Bota

Turqia dhe OKB nisin fushatën e ndihmës për palestinezët

Agjencia shtetërore turke për Gjendje Emergjente (AFAD) dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë UNRWA sot nisën një fushatë të re të ndihmës në përpjekje për të mbështetur popullin palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kumtesën e lëshuar nga AFAD thuhet se fushata që titullohet “Koha për të ndarë për Palestinën” ofron një mundësi për të shfaqur solidaritet me popullin palestinez kundër politikës së okupimit ilegal të Izraelit në territoret palestineze.

“Ndihmat janë jetësore për vëllezërit dhe motrat palestineze për të përjetuar një Ramazan të qetë”, qëndron në kumtesë. Në të po ashtu theksohet se 400 palestinezë humbën jetën dhe më shumë se 50.000 të tjerë u plagosën vetëm gjatë katër viteve të fundit për shkak të okupimit izraelit dhe konfliktit.

Duke theksuar se palestinezët po përballen me dhunën në rritje dhe se e kanë të vështirë shkaku i bllokadës disavjeçare, në kumtesë thuhet: “Ata janë në pritje të mbështetjes nga populli jonë”.

Duke theksuar rëndësinë e dhënies gjatë Ramazanit, në kumtesë thuhet: “Ndihma që do të mblidhet si pjesë e fushatës do të jetë një fije shprese për palestinezët të cilët por përjetojnë kohë të vështira pasi SHBA-të vendosën që të ndërpresin ndihmën e tyre”.

Vitin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump ndërpreu ndihmat vjetore për UNRWA-në. SHBA-të ishin kontribuesi më i madh për agjencinë, duke i dhuruar 350 milionë dollarë çdo vit, që përbënte përafërsisht një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm të organizatës.

“Më shumë se 5 milionë refugjatë palestinezë dhe më shumë se 1,7 milionë palestinezë të pambrojtur që jetojnë në Gaza po përpiqen për të mbijetuar”, thuhet në kumtesën e AFAD.

Sipas kumtesës, shpenzimet njëmujore për ushqim të një familjeje palestineze janë përllogaritur në 230 lira turke.

Vullnetarët që dëshirojnë të mbështesin fushatën mund të dhurojnë përmes faqes së internetit të AFAD-it. Turqia dhe UNRWA do t’i dërgojnë te nevojtarët donacionet e mbledhura në kuadër të kësaj fushate./ AA

OPINIONE