve, ndërsa së dyti, siç tha ai, kjo nuk është krizë e izoluar dhe është raundi i fundit në një cikël të gjatë të dekadave të persekutimit, dhunës dhe zhvendosjes.

“Shkeljet serioze vazhdojnë në Rakhine. Ne vazhdojmë të përballojmë kufizime të rënda të aksesit, duke dëmtuar aftësinë tonë për të vlerësuar nevojat dhe për të ofruar ndihmë”, u shpreh Lowcock.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), William Lacy Swing, tha: “Gjithashtu, ne paralelisht duhet të nxisim udhëheqësit botërorë të angazhojnë një proces politik që do t’u lejojë refugjatëve Rohingya të kthehen vullnetarisht në shtëpi dhe ta mundësojnë këtë në mënyrë të sigurtë, me dinjitet dhe kohezion social. Ne duhet të këmbëngulim që zyrtarët e Mianmarit këto kushte do t’i përmbushin”.

OKB-ja thotë se nga shtatori i këtij viti deri në shkurt të vitit të ardhshëm nevojiten 434 milionë dollarë për refugjatët Rohingya.

Deri më tani, përfshirë edhe sesionin e mëngjesit të sotëm të konferencës së donatorëve u premtuan 340 milionë dollarë.

5