Turqia dhe Franca dakord për të bashkëvepruar kundër sanksioneve amerikane

Ministri turk i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak dhe ministri francez i Ekonomisë dhe Financave, Bruno Le Maire, ranë dakord të premten gjatë një bisede telefonike për të bashkëvepruar kundër sanksioneve amerikane ndaj Turqisë.

“Dy homologët diskutuan në telefon për bashkëpunimin ekonomik dhe vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sanksionuar Turqinë”, deklaroi Ministria turke e Thesarit dhe Financave përmes një komunikate me shkrim.

“Albayrak dhe Le Maire u pajtuan të përmirësojnë bashkëpunimin dypalësh dhe të punojnë më nga afër mbi çështjet e akorduara”, nënvizoi Ministria duke shtuar se delegacionet nga të dy vendet do të takohen në Paris, më datë 27 gusht.

Ministri turk gjithashtu falënderoi homologun e tij dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, për mbështetjen e tyre në lidhje me këtë çështje.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalojnë një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu dhe ministrit të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, për mbajtjen nën arrest të priftit amerikan, Andrew Brunson, i cili përballet me akuza të terrorizmit në Turqi.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ashpërsoi të premten e kaluar sulmin e tij ndaj Turqisë duke dyfishuar tarifat doganore amerikane për importet e aluminit dhe çelikut turk në 20 për qind dhe 50 për qind respektivisht.

Si kundërpërgjigje ndaj Uashingtonit, Turqia gjithashtu rriti të mërkurën e kësaj jave tarifat doganore për disa produkte të origjinës amerikane duke përfshirë makinat dhe produktet e alkoolit dhe duhanit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne